3 perditesime
23:24

Miliçeviq nuk sheh mundësi që Vuçiqi ta njohë pavarësinë e Kosovës

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Aktiv”, Miodrag Miliçeviq, sheh pak ose fare mundësi që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në ndonjë pikë ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Ai u shpreh në “Interaktiv” të KTV-së, të mërkurën, se këtë disponim nuk e sheh as te partitë e tjera në Kuvendin e Serbisë.

Sipas tij, kur flitet për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, duhet të nënkuptohen shumë çështje të hapura që duan zgjidhje e jo njohja e ndërsjellë.

“Duke i lexuar qëndrimet zyrtare jo vetëm të presidentit Vuçiq, por edhe politikanëve opozitarë në Serbi, po flas për partitë parlamentare, nuk shoh që ka një interes dhe është në agjendë njohja e pavarësisë së Kosovës. Kështu, shoh shumë pak ose pothuajse asnjë mundësi që Vuçiqi në ndonjë pikë do ta njihte pavarësinë e Kosovës në të ardhmen e afërt. Por, në të njëjtën kohë, nëse do të më pyesnit se çfarë nënkupton normalizimi i raporteve: Kjo do të ishte për mua që Bashkimi Evropian të insistojë mbi të dyja palët që të draftojnë prioritetet dhe që qartazi t’i përkthejnë ato prioritete në negociata praktike në procesin e bisedimeve. Të provojë t’i zgjidhë çështjet e hapura, diçka që do të përmirësonte jetën e qytetarëve”, u shpreh ai.

Miliçeviq tha se mund të listojë një numër të madh çështjesh që presin diskutim e zgjidhje, sipas tij, në të mirë të qytetarëve.

“Kjo nuk është dëshirë vetëm imja, por e shumë qytetarëve me të cilët kam folur dhe pavarësisht përkatësisë etnike. E di se është joreale që të pritet se kjo do të jetë pjesë e takimit të nesërm, por kjo është mënyra e vetme se si t’i shtyjmë gjërat përpara”, shtoi ai.

23:13

Miliçeviq kritikon Kurtin për mosdialogim me serbët në terren

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Aktiv”, Miodrag Miliçeviq, e ka quajtur të vonuar adresimin e kryeministrit Albin Kurti bërë serbëve në lidhje me targat e veturave.

Kurti iu drejtua serbëve në gjuhën e tyre duke i njoftuar me vendimin e Qeverisë se duhet të ndërrojnë targat ilegale që ua ka lëshuar Serbia në emër të qyteteve të Kosovës me targa RKS.

Miliçeviq në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, të mërkurën, tha se serbët në komunat veriore nuk janë të njoftuar për asgjë. Ai ka kritikuar Kurtin për mosshtrirje të dialogut me serbët në terren, ashtu siç kishte premtuar në fushatë, sipas Miliçeviqit.

“Dy javë më pas erdhën qasja dhe adresimi i kryeministrit Kurti që iu drejtohet shqetësimeve të qytetarëve serbë. Me fjalë të tjera, komunikimi me serbët është dashur të kanalizohej mirë e me kohë dhe procesi konsultativ duhej të ishte i organizuar dhe të bëhej përpara se vendimi të shpallej. Siç e thashë, ai proces fatkeqësisht nuk u bë dhe nuk është befasuese se tash e dëgjoni këtë nga unë dhe qytetarë të tjerë në veri, që nuk jemi as të informuar e as të konsultuar në ndonjë mënyrë. Për atë arsye, këto porosi të Kurtit ishin paksa të vona dhe në vend se të flitej me qytetarët, për fat të keq, ne shohim një luftë mes Prishtinës dhe Beogradit për masat reciproke”, ka thënë ai. “Unë kam avokuar për vite të tëra për dialogun mes Qeverisë së Kosovës dhe serbëve. Unë kam përkrahur dy procese paralele të dialogut: një në nivelin politik në Bruksel dhe një tjetër që quhet dialog i brendshëm, më shumë në nivelin e komuniteteve brenda Kosovës”.

23:10

Miliçeviq: Dëshpëruese që 23 vjet pas Marrëveshjes së Kumanovës të flitet për luftë

Miodrag Miliçeviq nga OJQ “Aktiv” thotë se është dëshpëruese që 23 vjet pas përfundimit të luftës të flitet për luftëra e konflikte të reja.

Ai në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, të mërkurën, tha se si organizatë e kanë paralajmëruar faktorin ndërkombëtar, por edhe të dyja vendet se kjo retorikë nuk çon askund.

“Është për keqardhje që 23 vjet pas Marrëveshjes së Kumanovës ne po flasim për mundësinë e pasjes së një konflikti që do t’i trazonte të dyja komunitetet. Jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët e Kosovës, gjithë rajonin dhe efektin negativ që mund të kishte ai konflikt. Ne kemi lëshuar dy qëndrime publike si OJQ ‘Aktiv’ vitin e kaluar duke paralajmëruar skadimin e afatit të marrëveshjes së targave. Fatkeqësisht nuk ka pasur reagime nga asnjëra palë, as nga Prishtina e as nga Beogradi, e që na bëri të besojmë se në mënyrë të heshtur të dyja palët janë pajtuar që të ashtuquajturat targat neutrale do të ndërrohen gradualisht me targa RKS”, tha ai.

Sipas tij, ai vendim nuk i është komunikuar publikut të përgjithshëm, sidomos jo qytetarëve që do të prekeshin nga një vendim i tillë.

23:08

Miliçeviq s’pret shumë nga takimi Kurti - Vuçiq

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Aktiv”, Miodrag Miliçeviq, vlerëson se është herët të flitet për pritjet në lidhje me takimin e së enjtes në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, të mërkurën, tha se duke pasur në mendje historinë e marrëdhënieve dhe qëndrimeve të dhëna nga të dyja palët së fundmi, është vështirë të imagjinohet se do të ketë një rezultat pozitiv gjithëpërfshirës nga bisedimet e së enjtes.

“Do të prisja më shumë që Bashkimi Evropian do të zbusë paksa situatën dhe t’i bindë të dyja palët që të përmbahen nga shtimi i mosbesimit dhe të përmbahen nga qëndrimet nxitëse e gjuha nxitëse në retorikën publike. Dhe së dyti, natyrshëm, të gjendet konsensusi minimal rreth qasjes ndaj problemit që u shfaq disa javë më parë. Përtej kësaj, do të prisja që të dyja palët, Prishtina dhe Beogradi, apo Kosova dhe Serbia, të veprojnë përgjegjshëm dhe pavarësisht se cili do të jetë rezultati-suksesi apo dështimi- të dyja palët të veprojnë të matura duke mos përdorur gjuhë nxitëse ndaj njëra-tjetrës”, ka thënë ai.