5 perditesime
17:02

Borrell: Nuk ka marrëveshje, por s'dorëzohemi

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka konfirmuar se sot nuk ka mundur të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket çështjes së targave dhe dokumenteve hyrje-dalje.

Por, Borrell ka thënë se nuk do të dorëzohet dhe se ende ka kohë deri më 1 shtator, kur do të hyjë në fuqi vendimi i Kosovës për reciprocitet për targa dhe dokumente hyrje-dalje.

“Ne kemi parë tensione për targa dhe dokumente hyrje-dalje për qytetarët që udhëtojnë mes Kosovës e Serbisë. Komuniteti ndërkombëtar nuk dëshiron të shoh tensione të reja në periudhën e ardhshme. Palëve u është bërë e qartë se do të mbahen përgjegjëse plotësisht për eskalim të situatës në terren. Për fat të keq ende nuk kemi arritur marrëveshje sot, e them me keqardhje, por nuk është fundi i stories. Dy liderët janë pajtuar që procesi duhet të vazhdojë e diskutimet do të vazhdojnë në ditët në vijim. Ka ende kohë deri më 1 shtator. Nuk dorëzohem. Duhet të shohim për zgjidhje”, ka thënë Borrell në adresim për media pas takimeve.

Borrell ka thënë se u është bërë e qartë kryeminsitrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nëse synimi i tyre është BE-ja atëherë duhet të jenë të përkushtuar dhe të bëjnë hapa për të avancuar në këtë rrugë. Hapi i parë është arritja e një marrëveshje për situatën aktuale.

Borrell ka thënë se takimet e të enjtes në Borrell nuk ishin takime normale, por ishte një takim në një situatë të jashtëzakonbshme.

“Po përballemi me zhvillimeve negative në terren e tensione në rritje në veri të Kosovës. Mund të them se ky takim kishte të bënte me përgjegjësinë e dy liderëve për të shikuar zgjidhje në mirëbesim për t’u siguruar që paqja e stabiliteti të mbizotërojnë në atë pjesë të Kosovës”, ka thënë Borrell. “Jemi në kohë kritike për Evropën, po shohim kthimin e luftës në kontinentin tonë, pas pushtimit rus të Ukrainës. Po përballemi me moment dramatik e të rrezikshëm. Nuk është koha për rritje të tensioneve. Koha është për të shikuar për zgjidhje të çështjeve të hapura”.

Borrell ka thënë se Kurti e Vuçiq janë pajtuar të vazhdojnë takimet në kohët në vazhdim, ndërsa ka shtuar se tensionet aktuale janë simptome të çështjeve të pazgjidhura.
“Është simptomë, sot po ndodh atje, nesër mund të ndodh diku tjetër. Mendoj se të dy e kuptuan se nuk ka alterantivë ndaj dialogut për të zgjidhur këtë problem. Ka sigurisht dallime mes tyre në pikëpamje se cili duhet të jetë statusi final i kësaj marrëveshje. Por pajtohen për të vazhduar diskutime në baza të rregullta, në periudhën e ardhshme, për të çuar procesin e normalizimit më shpejt para”, ka thënë Borrell, që ka shtuar se do ta ketë prioritet këtë çështje.

15:35

Përfundon takimi Kurti-Vuçiq, s’ka sinjale për marrëveshje

Delegacioni i Serbisë është larguar nga ndërtesa ku janë mbajtur takimet në Bruksel, në kuadër të dialogut me Kosovën.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se delegacioni i Serbisë ka "luftuar" për zgjidhje kompromisi.

Ai deklaroi për mediat se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të qëndrojë edhe një kohë në Bruksel dhe se nesër, me t’u kthyer në Beograd, do të ketë një nga fjalimet, siç e cilësoi ai, më të rëndësishme për publikun.

“Menduam se ishte e mundur të arrihej një kompromis. Askush nga delegacioni ynë nuk do të flasë sot”, ka thënë Petkoviq për gazetarët.

Petkoviq ka thënë se Vuçiq do të qëndrojë edhe për një kohë në Bruksel e do t'i adresohet nesër publikut nga Beogradi. 

Liderët e Kosovës dhe Serbisë më herët gjatë ditës përfunduan takimet e ndara dypalëshe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Pas këtyre takimeve, pritej që të mbahej edhe një rund i ri trepalësh midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Pak pas orës 10:30, Kurti dhe Vuçiq zhvilluan rundin e ri të bisedimeve, në prani të shefit të diplomacisë evropiane Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në ndërtesën e BE-së ku është zhvilluar dialogu ka qëndruar edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ky ishte takimi i tretë midis Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, pasi në qershor dhe korrik të vitit 2021, dy takimet kishin përfunduar pa ndonjë rezultat. 

Nga mediumet serbe është raportuar se Vuçoq nga Brukseli ka ftuar në takim të dielën përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës. 

15:14

Nis takimi i dytë trepalësh në Bruksel

Takimi i dytë trepalësh ka nisur pak më parë në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit, Aleksandër Vuçiq.

Korrespodenti i KOHËS nga Brukseli, Augustin Palokaj ka thënë se zgjatja e takimit Kurti-Vuçiq i cili ka nisur pas orës 10:00, po shihet si përpjekje e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së për të nxjerrë rezultate konkrete.

“Borrell ka pasur takime bilaterale me Kurtin dhe Vuçiqin. Më pas është zhvilluar për më shumë se një orë një takim i përbashkët. Ka pasur më pas një pauzë, ku ka pasur përsëri takime bilateral. Aktualisht po vazhdon takimi trilateral. Kjo konfirmon se BE-ja dhe SHBA-ja insistojnë që të ketë rezultate nga ky takim”, ka thënë Palokaj.

Takimi tri-palësh po zhvillohet ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Takimet po i vëzhgon nga afër edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

12:15

Përfundon biseda trepalëshe, vazhdojnë takimet dypalëshe

Në Bruksel ka përfunduar rundi i parë i takimit mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili u mbajt me  ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Korospodenti i Kohës në Bruksel, Augustin Palokaj, ka njoftuar se pas një pauze kanë nisur edhe takimet dypalëshe mes Kurtit e Vuçiqit me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në Bruksel, në bisedimet Kosovë-Serbi po merr pjesë edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

10:50

Nis takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

Ka nisur takimi në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Korrespodenti i Kohës në Bruksel, Augustin Palokaj, ka bërë të ditur se takimi ka filluar pas orës 10:30.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, fillimisht është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në takime të ndara.

Në Bashkimin Evropian shpresojnë të që të kenë rezultate konkrete në uljen e tensioneve dhe parandalimin e shpërthimit të tensioneve të reja në fund të këtij muaji apo në fillim të muajt të ardhshëm.

Tema tjetër është nisja e një dinamike të re në dialog dhe nisja e negociatave edhe për marrëveshjen gjithëpërfshirëse mes dy vendeve.

07:45

Sot në Bruksel mbahet takimi Kurti-Vuçiq

Të enjten në Bruksel do të mbahet takimi i nivelit të lartë të dialogut Kosovës-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së.

Zyra e informacionit e BE-së ka bërë të ditur se takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq do të fillojë në orën 10:30, me pjesëmarrjen edhe të emisarit special evropian për dialogun Miroslav Lajçak.

Takimi do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit. Ai gjithashtu do të trajtojë çështjet aktuale dhe do të synojë zbutjen e tensionit aktual në terren, thuhet në njoftim.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, do të zhvillojë gjithashtu takime të veçanta me secilin lider.

Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Borrell e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në EbS.

Kryeministri Kurti të mërkurën në Bruksel ka zhvilluar takime me emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak, emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, si dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-së Jens Stoltenberg.

Kurti ka thënë se nuk ka ndonjë mënyrë tjetër përveç zbatimit të vendimit, kur është pyetur nga gazetarët në Bruksel nëse është e mundur tërheqja nga vendimit për targat e lëshuara nga Serbia. Ai ka theksuar se implementimi i vendimeve është në dobi të të gjithëve.