1 perditesime
16:17

Mediat beogradase për takimin e Vuçiqit me serbët e Kosovës: Lajme të këqija për ta

Gazeta serbe “Novosti” ka shkruar për takimin që e ka thirrur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë për të dielën dhe sipas këtij mediumi, përcjell "B92", do të ketë lajme të këqija për ta.

Takimi i Vuçiqit me serbët e Kosovës do të jetë më i zgjeruar, pasi në të pos përfaqësuesve të Listës Serbe, që janë edhe pjesë e Kuvendit të Kosovës, do të takojë edhe siç është thënë, përfaqësues të rretheve e spitaleve, që funksionojnë në kuadër të strukturave paralele.

Takimi do të mbahet në Beograd dhe vjen pas takimit që Vuçiqi ka pasur të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me ndërmjetësuesit e dialogut nga BE-ja.

13:43

Vuçiqi nga Brukseli i fton në takim në Beograd serbët e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka caktuar një takim nga Brukseli me serbët e Kosovës, raportoi Novosti të enjten.

Takimi thuhet se është caktuar të mbahet këtë të diele, duke filluar nga ora 11:00 në Pallatin “Serbia” në Beograd.

Në takim janë ftuar të gjithë përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve nga Kosova, liderët e Listës Serbe, të gjithë kryetarët serbë, kryetarët e rretheve, drejtorët e spitaleve etj.

Në Bruksel të enjten po zhvillohet takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Takimi po zhvillohet me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Takimin nga afër po e përcjell edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.