2 perditesime
11:09

Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Malit të Zi

Ministritë e Mbrojtjes së Kosovës dhe Malit të Zi kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi në fushën e sigurisë.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se bashkëpunimi i dy shteteve në mbrojtje është i domosdoshëm për sigurinë e të dyjave.

“E kemi rikonfirmuar bashkëpunimin e fuqishëm që e kemi mes dy shteteve tona. Nënshkrimi i marrëveshjes ngrit bashkëpunimin në shumë fusha. Me këtë marrëveshje zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, që është e domosdoshme në aspektin e sigurisë, stabilitetit të dy vendeve tona”.

Mehaj në konferencë për media tha se bashkëpunimi do të lehtësojë rreziqet që i kanosen Kosovës dhe Malit të Zi për sigurinë.

“Bashkëpunimi ynë do shtrihet në shkëmbimin e përvojave profesionale, akademike dhe angazhimi në mbështetje reciproke me kapacitete operacionale në rast të emergjencave. Thellimi i bashkëpunimit do të lehtësojë efektivitetin dhe kërcënimet që janë për dy shtetet dhe rajonin, dhe rreziqet që na prekë mjedisin e sigurisë rajonale e globale”.

Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Rasko Konjeviq, ka thënë se Mali i Zi do mbështesë Kosovën në aspiratën e saj për t’u bërë pjesë e nismave rajonale.

“Këto takime ishin edhe një mundësi për të shkëmbyer mendime për çështjet aktuale rajonale, unë ritheksova vendosmërinë e Malit të Zi se kudo që të mundet, Mali i Zi do ta mbështesë Republikën e Kosovës në aspiratën e saj për t'u bërë pjesë e disa nismave rajonale ose për të avancuar statusin e saj, kështu që ne besojmë se përmes këtij lloji të bashkëpunimit rajonal do të vendoset një bashkëpunim shtesë, do të thosha, politik dhe i sigurisë dhe të dërgohet një mesazh diku nga Mali i Zi, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit, se cili është thelbi dhe çfarë do të thosha është një vizion i përbashkët, që është që ky rajon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian". 

"Mali i Zi do të jetë në ndihmë, sepse ne duam të ndihmojmë Kosovën dhe vendet e tjera që ndajnë vizionin dhe vizioni i Malit të Zi është që përveç nga anëtarësimi në NATO do të jetë, sa më shpejt që është e mundshme anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian në kuptimin që të plotësojmë të gjitha standardet që duhen për të qenë pjesë e shoqërisë së vendeve të zhvilluara dhe demokratike, ka thënë ai.

09:23

Konjeviq pritet me ceremoni ushtarake

Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Rasko Konjeviq, me delegacionin e tij të lartë ka arritur në Kosovë për vizitë.

Ai është pritur në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës me ceremoni ushtarake.

Ministri Armend Mehaj ka mbajtur takim me homologun dhe delegacionin.

Të dy ministrat pritet të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi.

08:33

Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Rasko Konjeviq qëndron sot në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Rasko Konjeviq, do të qëndrojë për vizitë zyrtare të premten në ministrinë e Mbrojtjes të Kosovës, bashkë me delegacionin e tij.

Me këtë rast, ai në ora 09:00, do të pritet me ceremoni ushtarake nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe delegacioni i tij, ku më pas do të ketë takime mes tyre dhe në nivel të delegacioneve.

Në fund, pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit, të dy ministrat do të adresohen me deklaratë për media.