2 perditesime
11:48

Vuçiq “betohet” në Kuvend se Serbia do të mbrojë serbët “nëse ata sulmohen”

Aleksandar Vuçiq, gjatë raportimit të tij në Kuvendin e Serbisë, ka thënë se ai si komandat suprem i ushtrisë, nuk dëshiron luftë, por para deputetëve ai ka dhënë një betim të martën.

“Më besoni, nëse populli jonë (në Kosovë) do të sulmohet, do të jemi mjaftueshëm të fortë që t’i mbrojmë, më besoni në fjalë”, ka thënë Vuçiq.


Kamberi përplaset me Vuçiqin për Kosovën

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi është përplasur sot ashpër me Aleksandar Vuçiq, duke i thënë presidentit serb se Kosova është shtet i pavarur.

Ndërsa në Kuvend Vuçiq, prezantoi raportin për dialogun politik me Kosovën, Kamberi tha se Beogradi duhet të arrijë marrëveshje me Prishtinën zyrtare.

“Çfarëdo që dëshironit arrini atje, duhet ta arrini në marrëveshje me autoritetet lokale dhe kushdo që është në pushtet atje, Serbia nuk ka ndikim”, tha Kamberi.

Ai iu kundërpërgjigj deklaratave të Vuçiqit, i cili tha se për aq kohë sa ai të ketë ndikim “Serbia nuk do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës".

Kamberi tha se serbët që jetojnë në Kosovë kanë të drejta të shumta, të garantuara me Kushtetutë, dhe kanë përfaqësim në Kuvend dhe Qeveri, ndërkaq këto të drejta nuk i kanë shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Ai tha se një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë është një ndër sfidat më të vështira dhe se është obligim i Vuçiqit që ta udhëheqë Serbinë drejt zgjidhjeve që krijojnë perspektivë evropiane.

Ai tha se përmirësimi i raporteve me “armikun e përjetshëm” kërkon aftësi për të kuptuar se “nuk ka pajtim pa u përballur me të kaluarën”.

Sipas Kamberit, Vuçiq e ka përgjegjësinë më të madhe që t’u tregojë qytetarëve serbë për Kosovën “të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, e jo dëshirat boshe dhe ambiciet politike”. Ai po ashtu tha se në Serbi ende nuk atmosferë që dikush t’u kërkojë falje shqiptarëve.

Por, Vuçiq tha se Kosova nuk është shtet i pavarur dhe se serbët në veri të Kosovës nuk kanë status të njëjtë me shqiptarët që jetojnë në jug të Serbisë.

“Ju po e paraqisni situatën sikur Kosova është shtet i pavarur, se nuk ka asgjë të diskutueshme, por se bëhet fjalë vetëm për një marrëveshje dypalëshe që vendos barazi dhe identitet të të drejtave të serbëve dhe shqiptarëve në dy shtete të pavarura. Por, çështja nuk është kështu”, tha Vuçiq.

Vuçiq i tha Kamberit se “nuk kam asgjë kundër” dënimit të krimeve që kanë ndodhur kundër shqiptarëve, por shtoi se pala tjetër “hesht dhe nuk po flet” për krimet, siç tha presidenti serb, të kryera nga ata.

Vuçiq po ashtu e pranoi se Kamberi ka të drejtë kur thotë se autoritetet nuk po investojnë mjaftueshëm në dy komunat në jug të Serbisë, që banohen nga shqiptarët – Preshevë dhe Bujanoc, por edhe në Medvegjë. Por, presidenti i Serbisë paralajmëroi se do të ketë më shumë investime në këto tri komuna, që njihen ndryshe edhe si Lugina e Preshevës.

Ndryshe, në Kuvendin e Serbisë u prezantua raporti i Qeverisë për dialogun e zhvilluar me Kosovën që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian./Rel

11:30

Vuçiqi: Derisa të jem unë gjallë, Serbia nuk do ta njohë Kosovën

Kuvendi i Serbisë po mban seancë për Kosovën, përkatësisht rrjedhën e dialogut Kosovë - Serbi.

Presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, po raporton para deputetëve, ndërkohë në një moment tha se sa të është ai gjallë, Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Kuvendi i Serbisë, për herë të fundit, seancë për Kosovën kishte mbajtur më 22 qershor 2021, kur Vuçiqi kishte folur mbi katër orë para deputetëve.

Kryetari i Kuvendit, Vladimir Orliq, ka thënë të martën në mëngjes së shpreson që seanca do të përfundojë gjatë ditës.

07:59

Kuvendi i Serbisë mban seancë për Kosovën

Deputetët e Kuvendit të Serbisë, të martën, do të mbajnë seancë, siç është thënë, të veçantë për “situatën në Kosovë”.

Sipas mediave serbe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të mbajë një fjalim për rrjedhën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve, ndërkohë që edhe do të përgjigjet në secilën pyetje të deputetëve.

Seanca do të nisë në orën 10:00.