Kurti takohet me mjekë mërgimtarë, u kërkon që të kthehen në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar të enjten në ceremoninë hapëse të Kongresit të Dytë Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, mjekë që jetojnë në mërgatë, dhe u ka kërkuar atyre që të kthehen në Kosovë.
Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrisë, Kurti ka marrë shembull ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, për kthimin në Kosovë, për t’i inkurajuar atë që të kthehen në vendin e tyre.
“Më vjen mirë që po ju takoj në Kosovë, në Prishtinë. Ju inkurajoj që të ktheheni dhe të gjeni veten në Kosovë. Mërgimtarë e kemi edhe ministrin Dr. Latifi, ai është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Kurti.
Ai i njoftoi të pranishmit edhe për formimin e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi, duke thënë se po i hapet rrugë reformës në shëndetësi.
“Meqë shëndetësia është një domen i shtrirë ndër shumë sektorë e instanca, e kemi ngritur Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, që e kryesoj unë, për të siguruar funksionim normal të sistemit shëndetësor e për t’i hapur rrugë reformës në shëndetësi”, ka thënë Kurti.