Arbëri

Trendafilova për Specialen: S’jemi gjykatë njëetnike

 

Ende nuk ka asnjë rezultat, të paktën publikisht, për zbardhjen e rastit të rrjedhjes së dokumenteve dhe dërgimit të tyre në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Për shpërndarjen e dokumenteve që Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se janë konfidenciale, dy ish-krerët e OVL-UÇK, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, u dënuan me burgim nga Gjykata Speciale. Për hetimin e këtij rasti nuk flet kryetarja e kësaj gjykate, Ekaterina Trendafilova, e cila kur pyetet për këtë i referohet vetëm deklaratave publike të Prokurorit të Specializuar se i njëjti është duke bërë një hetim për këtë por ende pa ndonjë rezultat. Trendafilova thotë se Dhomat e Specializuara dhe ZPS janë dy organe të pavarura nga njëra-tjetra dhe nuk pajtohet me deklarimet në Kosovë se kjo gjykatë është një etnike.

Kryetarja e Gjykatës Speciale gjatë kësaj jave ka qëndruar në Kosovë dhe të martën ka folur në një intervistë për KosovaPress, në Prishtinë, një ditë para takimit të paralajmëruar me shoqërinë civile në Gjilan, të cilën e anuloi mbrëmjen e së martës, për shkak të një proteste të paralajmëruar kundër vizitës së saj.