1 perditesime
18:31

Rama në OKB: Njiheni Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka bërë thirrje shteteve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ka thënë se edhe Serbia duhet ta bëjë një gjë të tillë. Sipas Ramës, “Ballkani i Hapur” është rrugë e duhur për të zgjidhur ngërçin në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Në fjalimin e tij, Rama ka thënë se vendet e Ballkanit kanë kuptuar se “për të ecur përpara është t’ia dalim së bashku”.

Iniciativën e përbashkët me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, Rama e ka cilësuar si lëvizje për të lënë pas të shuarën e për të gjetur arsye të mira për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

“Duke forcuar marrëdhëniet me Serbinë dhe duke ecur përpara për të nxitur bashkëpunimin dy palësh e rajonal, Shqipëria as që ka lëvizur e as që do të lëvizë asnjë centimetër nga qëndrimi i saj i palëkundur në mbështetje të nevojës për çdo vend, edhe mes jush, që s’e ka bërë këtë gjë, përfshirë edhe Serbinë, që ta njohë Republikën e Kosovës”, ka thënë Rama. “Thënë këtë, është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin përtej ngërçit aktual në dialogun e tyre dhe të punojnë me kurajë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje duke bërë rolin e tyre përkatës për të miratuar një marrëveshje të mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-ja”.

Rama ka shtuar se dialogu është “rruga e vetme dhe e patjetërsueshme” për t’u zgjidhur kjo çështje.

“Mbetem i bindur që ‘Ballkani i Hapur’ vetëm se do të ndihmojë të lehtësojë të proces për të mirën e të gjithëve, shqiptarëve e serbëve, Kosovës e Serbisë dhe të gjithë rajonit dhe Evropën më gjerë”, ka shtuar ai.

18:11

Rama në OKB: Gjykata Speciale, dështim monumental në nivel ndërkombëtar

Dështim monumental në nivel ndërkombëtar e ka quajtur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Gjykatën Speciale të Kosovës, të bazuar në raportin e raportuesit Dick Marty, 11 vjet më parë. Në fjalimin në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, Rama e ka quajtur këtë raport një prej rasteve më të këqija të realitetit të shtrembëruar në nivel botëror.

Ai ka nisur fjalimin e tij duke thënë se sa herë përmendet fjala Ballkan të gjithëve u vijnë në mendje imazhet e luftërave të përgjakshme. Ka shtuar se luftërat në Bosnje e Kosovë s’do të harrohen kurrë.

“Llogaridhënia është e pranishme dhe do të vazhdojë. Duhet të dyfishojmë përpjekjet që të bëjmë të mundur të ndjekë rrugën e saj e papenguar. Por kjo kërkon angazhim me vendosmëri ndaj idealeve të drejtësisë dhe mbi të gjitha bashkëpunimit mes palëve. Drejtësia qëndron në themelet e çdo përpjekjeje për paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet. Por drejtësia shërbehet me fakte, prova, të dhëna dhe jo me trille apo realitet të shtrembëruar. S’mund të mos ndaj me ju një shembull të tmerrshëm që duhet të jetë mësim për të gjithë botën dhe mbi të gjitha për ato demokratike. Më 2011, Asambleja e Këshillit të Evropës miratoi një raport të përpiluar nga një europarlamentar i zellshëm, Dick Marty, e ku akuzohej UÇK-ja për krimin e neveritshëm të trafikimit të organeve. Zoti Marty do të duhej të ishte paguar si tregimtar, por kurrë të besohej si raportues i Këshillit të Evropës. Raporti i tij ishte tronditës. E ju, shumë, aso kohe i besuan. U shndërrua në faktorin kyç të ushqimit të idesë dhe të ngritjes së Dhomave të Specializuara të Gjykatës për Kosovën. Po kështu u bë një prej rasteve më të këqija të realitetit të shtrembëruar, lloji i manifestit për propagandën mbarëbotërore kundër pavarësisë së Kosovës. Çdo përpjekje hetimore u bë gjatë këtyre 11 vjetëve të gjata për t’i vërtetuar këto akuza në nivel kombëtar, rajonal e ndërkombëtar. Por më kot, asgjë, asnjë grimë prove a treguesi nuk u gjet askund, në Kosovë apo diku tjetër që kishte të bënte me trafikimin e dyshuar e të pretenduar të organeve”, ka thënë Rama.

Ai ka vazhduar duke thënë se një nga ata që u arrestua nga Specialja është ish-presidenti Hashim Thaçi.

“Përpiquni ta imagjinoni për një moment: Presidenti juaj apo kryeministri, apo udhëheqësi i vendit tuaj që merret nga zyra e çohet në vend të tretë që mbahet i ndaluar për një vit të tërë pa asnjë aktakuzë zyrtare nga një organizëm i krijuar dhe sponsorizuar nga vende, nga një komunitet i vendeve demokratike. Gjejeni pra. As edhe një fjalë e vetme e aktakuzës që vijoi, nuk ka të bëjë me raportin e Këshillit të Evropës për krimin e pretenduar të trafikimit të organeve. Është një fantazi e tërë. Ky është dështim monumental në nivel ndërkombëtar. S’ka të bëjë me një person a procedurat e gjykatës. Ka të bëjë me njollosjen e papërshtatshëm të një vendi dhe historisë së tij”, ka shtuar Rama.

Në fjalimin e tij, Rama ka thënë se megjithatë “mes shumë virtytesh” demokracia njeh edhe korrigjimin e fajit dhe gabimeve.

“Mendojmë dhe shpresojmë që saktësisht Asambleja e Këshillit të Evropës do të nderojë të vërtetën dhe do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues... Ndërkohë që dëmi është bërë dhe të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë e një organizate kaq të rëndësishme ndërkombëtare. Kurrë s’do të heqim dorë nga kjo e vërtetë dhe s’do të ndalim kurrë të nderuari ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e tyre dhe për të cilët askush në emër të askujt, nuk mund të hedhë as edhe një grimë balte”, ka thënë ai për çështjen e Speciales.