Arbëri

Kriza energjetike rrallon pyjet

Pyjet e sotme janë rralluar dukshëm, dhe ka pak lisa të moçëm. Pasojat e prerjes ilegale të druve, në Keqekollë janë vetëm njëri rast
 

Ngritja e çmimeve të lëndëve djegëse, paralajmërimet për reduktime të energjisë elektrike, kanë nisur të lënë pasoja edhe në pyjet e Kosovës. Qytetarët me qëllim që të sigurojnë së paku dru për ngrohje, jo rrallë ia mësyjnë prerjes ilegale. Mosreagimi i organeve, mungesa e kujdesit për pyjet, kanë hapur terren, përderisa në këtë mes edhe shitësit e druve dhe çmimi i tyre kanë koston e vet në dëm të pyjeve

Prishtinë, Keqekollë, Ballaban, 24 shtator – “Nëse ma vret djalin të fal, nëse ma pret malin jo”, është një thënie e moçme që dëshmon përkushtimin e dikurshëm në mbrojtje të natyrës. Prerja e pyjeve rëndom bëhej për ditët më të vështira dhe vetëm për nevoja personale. Kishte një lloj rregulli a kujdesi: përzgjidhej një lis, kur afër kishte një filiz. Sepse dikur ishte e qartë se duheshin vetëm 5 minuta për ta prerë një dru. E 100 vjet të tjera që ai të rritej.

Pyjet e sotme nuk bëjnë më as hije. Janë rralluar dukshëm, dhe ka pak lisa të moçëm. Rrita u ndalet në gjysmë, se aty tashmë për dikë ka mbetur mbijetesa e për dikë fitimi.