4 perditesime
21:08

Performanca e ministrive në sytë e Aganit: Notë kaluese për MPB-në dhe atë të Mbrojtjes

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, vlerëson se Qeveria e Kosovës ka shënuar rezultate të mira në disa fusha, por jo edhe në atë të shëndetësisë.

I ftuar të enjten në emisionin DESKU në KTV, Agani ka thënë se pozita negociuese e Kosovës me Serbinë është më e fuqishme se që ka qenë më parë.

“Në sektorë të caktuar të qeverisjes duket se ka depërtime shumë të suksesshme dhe ka zhvillime pozitive, në radhë të parë zhvillimet në rrafshin e dialogut me Serbinë. Pozita negociuese e Kosovës në relacion me Serbinë është më e fuqishme se që ka qenë, mendoj se është zënë një pozitë e mirë në kohë dhe hapësirë. Mendoj se po mungon dialogu i qetë brenda Kosovës”, ka thënë Agani.

Sipas tij, edhe në sferën e sigurisë janë bërë lëvizje pozitive, por e njëjta nuk mund të thuhet për Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Shëndetësisë.

“Mendoj që Ministria e Punëve të Brendshme po e bën një punë çdo herë e më të mirë, Ministria e Mbrojtjes po ashtu. Ministria e Ekonomisë ka vështirësi të jashtëzakonshme si pasojë e zhvillimeve dhe problemeve në rrafshin global, me energji posaçërisht. Qeveria Kurti është duke e bërë për fat të keq një fragmentarizim ndaj sektorit të shëndetësisë. Në sektorin e shëndetësisë duhet të ketë depërtime shumë më të fuqishme, sepse tani është një rënie e lirë, e cila përfundon me rezultate negative”, ka thënë ai.

Edhe në sektorin e arsimit, Agani ka thënë se shihet qartazi që ka probleme. Këtë sipas tij, e ka dëshmuar greva e përgjithshme që po mbahet nga punëtorët e sektorit publik, përfshirë edhe mësimdhënësit.

“Kjo grevë që u mbajt e dëshmoi atë se po mungon ndjeshmëria ndaj dialogut social, nevojitet një shkallë më e lartë e ndjeshmërisë së Qeverisë ndaj partnerëve socialë. Nevojitet një shkallë më e lartë e bashkëpunimit, e dëgjimit të anës tjetër dhe jo qërimit të hesapeve mbi rrafshe politike me partnerë të shoqërisë që nuk janë subjekte politike sui generis”, ka thënë ai.

Agani ka shtuar se beteja e Qeverisë me të kaluarën dhe promovimi i një qasjeje të re për të ardhmen e Kosovës, duhet të jetë betejë shumë më e kujdesshme.

20:49

Agani: Dështimet në shëndetësi do t’u faturohen Kurtit e Latifit

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, deklaroi se dështimi në reformat në shëndetësi, do t’u faturohet kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit aktual të Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Agani tha në DESK-un e KTV-së se dështimin në shëndetësi do ta vuajnë edhe qytetarët e Kosovës.

“Faturën do ta marrin qytetarët e Kosovës, që kanë pritur qe sa vite të kenë një të drejtë. Unë e kam bërë maksimumin, është momenti të ndërpriten këto procese regresive. Kurti duhet të organizojë një rishikim të zbatimit të strategjisë sektoriale dhe të nxjerrë plan operativ se kah të shkohet. Faturën politike do ta paguajë kryeministri, sepse e ka përgjegjësinë kryesore, të mos flasim për ministrin e Shëndetësisë, që sipas ligjeve i ka të gjitha kompetencat”, tha Agani.

Ai u shpreh se ministrin Latifi e ka mik dhe është ekspert në lëmin e tij, por sipas Aganit, Latifi ka vizion afatgjatë

“Po shoh që ka një vizion afatgjatë të zhvillimit të shëndetësisë. Siç e tha edhe vet, e sheh shëndetësinë pas 10 vjetësh. Unë dua ta shoh si qytetar për 2-3 vjet se si do të duket. Është domosdoshmëri. Gjendja aktuale është e patolerueshme”, tha ai.

Ish-ministri Agani, deklaroi se është e dhimbshme ikja e mjekëve nga Kosova, por kjo sipas tij, e ka edhe një anë pozitive.

“Ikja e mjekëve është fenomen për dhimbje, pasi kuadrot po na dalin jashtë. Në një aspekt është mirë sepse do të mësohen, do të avancohen. Por për 3-4 vjet ata duhet t’i kthejmë prapa, ende nuk është situata fatale, ende kemi gjasa që këtë fluks të ikjes ta kthejmë prapa, pasi t’i kenë marrë vlerat jashtë”, tha ai.

20:30

Agani: Më 2015 pati mundësi të rregulloheshin sigurimet shëndetësore

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, deklaroi se në vitin 2015, Kosova pati mundësinë të bëhej me sistem publik të sigurimeve shëndetësore, por sipas tij, kjo u pamundësua kur u akuzua për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Agani deklaroi të enjten në DESK-un e KTV-së, se nëpërmjet një huaje nga Banka Botërore, e mbështetur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Kosova i pati siguruar më 2014 26.5 milionë dollarë.

“Shpresa ka qenë e madhe që në vitin 2015 të kishim sistemin publik për sigurimet shëndetësore. Më 2014 kemi siguruar një hua nga Banka Botërore, e mbështetur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në vlerë prej 26.5 milionë dollarë, për themelimin e Fondit. Në buxhetin e vitit 2015, ne i kemi alokuar 18 milionë euro si kontribute të të punësuarve në sektorin publik. Atë vit kemi qenë në gjendje të sigurojmë premiume të sigurimeve nga sektori publik dhe privat. Prej kësaj filloi të mbushej Fondi”, deklaroi Agani.

Sipas ish-ministrit, ligjet që janë miratuar gjatë kohës sa ishte në detyrë, janë përcjellë edhe te ministrat pasues, por siç u shpreh ai, pati moszbatim.

“Ka munguar zbatimi i ligjit, ka munguar reagimi i opinionit. S’ka pasur ndjeshmëri të duhur dhe s’ka pasur reagim të instancave relevante në ndërprerjen e procesit. Ka qenë e dhimbshme që ato 26 milionë euro të shkojnë në blerjen e pajisjeve mjekësore që kanë mund të blihen me buxhetin e Kosovës. Një kredi e rëndësishme. Ka qenë moment historik në vitin 2015, në realizimin e një reforme të madhe”, deklaroi ai.

Agani tha se nisma u bllokua edhe për shkak të mungesës të të kuptuarit të reformës, mosbesimit dhe frikës nga ndryshimet radikale. Ai tha se reforma urgjente duhet të kryhen në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës.

Nëse s’ka SHSKUK të suksesshëm, s’ka Fond të suksesshëm. Reforma duhet të fillojë në SHSKUK. SHSKUK-ja është jashtë kohës. Ka qenë relevante për vitin 2015, por më 2016, tërë buxheti është dashur të kalojë te Fondi”, u shpreh Agani.

Pas një procesi maratonik gjyqësor, ish-ministri Ferid Agani, gushtin e sivjetmë u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pas akuzave për korrupsion, në rastin e njohur si “Stenta 1”.

20:22

Agani: Në sektorin e shëndetësisë ka shumë grupe të interesit

Në sektorin e shëndetësisë ka shumë grupe të interesit, të cilat mundohen të krijojnë mundësi të veprimit për vete dhe të sigurojnë benefite, ka thënë ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, të enjten në “Desku” të KTV-së.

Sipas tij, këto grupe janë të shprehura veçanërisht në sektorin farmaceutik dhe në atë të trajtimeve jashtë institucioneve publike shëndetësore.

“Në sektorin e shëndetësisë ka jashtëzakonisht shumë grupe të interesit, veçanërisht në sektorin farmaceutik dhe në sektorin e trajtimeve jashtë institucioneve publike shëndetësore dhe natyrisht se ato mundohen të krijojnë mundësi të veprimit për vete dhe të sigurojnë benefite. Mirëpo detyra e institucioneve shtetërore është që me procedura ligjore dhe me një kujdes të veçantë të sigurojnë që paraja publike të shpenzohet në mënyrë të kujdesshme”, ka thënë Agani.

Ai ka folur edhe për abuzimet me fondin e sigurimeve shëndetësore, për të cilat KOHA ka raportuar në qershor të këtij viti, duke shprehur habinë për hyrjen në borxhe të mëdha të Fondit për Trajtim Jashtë Vendit ndaj institucioneve spitalore jashtë Kosovës.

“Atë që kam pritur nga Fondi i sigurimeve shëndetësore ka qenë që do të zhvillojë mekanizma të seleksionimit të institucioneve shëndetësore, të cilat do të ofrojnë shërbime më cilësore dhe më të mira brenda dhe jashtë, por të cilët do të respektojnë edhe të drejtën ligjore për të zgjedhur institucionet se ku do t’i marrin shërbimet. Kjo është një situatë mjaft e çuditshme se si ka mundur të tejkalohet buxheti i lejuar për këto shërbime jashtë institucioneve publike shëndetësore, sepse ky buxhet është i limituar dhe nuk e di qysh ka mundur të hyhet në obligime, të ofrohen shërbimet pa u kryer pagesat”, ka thënë Agani.

20:13

Agani: SHSKUK-ja ka ngecur në reforma

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka thënë se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), nuk ka ecur përpara në aspektin e reformave.

Agani ka thënë të enjten në “Desku” të KTV-së, se ndonëse gjatë mandatit të tij si ministër kishte arritur ta ndajë SHSKUK-në nga Ministria e Shëndetësisë, tetë vjet pas, ai ka vërejtur që reformat aty janë ndalur.

“Në vitin e fundit të mandatit tim si ministër në vitin 2014 arrita ta ndajë SHSKUK-në nga MSH-ja si një formë e decentralizimit të sistemit shëndetësor, dhe e bëmë organizatë të veçantë buxhetore, e cila në vitin 2015 është dashur të shndërrohet në ndërmarrje publike të nivelit qendror. Reforma u ndërpre, SHSKUK-ja mbeti organizatë e veçantë buxhetore në mënyrë anakronike dhe, edhe sot 8 vite prej atëherë, nuk eci përpara”, ka thënë Agani.

Ai ka folur edhe për procesin gjyqësor në rastin “Stenta”, në të cilin ishte i akuzuar për shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, duke thënë se ky proces e dëshmoi se akuzat kanë qenë të pabaza.

“Procesi gjyqësor e dëshmoi qartë se akuzat kanë qenë të pabaza, isha i akuzuar se e kam shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, se kam favorizuar dy spitale private në kurriz të sistemit publik të shëndetësisë, që absolutisht ka qenë e pavërtetë, pasi kam qenë ministri i parë që e kam themeluar sistemin e kardiokirurgjisë. Vetë zhvillimet pas largimit tim nga MSH-ja, jo menjëherë por dy vite më vonë, treguan se ndryshoi situata sa i përket gatishmërisë së mjekëve që t’i ofrojnë këto shërbime dhe u pa që ekziston mundësia që të ofrohen këto shërbime edhe brenda sektorit të kardiokirurgjisë”, është shprehur Agani.