2 perditesime
23:52

Hasani për rreziqet për luftë në rajon: Do të ishte vetëvrasje për Vuçiqin

Sipas Enver Hasanit, profesor i së drejtës ndërkombëtare, një tentim për destabilizim të rajonit apo shpërthim lufte, do të ishte vetëvrasje për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Hasani ka thënë se çdo tension në rajon, si në Kosovë a Bosnje, i faturohet Vuçiqit.

“Tash më s’ka hapësira si në të kaluarën. Krejt rajoni është territor i NATO-s. Do të ishte vetëvrasje për Vuçiqin...”, ka thënë ai duke komentuar deklaratat e fundit për rrezik për luftë në rajon. “S’besoj se Vuçiqi është aq budalla sa të futet në aventura të tilla”.

“Kontestuese tek Asociacioni, ajo që mendon Serbia për të”

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është detyrim kushtetues për Kosovën dhe kjo s’është kontestuese, ka thënë ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani. Megjithatë, sipas tij, kontestuese është vetëm ajo çka mendon Serbia të bëjë me Asociacion.

“Nëse mendohet ndryshimi i formës së shtetit sipas formës së Italisë e Spanjës si shtete regjionale është tjetër problem. S’është shtrirje e soviranitetit në Serbi, por ndarje e sovranitetit”, ka thënë Hasani.

23:45

Sipas Hasanit, njohja nga Serbia s’është as afër

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se nuk sheh që njohja nga Serbia është afër e se tash s’mund të jetë në rend dite në tavolinën e dialogut.

Sipas tij, Kosova duhet të ketë të definuar qëllimin politik në dialog. Ai ka thënë se po që se qëllimi është të arrihet një marrëveshje e përgjithshme, por jopërfundimtare, për Kosovën do të ishte fatale.

“Sepse do të mbetej burim i pashtershëm i iluzionit serb”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së të premten.

Ai ka thënë se ka përshtypjen që në Evropë dhe përtej është synimi aktual që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, por jo përfundimtare. Sipas tij, Kosova do të mund të përfitonte anëtarësime e integrime në organizata ndërkombëtare.

“S’ka transparencë (për dialogun) sepse as shenja të asaj që po quhet njohje, definim ekzistencial i qenësisë sonë si shtet, nuk ka çka i thuhet Kuvendit sepse besoj kanë marrë mesazhe të qarta ata që po dialogojnë se tash s’mund të jetë në rend dite”, ka thënë ai.

Hasani ka shtuar se Serbia ka përjetuar rritje në peshën specifike në rajon qëkur ka nisur lufta në Ukrainë. “Vetëm Serbia është ajo që mund ta sjellë prezencën ruse e kineze”.

23:05

Hasani: Standard i papranueshëm, disiplinimi masiv i grevistëve

Jashtë çdo standardi është ndëshkimi kolektiv i grevistëve, ka thënë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, kur ka komentuar qëndrimin e së premtes të Qeverisë, që pagat të mos procesohen për grevistët.

Në Interaktiv të KTV-së, Hasani ka thënë se e drejta e ndëshkimit mund të vlejë për raste individuale kur bëhen shkelje, por jo disiplinim masiv.

“Është mënyrë e papranueshme në aspektin e standardeve ndërkombëtare për grevë. Kushtetuta jonë është e vetmja në rajon që nuk e përcakton shprehimisht të drejtën për grevë, por në mënyrë indirekte ne kemi internalizuar dokumentet kryesore ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut. Këto janë mbi ligjin. Standardet ndërkombëtare, me të cilat identifikohet lufta sindikale, janë pikërisht ‘lock-out’, ose disiplinimi me mënyrë administrative, financiare e kështu me radhë, në mënyrë individuale me shkelje ligjore nga dikush prej grevistëve, por jo disiplinimi administrativ masiv i grevistëve. Standard i papranueshëm”, ka thënë ai.

Hasani ka thënë se të gjithë kanë të drejtë të sfidojnë në drejtësi vendimin për ndalje të pagave.