2 perditesime
21:31

Çeku: UNESCO s’e ka ndërmend ta zgjidhë çështjen e Novobërdës, e kemi ne në dorë

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se UNESCO nuk e ka ndërmend ta zgjidhë çështjen e Kalasë së Novobërdës ku janë shkaktuar dëme nga një kompani serbe.

Çeku në emisionin “Sonte me Rronin” në KTV, të mërkurën, ka thënë se UNESCO ka mundur të ketë ndonjë përfitim nga Serbia, pasi e ka angazhuar atë kompani në Novobërdë, duke e dëmtuar kalanë.

“Çështja e Novobërdës është shumë e komplikuar edhe pse janë shumë palë të involvuara, UNESCO, BE-ja, ministria, etj, dhe për fat të keq është edhe Serbia palë përmes kompanisë Koto që ka bë dëme të pariparueshme. Komunikimi ynë me UNESCO-n ka qenë i përhershëm dhe kemi insistuar që UNESCO t’i ndërmarrë masat për t’i adresuar këto shkelje, por duket e ka bërë për një lloj balanci me Serbinë dhe serbët në Kosovë që e ka kontraktuar këtë kompani serbe. UNESCO nuk e ka ndërmend me e zgjidhë këtë çështje, prandaj inspektorati i trashëgimisë kulturore ka nxjerrë rekomandime për veprim, tash ne e kemi në dorë situatën”, tha ai.

Çeku ka thënë se do të ndërmerren veprime, dy prej të cilave i veçoi si më të rëndësishme. Tha se duhet të sanohet dëmi dhe të kthehet historia e Novobërdës nga narrativa që tenton t’ia japë Serbia.

“Duhet të pasojmë me veprime konkrete, sanim i dëmeve dhe ta zhvillojmë versionin tonë të historiografisë së Novobërdës. Ndërhyrjet nga kompania serbe nuk kanë qenë të dëmshme vetëm nga puna që është realizuar keq, por puna aty ka pasur për qëllim ta kthejë një narrativë mesjetare për historinë e Novobërdës që i bie me e afru me historiografinë serbe dhe një përpjekje e tyre për të thënë që këto janë të gjitha tonat”.

Kompania serbe Koto e kontraktuar nga UNESCO për riparime në Kalanë e Novobërdës, nga MKRS-ja akuzohet për punime joprofesionale gjatë restaurimit e konservimit të kalasë e po ashtu edhe për kontrabandim të materialit arkeologjik të këtij lokaliteti për në Serbi.

20:59

Çeku: Do ta pesëfishojmë mbështetjen për librin

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se kanë në plan që ta pesëfishojnë mbështetjen financiare për librin gjatë mandatit të tij.

Çeku ka thënë të mërkurën në “Sonte me Rronin” se kjo mbështetje nënkupton rreth 1 milionë euro vetëm për librin.

“Mbështetjen për libra për vitin e ardhshëm, në konsultim edhe me Shoqatën e Botuesve por edhe të tjerë do ta pesëfishojmë, do të shkojmë me rreth 1 milion euro. Të gjithë na kanë thënë se rreth një milion është një infuzion i fuqishëm për ta fuqizuar autorin dhe librin dhe këtë do ta bëjmë vitin e ardhshëm”, ka thënë Çeku.

Sipas tij, politika e re e librit do të jetë pjesë e Ligjit të ri të Kulturës dhe se fokusi do të jetë shumë më i madh te autori dhe botuesi.

20:43

Çeku: Vetëm projektimi i Teatrit të Operës dhe Baletit kushton 2.5 milionë euro

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se vetëm projektimi i Teatrit të Operës dhe Baletit kushton rreth 2.5 milionë euro.

I ftuar të mërkurën në emisionin Sonte me Rronin në KTV, Çeku ka thënë se ky buxhet është arritur të sigurohet me vendim të Qeverisë, për shkak se në ministrinë që drejton, nuk është gjetur një hapësirë e tillë buxhetore.

Ai ka njoftuar se shumë shpejt do të shpallet konkursi ndërkombëtar për projektimin e teatrit.

“Procedura e parë për ndërtimin e teatrit të Operës dhe Baletit ka qenë të kërkojmë nga Komuna e Prishtinës për të identifikuar një lokacion ku mund të ndërtohet ky teatër. Ne kemi insistuar në lokacion sa më qendror për shkak të rëndësisë së Operës dhe Baletit. Vetëm projektimi i një gjiganti si TOB-i sipas kalkulimeve tona kushton 2.5 milionë. Është siguruar edhe ky buxhet me vendim të qeverisë sepse nuk e kemi pasur në ministri atë hapësirë buxhetore dhe shumë shpejt shpallet konkursi ndërkombëtar për projektimin e teatrit. Kur të vijë projekti,. Hapen procedurat për ndërtimin dhe kjo vazhdon disa vite derisa të përfundojë”, ka thënë Çeku.

Derisa ka folur për punën 18-muajshe në krye të ministrisë, Çeku ka thënë se kur e ka nisur detyrën, ka gjetur 200 projekte kapitale të nisura, por jo të përfunduara.

Sipas tij, administratat e kaluara do të duhej të jepnin llogari për performancë të dobët, kur bëhet fjalë për këto projekte kapitale.

“Kur e kam nisur detyrën kam gjetur 200 projekte kapitale të nisura, të lëna në gjysmë, me shumë probleme që unë tashmë po i trajtoj një nga një, ose t’i mbylli dhe t’i përfundoj ose t’i anuloj fare aty ku nuk ka as projekt të duhur që atë projekt ta çojmë deri në fund. Në Ministrinë e Kulturës po ndodhë ajo që po ndodh në ministritë e tjera, p.sh 200 projekte kapitale të nisura e jo të përfunduara në formë të duhur. Si mundet që të kenë performancë kaq të dobët dhe në fund askush nga ajo administratë mos të japë kurrfarë llogarie për këto ngecje”, ka thënë ai.

Çeku ka folur edhe për Qendrën Kinematografike të Kosovës, për të cilën ka thënë se qëkur ka marrë drejtimin e ministrisë, buxheti i kësaj qendre është trefishuar.

“QKK-në e kam marrë me buxhet 700 mijë euro në vit, vitin e ardhshëm buxheti i QKK-së do të jetë 2 milionë euro, ne e kemi vënë targetin për ta arritur të paktën rajonin që ka rreth 5-6 milionë në vit”, ka thënë ai.