1 perditesime
Arbëri

Osmani takon Macronin dhe Scholzin: Mirënjohëse për përkrahjen e tyre

Osmani takon Macronin dhe Scholzin: Mirënjohëse për përkrahjen e tyre
19:46

Osmani takon Macronin dhe Scholzin: Mirënjohëse për përkrahjen e tyre

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të enjten, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Takimi është mbajtur në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Pragë.

Ajo është shprehur mirënjohëse për përkrahjen e dy liderëve si dhe për angazhimin e tyre sa i përket paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Mirënjohës presidentit Macron dhe kancelarit Scholz për takimin e sotëm përmbajtësor, për përkrahjen e tyre për Kosovën dhe angazhimin e tyre për paqe dhe stabilitet në rajonin tone”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Zyra e Presidencës ka njoftuar se gjatë këtij takimi është diskutuar për liberalizimin e vizave, si dhe për procesin e dialogut me Serbinë.

“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive në këtë proces dhe ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për përpjekjen e tyre për ta intensifikuar procesin e dialogut. Kosova është e interesuar në përmbylljen e dialogut sa më shpejt, me njohje të ndërsjellë, ruajtjen e integritetit territorial, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

09:48

Osmani takohet sot me Macronin e Scholzin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të takohet sot në Pragë me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron, kanë njoftuar burime për KOHËN. 

Osmani gjendet në Pragë për Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Ndër temat në takim do të jetë edhe çështja e dialogut Kosovë – Serbi.

Ajo në Pragë pritet të ketë takime edhe me zyrtarë tjerë të lartë.

Një takim me kancelarin gjerman Scholz e presidentin Macron e ka paralajmëruar të mërkurën mbrëma edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.