Arbëri

“Keqpërdorimet në të kaluarën” e frikësojnë shtetin të ngutet me izolim të shtëpive

 

“Historia e keqpërdorimeve ose mosfunksionimit të rregullt e institucioneve të efiçiencës në energji”, është një nga arsyet përse Qeveria e Kosovës ka vendosur të mos e përfshijë izolimin e shtëpive në mesin e masave të para që do t’i subvencionojë në luftën për të përballuar krizën energjetike që pritet të vijë gjatë dimrit.

Ndonëse një javë më parë u rekomandoi qytetarëve që, sipas mundësive, t’i izolojnë shtëpitë për dimrin që po vjen, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se kjo masë nuk do të subvencionohet nga shteti në mesin e pikave të para të pakos së subvencionimit për energji efikase. Në një konferencë për media të enjten, Rizvanolli ka thënë se sipas ekspertëve, izolimi do të mund të shkaktonte dëme nëpër shtëpi nëse s’bëhet siç duhet, por ka shtuar po ashtu se tendencat për keqpërdorime në të kaluarën shtyjnë shtetin të mos ngutet me këtë pikë.

Duke prezantuar masat e para, Rizvanolli ka thënë se po niset me skema për ngrohje pasi “është më lehtë e realizueshme nga ana administrative dhe kërkon më pak planifikim paraprak e ka më pak hapësirë për keqpërdorime”.