1 perditesime
23:34

Haxhimusa: Izolimi i shtëpive, i rëndësishëm, por vonë për këtë dimër

Adhurim Haxhimusa, njohës i sektorit të energjisë, deklaroi se izolimi i shtëpive do të ishte ndër masat që do të ruante rol në kursimin e energjisë dhe në tejkalimin e krizës së dimrit.

Ai tha në Interaktiv të KTV-së të enjten, se izolimi i shtëpive e redukton konsumin e energjisë dhe bën më pak shpenzime, por sipas tij, ky proces për sivjet është vonë të implementohet.

“Në njërën anë e redukton konsumin e energjisë, nëse ke përdor energjinë për ngrohjen, përdor më pak energji. E dyta, e ndihmon edhe familjen që deri më tani ka djegur 10 metra/kub dru për me u ngroh, tash i duhen 5 metra/kub dru. Efekti i saj nuk mbetet vetëm këtu”, deklaroi ai.

Sipas Haxhimusës, Kosova ka fabrika që prodhojnë fasadë, dyer dhe dritare, që kjo siç tha ai, pos lehtësimit për izolimin e shtëpive, do të mundësonte edhe gjenerimin e vendeve të reja të punës.

“Ajo punë duhet të kryhet nga njerëzit e Kosovës. Në çdo vend ku vuan sektori i ndërtimtarisë, dridhen edhe politikanët. Kemi para që sillet dhe qarkullon në ekonominë e vendit”, tha ai.

Sipas Haxhimusës, duhet të shmanget masivisht përdorimi i drurit për djegie. Sipas tij, djegia e drurit do të shkaktonte efekte të dëmshme për ambientin.

“Druri që tek ne përdoret për ngrohje, që prihet, është shumë i dëmshëm. Sa më pak të konsumohet druri. Efekti në ambient është më i lartë, sesa kur përdoret mazuti”, u shpreh.

Haxhimusa theksoi se masa e Qeverisë për subvencionim të energjisë, nuk do t’i prekin qytetarët e sferës së mesme apo të ulët.

“Të gjitha politikat në Kosovë nuk bazohen në informata apo të dhëna, është qëllim i mirë mirëpo jo edhe optimal. Nuk dihet se kush do të përfitojë, mund të ngjallë pakënaqësi kur shoh komshiun që ka kushte të mira, merr subvencionim pompë termike, ndërsa unë me një stufë, në një dhomë, shteti nuk ka mundësi të financojë ngrohjen time. Këto pakënaqësi nuk ka mundësi askush t’i eliminojë, vijnë si pasojë e mungesës së njohurive mbi gjendjen. Këto masa i targetojnë masat që ngrohen me energji elektrike. Nuk janë për të tjerët që ngrohen me forma të tjera”, tha ia.

23:25

Haxhimusa: Subvencionimi i energjisë me 6 mln €, një pikë uji në gur të nxehtë që avullohet shpejt

Eksperti i sektorit të energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka deklaruar se gjashtë milionë eurot e ndara nga Qeveria për subvencionim të qytetarëve që kursejnë energjinë elektrike, janë “një pikë uji në një gur të nxehtë, që avullon shumë shpejt”.

Megjithatë ai e ka cilësuar këtë hap si një ndër format më të mira për ta luftuar krizën energjetike.

Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, të enjten, Haxhimusa këtë vendim të Ministrisë së Ekonomisë për subvencionim të pajisjeve si kaldatë me biomasë, pompat termike, kondicionerët efiçientë e stufat individuale, tha se është një pilotprojekt për të parë se si reagojnë njerëzit.

“Energjia më e pastër është ajo që nuk konsumohet, kjo është një prej formave më të mira që mund të ndihmojmë dhe luftojmë këtë krizë energjetike që na ka kapluar kohët e fundit, e sa do të jetë kjo efektive mbetet të shihet, por patjetër që është një ndër format më të mira se si mund ta luftojmë krizën energjetike. Besoj që këta kanë dashur ta emërojnë këtë si lloj pilotprojekti për të parë se si reagojnë njerëzit. 6 milionë janë një pikë uji në një gurë të nxehtë që i bie se është shumë që avullohet shumë shpejt dhe nuk ka ndonjë lloj efekti për atë edhe po e quaj një lloj projekti”, ka thënë ai.

Në parim sipas tij, është hap i qëlluar, por mbetet për t’u parë se çfarë qëndron prapa detajeve të këtij vendimi.

Ai ka prezantuar një studim të asaj që është paraqitur të enjten, nga ministrja Artane Rizvanolli, për çka ka thënë se nëse kjo shumë që do të ndahet, investohet në pompa termike, i bie të përfitojnë 2400 familje dhe jo 10 mijë sa është thënë në konferencë.

Sipas tij, se sa do të jetë numri i familjeve që mund të përfitojnë nga kjo masë, varet edhe nga forma e shpërndarjes.

“I kam marrë disa numra dhe i kam shikuar se sa mund të jetë kursimi prej kësaj. Nëse supozojmë se e gjithë shuma prej 6 milionë eurove investohet në pompa termike, atëherë i bie që të bëhet një subvencionim prej 2500 euro, çmimi për njësi sillet rreth 8.333 euro ndërsa numri i familjeve që përfitojnë janë rreth 2400. Nëse e marrim dhe e shumëzojmë me numrin mesatar të anëtarëve të familjes që është në Kosovë, me 5.5 atëherë i bie që 13.200 qytetarë fitojnë nga kjo dhe kjo i bie diku 0.7 për qind e popullsisë. 2400 familje përfitojnë nga kjo, 10 mijë familje përfitojnë nëse e gjitha kjo sasi investohet në stufa individuale me dru ose kondicionerë, por kjo varet edhe se si bëhet shpërndarja”, ka thënë ai.