Importet nga Serbia bien në sasi e rriten në vlerë
Serbia mbetet shteti i parë prej vendeve të CEFTA-s prej nga importon më së shumti Kosova. Por, ndonëse importi është rritur në vlerë, ai ka rënë në sasi të mallit. Në nëntë muajt e këtij viti, Kosova ka importuar nga Shqipëria mallra në vlerë 56 milionë euro më pak sesa nga Serbia
Importet nga Serbia kanë rënë në sasi të mallit, por janë rritur në vlerë monetare, tregojnë statistikat e Doganës së Kosovës.
Ndonëse sivjet Kosova ka importuar 33 mijë tonë produkte më pak nga Serbia krahasuar me vitin e shkuar, për mallin që ka hyrë ka paguar afër 38 milionë euro më shumë.
Në shtator të vitit të shkuar, Kosova kishte importuar produkte serbe në peshë neto prej 58 mijë tonë, që në vlerë kishte kushtuar 23 milionë euro. E këtë shtator, ka importuar 6 mijë tonë më pak. Megjithëkëtë, vlera monetare e tij është 4 milionë më shumë.
Sipas të dhënave të nxjerra nga Dogana, për 9 muajt e këtij viti, në vlerë, Kosova ka importuar 19 për qind më shumë nga fqinji verior, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Importin më të shtrenjtë në vlerë e më të ulët në produkte e ka shpjeguar ekonomisti Visar Vokrri, i cili thotë se shkak është inflacioni.
“Edhe vitin e fundit, pavarësisht që në vlerë, pra si qarkullim i mallrave, neve na vije një rritje pak më e ndjeshme në krahasim me vitet paraprake, e kjo mund t’i atribuohet deri diku ose ndoshta edhe në masë të madhe edhe rritjes së çmimeve. Pra, vlera e mallrave të importuara, por edhe të eksportuara mund të jetë pak si reflektim edhe i ngritjes së çmimeve në këto dy vjetët e fundit”, ka thënë ai.
Asnjëherë prej fillimit të vitit, Kosova nuk ka importuar prej ndonjë vendi tjetër të CEFTA-s më shumë sesa prej Serbisë.
Shqipëria është e dyta, por bilanci tregtar me të dallon shumë me atë të Serbisë.
Nga shteti shqiptar Kosova ka importuar sivjet 171 milionë euro produkte apo 56 milionë më pak sesa nga shteti serb.
Sipas një raporti të publikuar të premten nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për muajin shtator, në përgjithësi, importi është rritur për 5.8 për qind më shumë se shtatorin e kaluar, e eksporti vetëm 1.9 për qind.
Veçanërisht me vendet e CEFTA-s ku tashmë kanë ngelur pothuajse vetëm vendet e Ballkanit Perëndimor, në muajin shtator 2022, importi ka arritur 85 milion euro sipas ASK-së, e eksporti në 28 milionë euro.
Për këtë, Vokrri thotë se shkaktare janë barrierat tregtare që Kosovës i vendosin vendet e CEFTA-s, e sidomos Shqipëria.
“Sistematikisht prodhuesit kosovarë në raport me konkurrencën vendore në vendet e CEFTA-s janë ballafaquar me barriera të ndryshme kurse të njëjtën gjë nuk mund ta them me importet”, ka deklaruar ai.
Sipas ASK-së, për muajin shtator, importet e Kosovës nga vendet e BE-së kanë qenë 193 milionë euro e me vendet e tjera të botës 199 milionë euro, që në vlerë totale nënkupton se importi në përgjithësi ishte 478 milionë.
Ndërkaq, eksporti për tërë muajin shtator ka qenë në vlerë 77 milionë euro. Sipas këtij raporti të ASK-së për tregtinë e jashtme, pjesën më të madhe të importit në Kosovës e përbëjnë produktet minerale, metalet dhe artikujt ushqimorë.