Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kohët e fundit po kërkojnë intensifikim të dialogut Kosovë-Serbi dhe përafrim të qëndrimeve nga të dyja palët.
Por njohës të rrethanave politike në vend thonë se nuk presin marrëveshje të shpejtë, madje as vitin tjetër. Madje ata thonë se Qeveria duhet konsultuar për këtë çështje me partitë opozitare në mënyrë që të mos të ketë telashe për çfarëdo lloj propozimi final për çështjen e dialogut.
Ish-këshilltari i ish-kryenegociatores, Edita Tahiri, Gazmir Raci në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se për Kosovën është e rëndësishme që në shtyrjen e këtij procesi përpara po merr pjesë edhe ShBA-ja.
Sipas tij, Kosova me ndihmën e ShBA-së dhe dy fuqive evropiane, Gjermanisë dhe Francës do ta përmbyllë një proces që është shumë i ndjeshëm për shkak të rrethanave gjeopolitike.
“Për shkak të rëndësisë së madhe unë nuk pres marrëveshje të shpejtë në takimin e radhës. Por pres që qëndrimet në mes dy delegacioneve të përafrohen edhe më shumë edhe pse qëndrimin e Serbisë tashmë e dimë publikisht. Ata janë shprehur kundër propozimit gjermano-francez. Ndihma amerikane është qenësore për fazën finale. Nëse Kosova arrin të jetë e angazhuar duke mbrojtur qëllimet e saj që nuk do të ketë prekje të rendit kushtetues, nuk do të ketë ndryshim të kufijve dhe nuk do të ketë ndryshim të sistemit qeverisës, për faktin që ne kemi dy nivele të qeverisjes, nivelin nacional dhe nivelin lokal. Andaj Kosova me ndihmën e ShBA-së dhe dy fuqive evropiane besoj se do t’ia dalë edhe kësaj faze për ta përmbyllur një proces që është shumë i ndjeshëm për shkak të rrethanave gjeopolitike”, tha Raci. “Unë pres së që Qeveria dhe kryeministri duhet të hapë debat edhe më të gjerë politik. Duhet konsultuar edhe faktori opozitar në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të mos kemi telashe të tjera për çfarëdo lloj propozimi final për çështjen e dialogut”.
Analisti politik, Shqiprim Pula tha se edhe në të kaluarën Kosova ka pasur disa non-paper që në përmbajtje kishte ide dhe propozime për t’i dhënë zgjidhje të statusit Kosovë-Serbi. Sa i përket dokumentit franko-gjerman, Pula theksoi se këto dy shtete nuk kanë deklaruar autorësinë mbi këtë dokument. Sipas tij, nga deklaratat që po vijnë nga zyrtarët shtetërorë serbë, duket se nuk do të ketë arritje të marrëveshjes përfundimtar këtë vit dhe as vitin tjetër.
“Edhe viti i ardhshëm mund të jetë po ashtu një vit që mund të jetë i përafrimit, por jo edhe i një përmbyllje përfundimtare, sepse të gjitha kërkesat e shtetit fqinjë, pretendimet e tij dhe madje edhe deklarimet publike karshi komunitetit serb në Kosovë e komplikojnë situatën”, tha Pula./EO