3 perditesime
10:43

Von der Leyen: BE-ja nuk është e plotë pa Kosovën

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se vendi i Kosovës është në Bashkimin Evropian, ndërkohë që ka siguruar se do ta mbështesë Kosovën në rrugëtimin drejt integrimit evropian.

Ajo ka thënë se Kosova ka shënuar progres të madh dhe përkushtim në rrugëtimin evropian.

“Vendi i Kosovës është në Bashkim Evropian, jam e bindur për këtë, dhe këtë po e dëshmoni për çdo ditë. Evropa nuk është e plotë pa Kosovën. BE-ja është i përkushtuar në procesin e zgjerimit dhe do t’ju mbështesim aq sa mundemi për t’ju bashkuar BE-së”, ka deklaruar ajo në një konferencë për media me presidenten Vjosa Osmani të enjten në Prishtinë.

Von der Leyen ka theksuar se janë plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, ndërsa ka deklaruar se duhet të bindet Këshilli Evropian.

“Ju kam dëgjuar qartë për aspektin e liberalizimit të vizave dhe dijeni se keni një aleat dhe mua personalisht. Kosova e meriton liberalizimin e vizave, e di sa e rëndësishme është kjo për ju. I keni përmbushur të gjitha standardet. Ishte vlerësim i joni që kjo të bëhet në korrik, tanimë e kemi konfirmuar se i keni plotësuar të gjitha kriteret. Detyra jonë është të bindim tërë Këshillin Evropian. Mund të llogarisni te ne në Komision sepse ne do të bëjmë gjithçka për t’ju ndihmuar në rrugëtimin tuaj”, ka shtuar ajo.

Von der Leyen ka njoftuar mbi përfitimet e Kosovës nga BE-ja për mbështetje ekonomike.

“Tani mund të keni nevojë për mbështetje financiare buxhetore kështu që ne do t’ju japim garant prej 75 milionë eurove për të mbështetur menjëherë bizneset dhe ekonomitë familjare. Do të përfundojmë të gjitha procedurat deri në fund të vitit ashtu që në janar të keni financimin në buxhetin tuaj. E kemi edhe një investim në grante, janë 500 milionë për rajonin, për mbështetje drejt pavarësisë energjetike dhe kjo është investimi në energji të ripërtëritshme”.

10:33

Osmani kërkon veprime konkrete nga BE-ja për integrim të vendeve demokratike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se vizita e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen konfirmon edhe njëherë përkushtimin e KE-së ndaj Kosovës dhe rajonit.

Ajo ka thënë se është vendimtare që Bashkimi Evropian t’i qëndrojë pranë Kosovës në përballje me krizat që të gjithë po ballafaqohen.

Osmani ka thënë se me bashkëpunim do të identifikojnë krizat në rritjen e çmimeve.

“Ka ardhur koha që BE-ja të marrë veprime konkrete drejt integrimit të vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor. Kjo është natyrisht për vendet që duan të bëjnë hapa serioz drejt integrimit në BE. Ne duhet të kërkojmë mbështetje nga të gjitha strukturat e BE-së. Edhe pse ne radhitemi të parët në Evropë dhe të dytët në botë sa i përket reformave në sundimin e ligjit, qytetarët e Kosovës mbesin të izoluar në zemër të Evropës”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se përkundër plotësimit të të gjitha kritereve ende nuk ka ndodhur liberalizimi i vizave.

Ajo ka thënë se shpresojnë shumë që thirrja e Komisionit Evropian të plotësohet nga të gjitha shtetet anëtare.

Sipas saj, Kosova është serioze në aspiratat e saj euroatlantike e po ashtu serioze në veprimet që i merr në këtë drejtim.

“Raporti i Progresit që është më i mirë për Kosovën deri tani, është dëshmi që populli i Kosovës është i përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe sundimit të ligjit. Ne e kuptojmë rëndësinë e madhe që të kemi mbështetjen e aleatëve. Lufta e paprovokuar e Rusisë ka shkaktuar destabilitet. Neve na brengosin gjithashtu edhe veprimet destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve të saj në rajonin tonë”, ka thënë ajo.

09:23

Nis takimi Osmani – Von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo ka mbërritur në Prishtinë nga Maqedonia e Veriut pas takimeve që ka zhvilluar atje në kuadër te turneut të vizitave në Ballkanin Perëndimor.

Presidentja e Komisionit Evropian do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas Kosovës, ajo do të vizitojë edhe Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi.

08:43

Ursula von der Leyen viziton Kosovën, takon Osmanin e Kurtin

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të qëndrojë sot, e enjte, për vizitë zyrtare në Kosovë. Vizita zhvillohet në kuadër të turneut të saj në Ballkanin Perëndimor.

Ajo me këtë rast do të takohet me presidenten Vjosa Osmani. Pas takimit Von der Leyen dhe Osmani do të mbajnë konferencë për media.

Presidentja e Komisionit Evropian do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti, si dhe do të vizitojë projektin e financuar nga Bashkimi Evropian për efiçiencën e energjisë, së bashku me Kurtin.

Gjatë vizitës së Von der Leyenit do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa rrugë. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për shkak të vizitës njëditore të presidentes së Komisionit Evropian, në disa segmente rrugore do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të automjeteve. Në njoftimin për media thuhet se policia gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit në Kosovë. Policia ka kërkuar mirëkuptim të plotë nga qytetarët dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik, për këto ndërprerje të shkurtra të trafikut, e cilat thuhet se bëhen për shkaqe operacionale.