5 perditesime
21:01

Hasani: Kosova e Serbia të merren vesh për gjithçka ose për asgjë

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, konsideron se Kosova e Serbia duhet të merren vesh për gjithçka ose të mos merren vesh fare.

Sipas tij, një akt i njohjes së ndërsjellë duhet të përmbajë nenet që parasheh njohjen reciproke të dy shteteve, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe pastaj çështjet e tjera.

“Ose të merren vesh për gjithçka ose për asgjë. Kjo i bie t’i thuash ne mund të krijojmë vitalitet, t’i akomodojmë serbët lokalë. Më pastaj të dilet me propozime të prekshme. Duhet të hapësh rrugë për pakënaqësinë e serbëve lokalë. Nuk është domosdoshme të akomodosh Vuçiqin, i akomodon miqtë tanë ndërkombëtarë”, është shprehur Hasani.

 

20:49

Hasani për planin franko-gjerman: Është trashje e problemit Kosovë-Serbi

Plani franko-gjerman në disa dispozita e reprodukton marrëveshjen e dy Gjermanive të vitit 1971, ka thënë të enjten në “Desku” të KTV-së, Enver Hasani, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare.

Sipas Hasanit, ky plan vetëm do ta shtynte problemin mes Kosovës e Serbisë pa krijuar zgjidhje të përhershme.

“Ai plan në disa dispozita e reprodukton marrëveshjen e dy Gjermanive të vitit 71. Është krejt i ngjashëm me të. Parimet bazë janë, titulli disa dispozita dhe ideja më e shëmtuar aty është se kanë rezervë dy shtetet, Gjermania e atëhershme lindore për shtetësi, kurse Gjermania perëndimore sa i përket dispozitat kushtetuese për bashkim, që i ka edhe Serbia, që i bie efektivisht që Gjermania federale është Serbia, dhe ne jemi Gjermania lindore, efektivisht ashtu i bie. Jam shumë i sigurt që ajo marrëveshje ka qenë hap për t’i shtyrë proceset për 10 vjet të tjera dhe për ta transformuar konfliktin e ngrirë Kosovë-Serbi. Kjo marrëdhënie mes Serbisë dhe Kosovës në vend se të zgjidhet po shkon duke u ngrirë sepse kjo veç e transformon atë. Formohen struktura të reja prej Asociacionit e poshtë dhe krijohet një realitet tjetër implementues i cili pas 10 vjetësh duhet ta vësh pikën në të dhe të thuash se çka je ti. Është shtyrje e problemit, nuk është zgjidhje. Është një trashje e problemit”, ka thënë Hasani.

Ai ka thënë që për ta njohur Serbia Kosovën, duhet ta ketë një zhvendosje të madhe tektonike të rendit ndërkombëtar aktual, i cili siç ka thënë, e vë Serbinë në pozitë afërsisht të njëjtë siç e ka vënë në vitin 99.

 

20:41

Hasani: Vuçiqi organizoi takimin Thaçi-Putin për shkëmbim territoresh

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se ideja për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë ka ardhur nga palët në terren, përfshirë edhe takimin e ish-kryeministrit, Hashim Thaçi me presidentin rus, Vladimir Putin.

Sipas Hasani, takimin Thaçi-Putin e ka organizuar presidenti serb, Aleksandër Vuçiq përmes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

“Hashimi përmes Edi Ramës është futur në atë lojë. Unë i besoj më shumë zyrtarëve amerikanë të asaj kohe që e kanë thënë me gojë dhe me shkrim se ideja ka ardhur prej palëve në terren përfshirë edhe takimin me Putinin. Arsyeja pse ka ndodhur ajo është se disa vite s’ka pasur asgjë dhe hajde ta provojmë edhe këtë ide. Ideja për shkëmbim të territorit ka qenë e Vuçiqit përmes Ramës, ka thënë ta provoj këtë, dhe e ka involvuar Vuçiqi Putinin. Pse kam arsye të mos besoj se ka qenë blof për t’i delegjitimuar disa politikanë këtu, në radhë të parë Hashimin. Nuk ka qenë projekt serioz. Nuk shoh se bëhet fjalë për ndarje por për krijim të një entiteti legal brenda strukturave juridike të Kosovës, i cili do të përdorej për ta drejtuar Kosovën në drejtim të caktuar”, ka deklaruar Hasani të enjten mbrëma në “Desku” të KTV-së.

 

20:25

Hasani për “Draftin” për Asociacionin: I njëjtë me Kushtetutën e “Srpskas” në Bosnjë

Enver Hasani, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, ka thënë se “Drafti” gjerman për Asociacionin i cili ka rrjedhur në media ditë më parë, është i njëjtë me Kushtetutën e “Republika Srpska” në Bosnjë e Hercegovinë.

Hasani ka thënë se më shumë se 80 për qind e draftit është i ngjashëm me atë Kushtetutë.

“Drafti që është i besueshëm, po të analizohet dhe shikohet me Kushtetutën e Republika Srpska dhe heqja ushtrinë dhe çështjet që kanë të bëjnë me ushtrinë, 80 për qind edhe më shumë është e njëjtë me Kushtetutën e Republika ‘Srspka’ në Bosnjë. Këtu ka dy probleme. Në pjesën e përgjithshme, për të qenë ashtu siç po na thonë duhet të thonë neni 1: Asociacioni i komunave me shumicë është asociacion i cili ka për qëllim koordinimin e punëve të komunave-nuk ka autorizime nga e drejta publike, konform aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai siç është nuk mund të akomodohet brenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Në publik garancionet që jepen, thotë nuk preket sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial. Kjo nuk mjafton, sepse ky draft, sovranitetin dhe integritetin se prek formalisht. Por ti mund të jesh sovran dhe të mos jesh i pavarur. Vendet baltike kanë qenë vende sovrane, Polonia ka qenë e tillë, Bosnja ka qenë ashtu gjatë luftës por s’ka qenë e pavarur në ushtrimin e juridiksionit”, ka sqaruar Hasani të enjten në “Desku” të KTV-së.

Sipas tij, gabimin më të madh të gjitha qeveritë e kaluara e kanë bërë që s’kanë zhvilluar debat publik për Asociacionin.

“E para, shteti i Kosovës me të e humb karakterin e vet unitar. E dyta, asnjë punë më serbët lokalë me qeverinë qendrore - pushtet qendror nuk e kanë. Shtetësinë e kanë të Serbisë dhe këto të tjerat janë të integruara aty në mënyrë graduale. Mosdefinimi i Asociacionit në marrëveshje të Brukselit, lë të kuptohet se ka një synim permanent që të krijohet një strukturë e ndarë tërësisht prej pushtetit qendror. Asociacioni është autonomi regjionale pa asnjë dyshim. Sepse selia thotë përcaktohet më vonë. Por më pas nuk është me rëndësi selia se ku është”, ka thënë Hasani.

 

20:19

Hasani: Sovranizimi i çështjes së targave ishte gabim

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se sovranizimi i çështjes së targave ka qenë gabim.

Sipas tij, në momentin që është kërkuar nga ndërkombëtarët që të bëhet shtyrja e zbatimit të vendimit lidhur me targat ilegale serbe, kjo është dashur të ndodhë jo për shkak të serbëve, por për hir të miqve ndërkombëtarë.

“Janë dy çështje këtu: në variantet që kanë qarkulluar jo tani por më herët, gjithmonë është folur dhe flitet për dy versione: Asociacioni dhe plus autonomia e veriut. Serbia kërkon autonomi për katër komunat përtej asociacionit. Ka plotë struktura të tjera që sot nuk janë tërhequr në jug të lumit Ibër. Mendoj që shkasi i tabelave ka qenë nga ana e tyre i qëlluar sepse mendoj se ka qenë gabim që të sovranizohet çështja e tabelave. Kërkoi krejt bota t’i shtyjë, shtyjë. Ti kur nuk pranon me shty, duhet t’i tregosh qytetarit cila është arsyeja pse nuk shtyhet. Ka qenë gabim sepse i ka dhënë një shkas për të filluar një proces, sepse kjo tash nuk mund të shpjegohet me terma juridikë. Nuk është puna të lëshohet pe, por të pranohet jo për shkak të serbëve, por për shkak të atyre që ndërmjetësojnë, sepse ajo është esenca e ndërmjetësimit dhe kjo tregon vullnetin e mirë për të mos i ikur dialogut”, ka thënë Hasani në “Desku” të KTV-së të enjten.

 

20:16

Hasani: S’ka tendencë për shkëputjen e veriut nga Kosova

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se nuk ka tendencë për ndarjen apo shkëputjen e veriut të Kosovës.

Hasani të enjten në emisionin “Desku” të KTV-së, ka thënë se qëllimi i serbëve është që krijohet një ndikim në veri të Kosovës, në mënyrë që më pas të mund të ndikohet në paralizimin e strukturave qendrore të pushtetit të Kosovës.

“Është vështirë të shpjegohet realiteti i ri i krijuar në veri me terma juridik kushtetues por vetëm në terma politik. Mënyra se si ka ndodhur ajo është frikësuese pasi shihet një homogjenizim i serbëve lokalë mbi baza të njëjta, esencialisht siç ka qenë në atë kohën pak para se me rrënu strukturat e asaj që quhej atëherë, autonomi. Kjo nuk është tendencë për shkëputje ose ndarjen e veriut, por është synim i qartë për të krijuar një vlerë ndikimi në veri të Kosovës, në mënyrë që pastaj të ndikohet në paralizimin e strukturave qendrore të pushtetit në Kosovë. Ky është shqetësimi më i madh”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, problem tjetër me veriun aktualisht është çështja e sigurisë.

“Unë besoj shumë që dhuna në shkallë të lartë nuk mund të vijë për shumë arsye që janë të dukshme, por që dhuna sporadike me një qëllim të caktuar, radikalizimi i mëtejmë dhe kompromentimi i pushtetit qendror në Kosovë mund të ndodhë, sepse është shumë e lehtë të besohet se mund të ketë sulme edhe ndaj pranisë ndërkombëtare në atë pjesë të Kosovës. Serbët atje përbëjnë një shumicë homogjene dhe kanë prapa kufirin e shtetit serb. Gjendja se si ka ardhur deri te pezullimi i pushtetit, përveç që është e keqe për Kosovën, imazhin e saj, është e keqe edhe për serbët lokalë, sepse në gjykatat në veri janë dosjet e krimit që kanë qenë në proces e sipër”, është shprehur Hasani.

Ai ka shtuar se problemi pse po ndodh kjo në veri, nuk qëndron te targat ashtu siç pretendohet, por tek Asociacioni në rend të parë.