Presidentja Vjosa Osmani ka takuar kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, me të cilin diskutoi avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Ajo ka shprehur mirënjohje për Austrinë për mbështetjen ndaj Kosovës dhe për kujdesin ndaj popullit të Kosovës, në veçanti ndaj arsimit të të rinjve.
“Populli i Kosovës nuk mund ta harrojë mbështetjen që Austria ua dha të rinjve tanë, duke i njohur diplomat e institucioneve tona të arsimit gjatë periudhës së okupimit, duke u krijuar atyre mundësi të shkëlqyera që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të kontribuojnë më pas për vendin e tyre. Sot shumë sish janë pjesë e rëndësishme e institucioneve tona”, theksoi Osmani, njoftoi ZPRK.
Sobotka ka rikonfirmuar vazhdimin e përkrahjes së Austrisë ndaj synimeve të Kosovës për procesin e liberalizimit, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Ndërkaq, sa i përket dialogut me Serbinë, Osmani tha se ky proces duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke dhe ta ruajë pacenueshmërinë e sovranitetit dhe të rendit kushtetues të Kosovës.
Sobotka theksoi gatishmërinë e Austrisë për bashkëpunim të mëtejmë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.