6 perditesime
21:24

Peci për marrëveshjet e Berlinit: Serbia u kërcënua nga një shtet i fuqishëm evropian për Kosovën

Drejtori ekzekutiv i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka deklaruar se Serbia është kërcënuar nga një shtet i fuqishëm evropian në lidhje me Kosovën, për t’i nënshkruar tri marrëveshjet e fundit në kuadër të Procesit të Berlinit.

Peci ka thënë se nën këtë kërcënim Serbia i ka nënshkruar këto marrëveshje.

“Me sa e di unë ka pasur edhe kërcënime, një presion që i është bërë Serbisë ndaj Kosovës në lidhje me marrëveshjen e Berlinit, ku një shtet i fuqishëm evropian i ka thënë lirisht mund të shkosh me Rusinë dhe Kinën. Në kuptimin që nëse nuk e nënshkruan marrëveshjen e procesit të Berlinit mund të shkosh me Kinën dhe Rusinë”, ka thënë ai.

Peci më tej ka theksuar se bashkëpunimi i Serbisë me Rusinë mund të vazhdojë për aq kohë sa nuk i dëmton interesat e Perëndimit.

“Derisa ky bashkëpunim i Serbisë me Rusinë nuk i dëmton interesat e Perëndimit, ata do ta tolerojnë. Në momentin kur ky bashkëpunim i dëmton interesat e tyre, jam i bindur që Rusia do të përballet me sanksione”, ka shtuar ai.

Për integrimin e saj në BE, Peci ka thënë se Serbia do të detyrohet ta njohë Kosovën nëse mendon të ecën në atë drejtim.

“Serbia do të detyrohet ta njohë Kosovën vetëm nëse dëshiron të hyjë në BE. Procesi i njohjes nga pesë vendet tjera të BE-së nuk do të jetë automatikisht me arritjen e marrëveshjes por ndoshta do të marrin edhe pak kohë. Nëse këto vende na njohin, njohja nga Serbia do të jetë problem për të jo për Kosovën sepse Kosova do ta ketë rrugën e hapur për integrim në BE, në NATO”, ka thënë ai.

Duke folur për marrëveshjen finale me Serbië, Peci tha se autonomia e veriut do të ishte më e rrezikshme se Asociacioni, e sipas tij, një asociacion i tillë nuk është “aq i rrezikshëm”.

Autonomia e veriut do të ishte më e rrezikshme se Asociacioni. Serbia ka kërkuar Asociacion vetëm për veri, jo për komunat e tjera. Ky propozim nuk është pranuar nga pala kosovare. Është kërkuar që Asociacioni të jetë në të gjitha komunat, që të mos krijohet në një vend ku ka kompaktësi territoriale. Asociacioni sot nuk ka shanse teorike të krijojë ndonjë autonomi territoriale dhe të shkojë drejt bashkimit me Serbinë. Nuk shoh rrezik të madh te kjo, vet mungesa që nuk është kompakte në aspekt territorial, është avantazh i joni”, u shpreh Peci.

Sipas tij, Kosova duhet të angazhojë ekspertë të njohur për negociatat, në mënyrë që në dialog me Serbinë të ketë narrativë dhe të shtyjë agjenda.

“Paralelisht në procesin e negociatave, të ndërtojmë narrativë të ri për këtë proces dhe diplomacia jonë të ketë narrativë dhe të kalojë në ofensive diplomatike. S’mund diplomacia pa e pasur narrativen për të shtyrë agjendën. Qeveria t’i japë status special ambasadës sonë në SHBA edhe konsullatës së përgjithshme. Ambasada është pa resurse të nevojshme, s’ka fonde dhe njerëz. Duhet të angazhohen edhe kompani lobuese që do të punojnë për interesa tona”.

 

21:15

Spahiu pret përshpejtim të procesit të dialogut

Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, pas zhvillimeve të fundit sa i përket negociatave midis Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se pret përshpejtim të procesit të dialogut.

Sipas tij, ka optimizëm nga partnerët ndërkombëtarë të përfshirë në këtë proces se do të ketë diçka konkrete së shpejti.

“Ka pasur optimizëm nga SHBA-ja dhe BE-ja që do të ketë diçka konkrete, madje përmendeshin edhe afate të shkurtra në këtë aspekt. Tani besoj se do të përshpejtohet procesi”, ka thënë ai.

Spahiu është deklaruar edhe rreth qëndrimit të Serbisë karshi luftës ruse në Ukrainë, për çka ka thënë se do të vijë një moment kur çështja e luftës do të sqarohet dhe ky vend fqinj do të duhet të bëjë zgjedhje midis Rusisë dhe Perëndimit.

“Nëse vazhdon Serbia me këtë mënyrë të bëjë politikë dhe diplomaci duke u ulur në dy karrige dhe duke mos lëshuar pe, sepse në njëfarë mënyre është ledhatuar nga BE-ja, mendoj se do të ketë një moment kur gjërat do të sqarohen me çështjen e luftës në Ukrainë dhe atëherë Serbia do të bëjë zgjedhje të qarta se nga do të shkojë dhe do të detyrohet që të ketë edhe ndryshime në qasjen e saj të përgjithshme, e sidomos në çështjen e Kosovës”, ka thënë ai.

Diplomati kosovar ka shtuar se edhe pse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq vazhdimisht thotë se është në presion për këtë çështje, nuk po shihen pasoja.

“Vuçiq vazhdimisht e thekson se është në presion, por nuk ka pasur pasoja. Serbia me këmbëngulje ka qëndruar në pozicionet e veta në raport me Rusinë. Në qoftë se ndodhin kthesa në front të luftës, Serbia do të jetë e detyruar ta bëjë zgjedhjen e qartë në këtë aspekt”, ka theksuar ai.

20:59

Peci: Serbia në sandviç, presioni do t’i rritet

Drejtori ekzekutiv i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka deklaruar se me riformatimin e procesit të dialogut, Serbia gjendet në sandviç dhe më s’do të ketë hapësirë për aventura. Ai ka thënë emisionin “Desku” në KTV të enjten se presioni ndaj Serbisë do të rritet dhe se duhet ta mendojë një mënyrë për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

“Serbia është futur në sandviç të fortë me këtë procesin e riformatimit të dialogut. Më s’do të ketë luksin të bëjë aventura, presioni mbi Serbinë do të rritet shumë. Kur të rritet presioni për kthimin në institucione, njëjtë pavarësisht çfarë thotë Kurti, do të kërkohet një zgjidhje për kthimin e tyre brenda institucioneve”, ka thënë Peci.

Sipas tij, veri i Kosovës është nën kontrollin e UDB-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

“Serbët e kanë ndryshuar strategjinë dhe po tentojnë ta harrojnë këtë brigadën e veriut. I janë kthyer strategjisë së protestave paqësore. Një imitim i dobët i protestave tona që i kemi bërë gjatë viteve të 90-ta. Ne po bisedojmë sikur presioni të jetë mbi ne, por presioni është i madh edhe në Serbi. Ky formacion paramilitar s’mund të veprojë edhe pa Vuçiqin. Nëse veprojnë, do të pësojnë më së keqi edhe nga Vuçiqi. SHBA-ja dhe BE-ja e dinë shumë mirë këtë”, ka deklaruar ai.

Peci ka shtuar se aparati serb duhet të largohet plotësisht nga Kosova, në të kundërtën, sipas tij, marrëveshja s’do të jetë e qëndrueshme.

Spahiu: Kosova ta kërkojë ndihmën e amerikanëve

Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, deklaroi se për çështjet dhe vendimet e ardhshme, Kosova duhet të kërkojë ndihmën e amerikanëve. Ai u shpreh se lehtësia e marrjes së vendimeve politike, nganjëherë nuk është shumë e duhur.

“Është dashur të pyetet se çështja e targave a duhet të bëhet çështje madhore politike dhe kemi lehtësinë që kemi pranuar një zgjidhje që nuk e shoh ndryshe nga ajo që ka ekzistuar. A mund të kthehen apo jo në mënyrë ligjore serbët në institucionet. Duhet një zgjidhje, shpresoj që në këtë aspekt të kemi ndihmën e amerikanëve se si duhet vepruar. Kishim një situatë që do të mund të merrte një kahe tjetër, por duke nxituar në qëndrimet tona, krijuam disa pasoja. U përmbyllëm në një formë pozitive, por duhet të kemi kujdes për hir të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, Qeveria aktuale ka bërë veprime pozitive për trajtimin e disa temave në procesin e dialogut me Serbinë.

20:46

Peci: S’mund të ëndërrojmë që pa temën e Asociacionit të arrijmë marrëveshje me Serbinë

Drejtori ekzekutiv i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka thënë se Kosova nuk mund të arrijë marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, pa e hapur temën e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në emisionin “Desku” në KTV, Peci ka thënë të enjten se marrëveshja e fundit e arritur të mërkurën midis palëve në Bruksel për targat, e thotë qartë se Kosova dhe Serbia janë pajtuar t’i zbatojnë marrëveshjet e kaluara, në të cilat përfshihet edhe formimi i Asociacionit.

“Asociacioni do të hapet si temë, në këtë dakordim është pajtuar që të hapet, si do të rregullohet ligjërisht pastaj unë nuk e di, duhet të bëhet me një ligj special. Teksti thotë qartë që palët janë pajtuar t’i zbatojnë marrëveshjet e kaluara. Për njohurinë e opinionit publik edhe korniza franko-gjermane, cek në mënyrë decidive që palët do t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara. Çmimi për këtë pako për të cilat jemi pajtuar të gjitha palët është pikërisht hapja e kësaj teme në negociata dhe ne nuk duhet ta ëndërrojmë që pa e hapur temën e Asociacionit do të mund të arrijmë marrëveshje me Serbinë”, është shprehur ai.

20:41

Spahiu: Kosova testoi bashkësinë ndërkombëtare, sidomos SHBA-në

Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, ka vlerësuar se Kosova me vendimin për refuzim të propozimit të bashkësisë ndërkombëtare për ta shtyrë afatin për targat, ka testuar partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I ftuar në emisionin “Desku” në KTV, Spahiu ka thënë se me marrëveshjen e fundit midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është krijuar kthesë në procesin e dialogut dhe tani ka gjëra konkrete për të cilat do të bisedohet.

“Kemi mundur shumë thjeshtë të pranojmë sugjerimin amerikan për 10 muaj, të mbeten gjërat siç janë për 10 muaj aq më tepër që SHBA-ja premtonte që brenda kësaj kohe do të gjendej një zgjidhje për normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve. Tani ishim të detyruar që ta pranojmë këtë vendim që është marrë, këtë marrëveshje, por që tani po përpiqemi të krijojmë të paraqesim veten si ata që kishim të drejtë dhe ta falënderojmë Amerikën se ishte me ne në këtë çështje. Fakti është që ne e testuam bashkësinë ndërkombëtare, sidomos SHBA-në, për një kohë duke refuzuar propozimin e saj. Nuk ka pasur një kthesë apo rezultat të vërtetë në aspektin e targave, por është krijuar një kthesë në procesin e dialogut dhe tani kemi diçka konkrete për të cilën do të bisedojmë”, është shprehur ai.

Sipas Spahiut, qeveritë e Kosovës edhe në të kaluarën nuk e kanë dëgjuar SHBA-në dhe i janë shmangur propozimeve të saj, ndonëse njihet si partner kryesor.

“Kemi pasur një vazhdimësi të mosdëgjesës me SHBA-në si partner, jo vetëm kjo Qeveri, por edhe të tjerat i janë shmangur propozimeve të SHBA-së si partner kryesor. Sot në botë nuk ka pavarësi totale për asnjë shtet. SHBA-ja vazhdon të jetë partneri kryesor i Kosovës dhe na duhet ndihma e aj ta konsolidojmë shtetin tonë. Ka disa shenja që nganjëherë janë për t’u shqetësuar. SHBA-ja tani po krijon partneritet me vendet tjera të Ballkanit si Maqedonia, kurse Kosovën po e lë anash. Raportet me SHBA-në duhet të vijnë në binarët siç kanë qenë më parë”, është shprehur ai.

20:32

Peci: Me marrëveshjen për targat, Kosovës i doli veriu nga kontrolli

Drejtori ekzekutiv i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka deklaruar se me marrëveshjen për targat, Kosova ka humbur kontrollin në veri dhe sipas tij, kjo marrëveshje, ishte në planet e kahershme të Serbisë.

“Çmimin të cilin Kosova vet ia ka bërë vetes është që veriu na ka dalë prej kontrollit. Aty nuk funksionojnë de-facto institucionet e Kosovës, gjykatat, nuk funksionojnë komunat. Është prezentë Policia e Kosovës, mirëpo kur de-facto veriun e kemi të dalë prej dorës, kjo e vë Kosovën në një pozitë jo të lakmueshme negociatore”

Ai ka thënë se aktualisht shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, po e luan rolin e arbitrit dhe se mund t’i ndërpresë negociatat.

“Nëse e lexojmë dakordimin, e shohim që Borrelli jo vetëm që ka rolin e mediatorit, por po kalon në rolin e arbitrit. E ka të drejtën t’i ndërpresë negociatat, nëse njëra palë nuk është konstruktive. Si po duket, procesi do të dizajnohet në stilin e Rambouilletit apo të negociatave në Vjenë. Palët do të propozojnë, por BE-ja do të vijë me SHBA-në me propozimin ‘take it or leave it (merre ose lëre)’”, tha Peci.

Ai është shpreh se ende nuk është qartësuar se a do zëvendësohen policët dhe zyrtarët e tjerë serbë që dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në veri.

“Ka qenë një propozim i BE-së që të shtyhet zbatimi i vendimit për një vit, por ai të bëhet në atë mënyrë që brenda këtij viti, Serbia të mos regjistrojë vetura me targa ilegale. Dhe gjatë kësaj periudhe, qytetarët atje t’i ndërrojnë targat në legale”, shtoi ai.

20:29

Spahiu: Marrëveshja për targat, moment i ri për marrëveshjen finale

Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, ka deklaruar në emisionin “Desku” në KTV se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për targat është moment i ri për arritjen e marrëveshjes finale.

Ai ka thënë të enjten se marrëveshja e arritur të mërkurën mbrëma në Bruksel, e ka shtendosur situatën dhe u ka dhënë palëve mundësinë t’i flasin çështjet e tjera.

“Kjo arriti në një epilog që shënon një shtendosje. Çështja tani ka një momentum të ri në procesin e bisedimeve, po flitet për një dokument që do të punohet dhe është propozimi franko-gjerman, një marrëveshje që do t’i normalizonte raportet e dy vendeve. Marrëveshja, për mua është pak e vështirë të kuptohet se çfarë ka ndryshuar. Kjo marrëveshje i jep kthesë procesit të dialogut”, ka deklaruar Spahiu.

Sipas tij, duhet parë më tutje se si do të ecin çështjet, ndërsa ka theksuar se duhet të shihet a ka plan konkret të Bashkimit Evropian që i hapë rrugë mundësisë për normalizim të plotë.