Njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Anton Çettës, Riza Krasniqi, ka thënë se figura e Çettës e ka vendin aty ku është vendosur të hënën shtatorja e tij, në oborrin e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës.
Sipas tij, Çetta ka dhënë kontribut kombëtar dhe jo fetar, andaj vendi i shtatores së tij nuk është as në kishë e as në xhami.
“Figurat kombëtare nuk e kanë vendin as në oborr të kishës e as të xhamisë. Anton Çetta nuk ka dhënë kontribut fetar, por kombëtar, prandaj ai e ka vendin aty ku është tani. Mendojmë se duhet të zgjerohet dhe të bëhet memorial, sepse ka familje që kanë falur dhe heronj janë ata që kanë falur”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, në Shqipëri nuk vlerësohet mjaftueshëm figura e Çettës, pasi atje mungon mendësia e tij e faljes dhe pajtimit.
“Fatkeqësisht në Shqipëri nuk vlerësohet figura e Çettës aq sa duhet. Mendësia e tij për të falur dhe pajtuar mungon në Shqipëri. Mendësia e profesor Antonit sot na duhet më shumë se kurrë. Për mendësinë e tij, kjo çfarë ndodhë sot është e pashpjegueshme”, është shprehur më tej ai.
Shtatorja e Çettës, e cila qëndroi për katër vjet e mbyllur, u përurua të hënën më 28 nëntor në Fakultetin Filologjik të UP-së.
Krasniqi ka thënë se shkaqet e vonesës së ngritjes së shtatores së tij janë të palogjikshme.
“Nuk e di pse zgjati kaq shumë sepse të gjitha shkaqet janë të palogjikshme. Po të thuhej më parë se do të duhej 20 vjet pas lirisë të presim që t’i ngrihet shtatorja Anton Çettës, nuk do ta kishim besuar”, ka thënë ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.