Arbëri

Gazeta zvicerane “NZZ am Sonntag” atakon ulët Xhakën dhe spekulon se Adem Jashari është vrarë nga UÇK

Foto: Associated Press/AP
 

Në një tekst me plot manipulime dhe akuza të pabaza edicioni i së dielës i gazetës “NZZ” akuzon Granit Xhakën se i ka provokuar serbët.

Lidhur me masakrën e forcave serbe ndaj familjes së Adem Jasharit faktet tashmë janë të ditura. Më 5 mars 1998 forcat serbe rrethuan shtëpinë e tij në fshatin Prekaz dhe filluan një sulm me armë të rënda. Gjatë rreth 50 orëve sa zgjati sulmi forcat serbe vranë 52 anëtarë të familjes Jashari, mes tyre 18 gra dhe 10 fëmijë. Adem Jashari dhe familjarët e tij rezistuan me armë kundër terrorit të policisë serbe.

Pas ndeshjes së futbollit mes Zvicrës dhe Serbisë, në fund të së cilës futbollisti Granit Xhaka u shfaq me fanellën e lojtarit të ri Ardon Jashari, gazeta zvicerane “NZZ am Sonntag” ngriti akuza të rënda kundër Granit Xhakës. Xhaka u akuzua se i ka provokuar serbët. “NZZ am Sonntag” sulmin ndaj Xhakës e ilustroi edhe me një spekulim makabër, duke nënvizuar se “deri më sot nuk është e sqaruar përfundimisht nëse Jashari është vrarë nga njësitë serbe apo nga njerëzit e tij në UÇK për shkak të konflikteve interne për pushtet”.