3 perditesime
23:12

McKee: Nuk qëndrojnë kritikat se Kosova ka humbur vëmendjen e SHBA-së

Ndihmësadministratorja për Evropë dhe Euroazi në USAID, Erin E. McKee, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka theksuar se nuk qëndrojnë kritikat se Kosova e ka humbur vëmendjen dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

“Do t’u thosha, absolutisht jo. Prania ime këtu është afirmim i asaj që partneriteti është i fortë dhe veçse do të forcohet. E pamë që si pasojë e ripushtimit të Ukrainës nga Putini, Evropa dhe Euro-Azia janë rikthyer në ‘radarin’ e kongresit, presidentit tim, agjencisë sime. E me më shumë resurse për t’iu përgjigjur prioriteteve të qeverisë suaj dhe popullit tuaj, USAID-i po i zgjeron programet e tij. S’jemi duke shkuar gjëkundi. SHBA-ja ka qëndruar, do të qëndrojë dhe s’do ta lërë këtë partneritet, kurrsesi s’do të largohet prej këtij partneriteti”, është shprehur McKee.

Sipas saj SHBA-ja do të jetë partnere e Kosovës edhe për shumë gjenerata. “Në 10, 20 apo 100 vjetët e ardhshëm, SHBA-ja do të jetë partnere, mike e Kosovës, jo vetëm sot, siç thashë, por edhe për shumë gjenerata”, ka theksuar McKee.

Ajo ka folur edhe për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, duke thënë se në këtë aspekt duhet të punohet më shumë.

“Të punojmë më fort në agjendën e reformave, të punojmë më shumë në dialog ashtu që Kosova ta ketë paqen e stabilitetin që meriton që potencialisht ta përshpejtojë rrugën për t’u bërë vend kandidat për BE e pastaj edhe integrim të plotë. Unë besoj e mendoj, që edhe ju besoni, se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe ne SHBA-ja jemi këtu për t’ju ndihmuar në këtë drejtim”, ka theksuar McKee.

23:04

McKee: Në Kosovë më impresionon vullneti politik për ta luftuar korrupsionin

Ndihmësadministratorja për Evropë dhe Euroazi në USAID, Erin E. McKee, ka thënë se është impresionuar nga vullneti politik i Qeverisë për të ndërtuar institucione të forta demokratike dhe përkushtimi për të luftuar korrupsionin.

“Kosova më impresionon jashtëzakonisht. Dhe atë për shumë arsye: nën një, ju keni vullnet politik të qeverisë suaj për të ndërtuar institucione të forta demokratike. Kam parë përkushtim dhe demonstrim të palëkundur për llogaridhënie, transparencë, që është në zemër të luftës kundër korrupsionit. Dhe siç e dimë, korrupsioni është një nga elementet më gërryese për të minuar një demokraci stabile”, ka theksuar McKee në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.

Ajo ka theksuar se në këtë aspekt po i referohet Kosovës në përgjithësi dhe jo vetëm Qeverisë.

“Çfarë shoh në Kosovë më jep shpresë të madhe. E shoh që po ndërmerren hapa të fortë për të luftuar korrupsionin, për t’i institucionalizuar elementet që janë kyçe në luftën kundër korrupsionit. Shoqëria civile, media e lirë dhe e pavarur, një gjyqësor i fortë, e po ashtu respektim të sundimit të Ligjit, që është i rëndësishëm jo vetëm për luftën kundër korrupsionit, por edhe për të tërhequr investimet dhe biznesin që është shumë i nevojshëm për të ardhmen e vendit”, ka deklaruar McKee.

23:02

McKee për dialogun me Serbinë: Njohja e ndërsjellë është parimi themelor që ne mbajmë

Ndihmësadministratorja për Evropë dhe Euroazi në USAID, Erin E. McKee, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka folur edhe për raportet e Kosovës me Serbinë.

Ajo ka theksuar se mënyra që Kosova të ecë përpara është që të jetë e gatshme të përfshihet në dialog dhe të sigurohet që njohja e ndërsjellë të ndodhë.

“Sa u përket raporteve me Serbinë, siç e thatë, jam takuar me shoqërinë civile, jam takuar me njerëz gjithandej vendit, dhe çfarë kam dëgjuar nga të gjithë, është që njerëzit duan paqe dhe stabilitet. Dhe kjo tregon po ashtu për rritjen gjithëpërfshirëse ekonomike dhe mundësitë. Ne e dimë se e ardhmja e Kosovës është e rrënjosur me të ardhmen në Evropë, e lidhur me institucionet evropiane, dhe mënyra për të ecur përpara është që të jemi të gatshëm të përfshihemi në dialog dhe të sigurohemi që njohja e ndërsjellë do të ndodhë, në mënyrë që stabiliteti dhe paqja të jenë themelet prej kah ndërtojmë të ardhmen”, ka deklaruar McKee.

Ajo ka thënë se njohja e ndërsjellë është parimi themelor që SHBA-ja e mbanë.

“Siç e thashë në fillim, njohja e ndërsjellë është parimi themelor që ne e mbajmë. Për më shumë detaje, do t’ju thosha të flisnit me ambasadorin e SHBA-së dhe Ambasadën. Unë jam këtu për të folur rreth partneritetit tonë të zhvillimit. Por një partneritet zhvillimor për të cilin kemi punuar për vite të tëra nuk do të ketë sukses në përshpejtimin e progresit nëse nuk kemi stabilitet”, është shprehur Mckee.

22:59

McKee: Partneriteti i SHBA-së me Kosovën është më i fortë se kurdoherë

Miqësia dhe partneriteti i SHBA-së me Kosovën nuk do të jetë 10 apo 20 vjet, por 100 vjet e për shumë gjenerata, ka thënë ndihmësadministratorja për Evropë dhe Euroazi në USAID, Erin E. McKee.

Të hënën në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ambasadorja McKee ka treguar për vizitën në Kosovë dhe takimet që ka pasur me drejtuesit e institucioneve të shtetit dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

“Ishte e mrekullueshme të takohem si me kryeministrin e po ashtu me presidenten. Mendoj se këto takime janë përgjigje të pyetjes suaj se si është partneriteti sot mes Kosovës dhe SHBA-së. Është shumë i fortë dhe më i fuqishëm se kurdoherë. Mendoj se siç e dini, SHBA-ja është e përkushtuar në partneritetin me Kosovën për të ndërtuar një demokraci më të fortë, një ekonomi më vibrante, siguri energjetike, siç po ashtu, shpresë dhe mundësi më të mira për të ardhmen për të rinjtë, e po ashtu çdo anëtar të shoqërisë kosovarë”, është shprehur McKee

Ajo ka theksuar se në krye të agjendës është që të sigurohemi që të kemi rritje ekonomike gjithëpërfshirëse. “Kryeministri dhe presidentja e rikonfirmuan këtë mëngjesin e sotëm. Dhe në fakt, presidentja ndau me mua brengën e saj të madhe dhe fokusin e madh në pjesëmarrjen e grave në mundësitë ekonomike. Dhe jam e lumtur të ndaj me ju, se USAID, Agjencia ime ka lansuar një program të ri të përqendruar në gratë sipërmarrëse dhe mundësitë ekonomike për gratë. Ishte koha për një program të tillë, më së paku thënë”, ka deklaruar McKee.