Rama për dialogun: Këtu është Rock&Roll, në Bruksel simfoni

Rama për dialogun: Këtu është Rock&Roll, në Bruksel simfoni
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka konsideruar të jashtëzakonshëm samitin që po mbahet në Tiranë. Ai pas pritjes së liderëve të Bashkimit Evropian e Ballkanit Perëndimor ka deklaruar se çështja mes Kosovës e Serbisë nuk mund të zgjidhet sot, meqë është e vështirë.
Po ashtu, Rama ka shtuar se Bashkimi Evropian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, aq sa vendet e kësaj të fundit kanë nevojë për BE-në.
Kryeministri Rama tha se mbajtja e samitit në Tiranë është e jashtëzakonshme.
“Për ne kjo është e jashtëzakonshme, është diçka që edhe ai me imagjinatën më guximtare nuk do të parafytyronte që do të ndodhë dhe po ndodh. Është e shkëlqyer, vërtet. Mendoj që është një sinjal mjaft i fortë i vetëdijes i BE-së se BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, për aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dhe, deri dje kishim një mot si në Bashkimin Evropian, por nuk mund të ju mirëprisnim me atë mot dhe sollëm diellin për ju, shpresojmë që ta vlerësoni”, ka deklaruar kryeministri Rama.
I pyetur rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Rama ka deklaruar para gazetarëve se kjo çështje nuk mund të zgjidhet në samitin e sotëm.
“Unë do të dëshiroja që të ishte kështu, sepse dëshirojë që BE të kishte këtë lloj magjie, por nuk është kështu. Është e vështirë, do të kërkojë kohën e vet, por më duhet të ju them që Ballkani Perëndimor nuk ka qenë kurrë më mirë në historinë e vet dhe shqiptarët veçanërisht qoftë në Shqipëri, Kosovë apo kudo tjetër nuk kanë qenë kurrë më mirë në historinë e tyre”, ka shtuar Rama.
Po ashtu, Rama ka thënë se në këtë samit është ndryshe, krahasuar me Brukselin.
“Ka një ndryshim shumë të madh sepse këtu është Rock&Roll, në Bruksel është vetëm simfoni. Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë Rock&Roll, është shumë pak më e mërzitshme sesa Brukseli, i patë, të gjithë ishin shumë të lumtur”, theksoi ai.
Ai pati edhe një mesazh para mediave që e ndërlidhi me motin në Tiranë.
“Nuk më kanë informuar që ka problem për këtë, por le të shohim do të flasim më vonë dhe mos pini gjithë verën që ju dhamë në mëngjes, sepse është shumë e mirë dhe shume efikase”, përfundoi Rama.
Samiti që po mbahet në Tiranë është i pari që po zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në Bashkim Evropian dhe ka në agjendë krizat energjetike, luftën në Ukrainë si dhe krizën e migracionit. Ndërsa punimet po zhvillohen në ambientet e stadiumit Arena Kombëtare./ksp
Nënshkruhet deklarata e roamingut BE-Ballkani Perëndimor
Është nënshkruar në Tiranë marrëveshja për roaming, përmes së cilës zvogëlohen tarifat në vitin 2023, mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Synohet që ato të tërhiqen tërësisht.
Marrëveshja e nënshkruar, në prani të 6 liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe krerëve të BE-së, do të hyjë në fuqi nga 1 tetori i vitit të ardhshëm.
Osmani: Mentaliteti i Vuçiqit duhet të refuzohet nga të gjithë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është vazhdimësi e mentalitetit që në Serbi ekzistonte në vitet e ’90-a e se ky mentalitet duhet të refuzohet nga të gjithë.
Në deklaratën në hyrje të Samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Osmani ka thënë se Kosova është e kundërta e mentalitetit të shtetit të Serbisë, dhe është vendi më proevropian.
“Jam presidente e shtetit më proevropian dhe kemi treguar përkushtimin tonë drejt BE-së dhe vlerave të BE-së, sidomos kur vjen për 100 për qind të rreshtimit me politikën e jashtme dhe sigurisë të BE-së, dhe për vënien e sanksioneve ndaj Rusisë”, ka thënë ajo.
Osmani ka kërkuar nga BE-ja që të kalojë nga fjalët në vepra, sidomos për çështjen e liberalizimit të vizave. Ka bërë të qartë se Kosova do të aplikojë deri në fund të vitit për pranim në BE.
Presidentja po ashtu ka përsëritur se Kosova kërkon që dialogu me Serbinë të jetë i fokusuar në njohje reciproke dhe mbrojtje të integritetit territorial e sovranitetit të Kosovës.
Osmani po ashtu ka thënë se Kosova pret që në mes të dhjetorit Evropa të konfirmojë çështjen e liberalizimit të vizave.
“Do të ishte sinjal i qartë se ia vlen nëse qëndron me vlerat e BE-së apo jo, sepse nganjëherë ka mesazhe misterioze që dërgohen sepse ka shtete që rreshtohen me BE-në e disa me Putinin. Nuk duhet të trajtohen njëjtë”, ka thënë Osmani.
“Vuçiqi është vazhdimësi e mentalitetit që ekzistonte në Serbi në të ’90-at dhe ishte ky mentalitet që çoi në luftë e shkatërrim dhe vrasje të civilëve. Mentalitet që duhet të refuzohet nga të gjithë”, ka thënë Osmani.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se fillimisht ka refuzuar të marrë pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor-BE për shkak të dilemave të ndryshme rreth Kosovës dhe dialogut mes dy vendeve.
Ai ka thënë se pas shume diskutimeve kanë vendosur që të marrin pjesë në këtë Samit dhe t’i thonë ato që mendojnë për dialogun dhe çështje tjera.
“Por gjithashtu ne duhet të mbrojmë interesin e shtetit tonë. Unë jam këtu të mësoj shumë nga njerëzit nga Evropa dhe rajoni dhe pastaj të shprehim opinion e Serbisë. Është e rëndësishme të bisedojmë bashkë për çështjet e energjisë. Serbia është shtet i pavarur dhe i dimë obligimet tona”, ka thënë ai.
Tirana mirëpret sot liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor
Tirana do të presë të martën liderët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, për samitin BE - Ballkani Perëndimor.
Kosovën në këtë samit do ta përfaqësojë presidentja, Vjosa Osmani.
Samiti është pjesë e zbatimit të Agjendës Strategjike të Këshillit Evropian 2019-2024, si dhe konsiderohet një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë drejt BE-së.
Mes pjesëmarrësve në Samit do të jenë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, por edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, një kritik i politikave të BE-së.
Pjesëmarrës të tjerë që do të përfaqësojnë vendet e BE-së janë: kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kancerlari i Austrisë, Karl Nehammer, kryeministri i Belgjikës, Aleksandër de Croo, presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, presidenti i Qipros, Nicos Anastasiades, kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederikse, kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, kryeministri i Irlandës, Micheal Martin, kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins, kryeministri i Lituanisë, Ingrida Simonyte, kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, kryeministri i Maltës, Robert Abel, kryeministri i Holandës, Mark Rutte, kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, kryeministri i Portugalisë, Antonio Costa, presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, kryeministri i Sllovakisë, Eduard Heger, kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, dhe kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersso.
Temat kryesore për të cilat do të diskutohet në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë do të kenë në fokus luftën në Ukrainë, migracionin, luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, si dhe përforcimin e sigurisë me qëllim parandalimin e ndërhyrjeve të huaja.
Bazuar në agjendën e publikuar, për në orën 10:15 është paraparë mbërritja dhe mirëpritja zyrtare, nga ora 11:00 është planifikuar diskutimi e shkëmbimi i mendimeve, nga 11:45 fotografia e përbashkët, nga 12:15 seanca plenare dhe dreka e punës, kurse nga 14:30 konferenca për shtyp.
Në krye të rezolutës që pritet të miratohet në Samitin e Tiranës do të trajtohet çështja e agresionit rus në Ukrainë.
Në pikën e parë të draftit të këtij dokumenti që e ka siguruar KOHA, theksohet se lufta e përshkallëzuar e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës po vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane e globale dhe nënvizon rëndësinë e partneritetit strategjik midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në një nga pikat e draft-deklaratës theksohet se qëndrimi së bashku me BE-në është një shenjë e qartë e orientimit strategjik të partnerëve, tani më shumë se kurrë, ndërsa Rusia përshkallëzon luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës.
Në pikën e tretë fokusi vihet tek demokratizimi i vendeve të rajonit.
Ditën kur do të organizohet samiti, në Tiranë do të zhvillohet një protestë e thirrur nga opozita.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thënë se protesta do të jetë një mesazh për BE-në, përkitazi me degradimin e demokracisë dhe rritjen e krimit e korrupsionit në Shqipëri.
Rreth 1500 efektivë të Policisë dhe forcave të tjera të sigurisë pritet të jenë në terren për ta siguruar mbarëvajtjen e Samitit. Nivelet e masave të sigurisë do të jenë gati të njëjta me ato që janë ndërmarrë në kohën kur në Tiranë ishte ish-sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, apo edhe Papa Françesku.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Statovci: Serbia e shfaqi mashtrimin e madh

Ambasadat e Kosovës e nderojnë policin e vrarë

Gjendet një pjesë e mjetit shpërthyes pranë Manastirit të Banjskës

Vuçiqi: Radojiçiqi nuk është i plagosur, do të merret në pyetje

Biserko: Në veri po provokohej konflikt që të hynte ushtria serbe e të ndahej Kosova

Osmani: Sulmi i Serbisë, akti më i rëndë kundër sovranitetit të Kosovës

“Kosova nuk do duhej të ulej në dialog pa ekstradimin e sulmuesve serbë që ikën në Serbi”

Sinani akuzon Arifin për nënshtrim ndaj Serbisë, ky e quan gënjeshtare - shkak flamuri serb

Poshtë Ibrit, vetëm në Graçanicë respektohet thirrja e Listës Serbe për ditë zie

Dialogu konsiderohet i pakuptimtë, përderisa nuk zbardhet rasti i sulmit në veri

Osmani–liderëve opozitarë: Uniteti në këtë kohë të rëndë është thelbësor
