Partia Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje për dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pasi që njoftoi se mostrat e Astrit Deharit, që ishte gjetur i vdekur në qelinë e paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të 2016-s, ishin zhdukur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Përparim Gruda nga Departamenti i PDK-së për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, në një konferencë për media të enjten, ka thënë se zhdukja e mostrave është përgjegjësi direkte e Haxhiut, derisa shtoi se duhet të niset një hetim i menjëhershëm.
“’Rasti Dehari’, është një rast vërtetë tragjik, zbardhja e të cilit, deri në detajin më të vogël, është obligim shtetëror për të cilin ne kemi kërkuar që të punohet në vazhdimësi. Për ne ka qenë e qartë që nga fillimi se, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur për qëllim asnjëherë që të zbardhë të vërtetën e këtij rasti, por ta përdorë atë për betejat e saj politike. Fatkeqësisht, përdorimi politik i këtij rasti po vazhdon edhe tani kur ata janë në pushtet dhe kanë të gjithë mekanizmat shtetëror në duart e tyre për ta zbardhur të vërtetën e këtij rasti. Pas më shumë se dy viteve qeverisje dhe zero avancimi në rastin ‘Dehari’, ne dyshojmë që Ministrja Haxhiu duke dashur të mbulojë paaftësinë e saj, por edhe në pamundësi të sigurimit të fakteve të pamohueshme për të dëshmuar një të vërtetë tjetër në lidhje me këtë rast, po manipulon me prova dhe situatën”, deklaroi Gruda.
Sipas tij, kur zhduken mostrat, dëmtohen provat dhe dëmtohet drejtësia. Gruda ka thënë se Qeveria Kurti e ka kapur Institutin e Mjekësisë Ligjore, duke e lënë me ushtrues detyre.
“Rrjedhimisht, është pikërisht kjo Qeveri, me në krye Albin Kurtin dhe Albulena Haxhiun, të cilët e kanë caktuar dhe lënë Institutin e Mjekësisë Ligjore me Ushtrues Detyre. Ashtu siç kanë kapur shumë institucione të tjera, Qeveria Kurti ka kapur dhe është duke kontrolluar edhe Institutin e Mjekësisë Ligjore. Prandaj, mostrat e humbura të rastit Dehari sot, janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë dhe e pamohueshme e Ministres së Drejtësisë. Prandaj, po e përsëris, dorëheqja e Ministres së Drejtësisë është minimumi që duhet të bërë në këtë rast, për t’i hapur rrugë një hetimi të pavarur dhe të drejtë për të zbardhur të vërtetën deri në fund të zhdukjes së këtyre mostrave në mënyrë të pashpjegueshme”, u shpreh ai.
Zyrtari i partisë opozitare ka thënë se zbardhja e rastit të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka qenë kurrë prioritet i ministres Haxhiu.
“Zbardhja e rastit Dehari po vërtetohet se nuk ka qenë asnjëherë prioritet dhe angazhim i Albulena Haxhiut, por, fatkeqësisht, vetëm manipulim dhe përdorim politik nga ana e saj”, ka thënë ai.
Prokuroria Speciale ka nisur hetimet lidhur me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.