3 perditesime
14:17

Projektligji për zyrtarët publikë përplas pushtetin me opozitën

Projektligji për zyrtarët publikë ka përplasur partinë në pushtet me opozitën në Kuvendin e Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar mbështetjen për projektligjin duke thënë se administrata duhet të freskohet dhe të ketë mundësi punësimi.

“Kjo pikë e rendit të ditës është pika kyçe për reformën në administratë publike. Fokusi i kësaj qeverie është reformimi i administratës, minimizimi i ndërhyrjeve në rekrutim, përmirësim i shërbimeve, krijim i vlerësimit të performancës. Rekrutimet e mbyllura në ligjin aktual nuk kanë lejuar që zyrtarët të avancohen në karrierë. Është e domosdoshme që administrata të hapet për të rinjtë profesionistë dhe diasporën tonë përmes një procesi që garanton meritokraci. Qytetarët e këtij vendi meritojnë mundësi që administrata duhet të freskohet, që gratë të kenë mundësi punësimi”.

Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka thënë se përmes këtij projektligji synohet ngritja e efikasitetit të administratës.

“Projektligji i sponsorizuar nga Qeveria qëllim kryesor ka rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarit publik, kategorizimin e detyrave dhe përgjegjësive. Do të krijohen kushte ligjore për edhe për diasporën, dhe programi i praktikës për të rinjtë. Institucioneve do tu jepet mundësi të hapen konkurse pune vetëm për personat me aftësi të kufizuara. Do të avancohet një mekanizëm i matjes efektive të përformancës. Matja do të behet 360 shkallëshe që të jetë reflektim i gjendjes reale në shërbimin civil”.

Por, partitë opozitare e kanë kundërshtuar projektligjin.

Mërgim Lushtaku nga PDK-ja ka thënë se po bëhet kapja e administratës nga partia që dikur i ka kritikuar të tjerat për këtë.

Ai tha se PDK-ja do ta kundërshtojë kalimin e projektligjit dhe edhe në rast se kalon, do të ndërmarrin hapa.

“Kemi shqetësime të ndryshme nga sindikatat, SIGMA, BE-ja dhe të ndryshme për rrënjosje të politizimit dhe korrupsionit. E shohim që kemi një reagim të ashpër nga zyra e BE-së dhe nuk kemi asnjë plotësim ndryshim gjatë diskutimit publik që ka pasur qeveria. Shqetësuese është kthimi i pozitave të karrierës në pozita mandatore. Po bëhet kapja praktike e administratës mu nga një parti që i ka kritikuar të tjerat, kjo po bije aty ku ka kritikuar më së shumti. Nuk kemi mundësi të bëjmë këso lloj eksperimentesh me administratën. Ne si GP do ta kundërshtojmë që ky projektligj të kalojë në seancë por edhe nëse kalon do t’i ndërmarrim të gjithë hapat sepse e dimë dhe e argumentojmë që ka shkelje kushtetuese”.

Deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ka deklaruar se projektligji është antikushtetues.

“Projektligji për zyrtarët publik përbën përpjekje të qeverisë për ta degraduar administratën shtetërore. Në vend që ky projektligj të reflektojë përballë gjetjeve të Kushtetueses, e bën saktësisht të kundërtën. Shumë dispozita janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. E drejta e fituar për punësim përmes procedurave nuk mund t’i merret askujt sipas ligjit. Këtë projektligj e bën antikushtetues edhe përpjekja për të përvetësuar kompetencat e komunave për të rekrutuar stafin e tyre”.

Ai ka shtuar se projektligji parasheh masën e degradimit e cila, theksoi ai, ka ekzistuar në kohën e UNMIK-ut.

“Ky projektligj në mesin e masave disiplinore parasheh edhe uljen në detyrë apo masën e degradimit. Masa e degradimit ka qenë në kohe të UNMIK-ut për të cilën ndoshta edhe keni nostalgji”.

Veliu ka thënë se Qeveria kategorinë e praktikantëve e ka rregulluar mirë.

“Kjo qeveri e ka rregulluar shumë mirë kategorinë e praktikantëve. Kjo tregon se sa me përkushtim e sheh kjo Qeveri kategorinë e praktikantëve”.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ligji rrezikon zyrtarët pasi politika do të vendosë për ta nëse miratohet. Ai ka kërkuar që të bëhen disa ndryshime në ligj.

“Me këto kundërshtime qe vijnë nga BE-ja është e pamundshme që një proces i tillë të ecë përpara. Ligji i trajton zyrtarët e lartë publikë. Ne e trajtojmë këtë ligj jo si iniciativë e LVV-së po si rezultat i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese ku janë kontestuar disa nene. Por çka ka bërë ky ligj 1600 zyrtarë janë të rrezikuar, karriera e tyre varet nga partia politike. Janë ministrat, partitë që do të vendosin jo më me një proces por me vendimmarrje puro politike. Sot në qeveri është LVV, nesër mund të vijë një koalicion tjetër. Po i shtojmë këto pozita me emërime. Nëse sot nuk e heqim këtë nen atëherë askush nuk do ta heqë, sepse nuk ju konvenon partive. Sepse ne e dimë kërkesat kryesore si deputetë i kemi për punësim. Mund të thoni jo por e dini që është e vërtetë”, ka theksuar Tahiri.

Kuvendi ka shkuar në pauzë pas këtij diskutimi. 

13:26

Kuvendi formon komisionin ad’hoc për vetingun

Kuvendi i Kosovës ka formuar Komisioni Ad-hoc për hartimin e Projektligjit për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar për vetingun.

Anëtarët e Komisionit janë: Nga Lëvizje Vetëvendosje (LVV) - Adnan Rrustemi zëvendëskryetar, Avni Dehari, Artan Abrashi, Arjeta Rexhepi dhe Dimal Basha.

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) - Blerta Deliu dhe Rashit Qalaj.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)- Kujtim Shala kryetar dhe Doarsa Xhelili Kica

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj.

Ndërkaq, nga grupi multietnik: Erxhan Galushi.

13:08

Kuvendi miraton dy ligje

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shenjëstruara.

U miratua edhe Ligji për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore.

Deputetët janë mbledhur në seancë plenare të premten ku pritet të shqyrtohen dhe votohen një sërë pikash të tjera.

Ata fillimisht kanë diskutuar për situatën në veri të vendit.

Partitë opozitare i kanë kërkuar Qeverisë që të jetë strategji dhe të mos merrë vendime të nxituara.

Ndërkohë, në përgjigje kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk mund t’i trajtojë ambasadorët e QUINT-it si ministra, e ata të bëhen zëvendës të tyre.

08:04

Kuvendi sot pritet të shqyrtojë ligjin për paga e atë për zyrtarë publikë

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të rregullt plenare. Përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës e pyetjeve parlamentare, deputetët pritet të shqyrtojnë disa projektligje si dhe raportet vjetore të disa institucioneve.

Në rend dite është edhe shqyrtimi i Projektligjit për zyrtarët publikë si dhe i atij për pagat në sektorin publik.

Rendi i ditës

Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-146 për Zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shenjëstruara,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-099 për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore,

Formimi i Komisionit Ad-hoc për hartimin e Projektligjit për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët publikë,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-196 për Pagat në sektorin publik,

Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-180 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-176 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr. 05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-192 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-182 për Konfliktet Administrative,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-191 për Ekspertët Gjyqësor,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-194 për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor,

Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të Akademisë së Drejtësisë për vitin 2021,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2021,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Rregullator të Prokurimit Publik për vitin 2021,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2021,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2021,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të Statistikave të Kosovës për vitin 2021,

Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-021 për kontrollin e brendshëm të financave publike,

Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.06/L-087 për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë,

Shqyrtimi i Planit Kombëtar të Radio-frekuencave,

Formimi i Komisionit Ah-hoc për përzgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar,

Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,

Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave,

Zgjedhja e një (1) zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.