4 perditesime
20:54

Qeveria tregon se çfarë u diskutua në takimin Kurti-Lajçak-Escobar

Zyra e Kryeministrit ka lëshuar komunikatë për media mbi takimin e së martës me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i shoqëruar nga Ambasadori i BE-së Tomáš Szunyog, dhe Zëvendësndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, i shoqëruar nga Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

ZKM-ja ka thënë se në takim është diskutuar për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hapat e mëtejmë, zhvillimet e fundit në vend dhe çështjet aktuale.

“Në takim kishte dakordim të përbashkët që duhet të hiqen barrikadat në veri të cilat pengojnë lirinë e lëvizjes. Përmes gatishmërisë për takime dhe diskutim, Republika e Kosovës ka dëshmuar në vazhdimësi së është palë konstruktive që angazhohet për arritjen e një marrëveshje ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve të ndërsjella me Serbinë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.

19:36

Lajçak: Barrikadat të hiqen me marrëveshje politike e jo me buldozer

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se një sërë çështjesh janë diskutuar me kryeministrin Albin Kurti në takimin ku i pranishëm ka qenë edhe i dërguari amerikan, Gabriel Escobar.

Lajçak ka thënë se situata nuk është e mirë në veri dhe se duhet të gjendet zgjidhje.

Ka theksuar se nuk mund ta fajësojë veçanërisht dikë për situatën e krijuar ditët e fundit.

“Ja ku jemi këtu një javë më vonë dhe kemi një krizë në veri të Kosovës. Kjo javë është javë e rëndësishme evropiane. Jam këtu dhe do jem në Beograd nesër që të tentojmë të identifikojmë mënyra si të depërshkallëzojmë situatën dhe të kthehemi në normalitet që të procedojmë me propozimin për normalizim. Pata diskutim të gjatë me Kurtin për një sërë çështjesh dhe nuk do të japë detaje sepse është në mesin e misionit tim pasi nesër do të jem në Beograd. Do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje të mundshme sepse kjo nuk është e mirë dhe nuk mund të përballojmë që vetëm të presim që të ndodhë diçka e keqe. Tensionet nuk e ndihmojnë askënd. Kemi ardhur në këtë moment, dhe unë nuk dua të drejtoj gishta por ne jemi të përkushtuar që të gjejmë zgjidhje”, ka thënë Lajçaku.

Ai është pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat nga Serbia se Beogradi do të sjellë ushtarë në Kosovë. Lajçaku ka thënë se janë thënë shumë gjëra dhe se gjendja është e tensionuar.

“Shumë gjëra janë thënë ditëve të fundit, atmosfera është e nxehtë prandaj duhet të fokusohemi në gjërat që kanë rëndësi dhe që njerëzit të kthehen në normalitet”.

Pas takimit me Kurtin, ai ka thënë se do të takohet me përfaqësuesit e EULEX-it dhe KFOR-it.

Lajçak ka thënë se mënyra më e mirë për heqjen e barrikadave është marrëveshja politike.

“Unë jam diplomat, për mua mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është nëse bëhet si rezultat i një marrëveshje politike e jo me buldozer”, tha Lajçak.

19:19

Veriu, Asociacioni e propozimi franko-gjerman tema diskutimi në takimin Kurti-Escobar-Lajçak

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se në takim me kryeministrin Albin Kurti është folur për situatën në veri ku po tentohet që të gjendet zgjidhje për zbutje të situatës.

Ai para mediave ka shtuar se në takim e ka bërë të qartë pozicionin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndërkohë, temë diskutimi ka qenë edhe propozimi franko-gjerman.

“Ne duhet të fillojmë të flasim për zbatimin e Asociacionit, e kam bërë shumë të qartë këtë. Shpresoj se do të kemi një zgjidhje shumë afër në të ardhmen në këtë krizë. Jam shumë i inkurajuar që përfaqësuesi i BE-së është këtu dhe shpreha mbështetjen ime për përpjekjet e tij që të lëvizë në propozimin franko-gjerman”.

17:47

Nis takimi Kurti – Escobar – Lajçak

Ka filluar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe emisarëve Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak.

Takimi po zhvillohet në ndërtesën e Qeverisë, ndërsa vjen pas tensioneve në veri, ku janë vendosur barrikadat në rrugë.

Kurti ishte takuar me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarin, edhe të hënën. Zëvendësndihmës Sekretari i SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike pati takime edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e po ashtu me shoqërinë civile, e gjithashtu edhe me partitë opozitare. Po ashtu pati takim edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe.

Vizita e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ishte paralajmëruar qysh dje. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka njoftuar për vizitën e Lajçakut. Ai pas vizitës në Kosovë, të mërkurën do të udhëtojë në Beograd ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në takim po merr pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier. 

Image
14:01

Lajçaku në Kosovë për të caktuar takimin e ardhshëm në Bruksel

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe zv.ndihmëssekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar do të takohen me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Siç ka mësuar KOHA, do të diskutohet për gjendjen në veri, planin evropian për marrëveshjen mes dy shteteve dhe për datën e mundshme për takimin e ardhshëm në mes krerëve të shteteve në Bruksel.

Përmes një komunikate për media nga Qeveria, bëhet e ditur se takimi do të mbahet në orën 17:30.

Lajçaku qe në Kosovë edhe javën e shkuar, për të sjellë atë që po cilësohet version i ri i planit “evropian” për marrëveshjen Kosovë-Serbi.