3 perditesime
11:47

Kuvendi shmang dërgimin në Kushtetuese të ligjit për buxhetin

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shmangur dërgimin në Gjykatën Kushtetuese, të ligjit për buxhetin, pasi që kanë hequr nga Projektligji nenin, për të cilin opozita paralajmëroi se do ta dërgonte në Kushtetuese.

Më 94 vota pro, 1 abstenim, Kuvendi ka miratuar amendamentin e deputetit të LDK-së, Arben Gashi, për heqjen e paragrafit 6 të nenit nëntë, me të cilin parashihej që të hyrat e pashpenzuara vetanake të komunave, të mbledhura para vitit fiskal 2022, të bartën në bilancin bankar.

11:31

LDK-ja paralajmëron se do ta dërgojë në Kushtetuese ligjin për buxhetin

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, në seancën e Kuvendit ku në lexim të dytë është duke u shqyrtuar Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2023, ka thënë se Grupi Parlamentar i LDK-së kërkon që të hiqet fjalia, “të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 të pashpenzuara të bartën në bilancin bankar”, te paragrafi 6 i nenit 9 të ligjit .

Kjo fjali sipas tij, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe në kundërshtim me Ligjin e Financave të Pushtetit Lokal.

“Ne konsiderojmë se nëse mbetet në këtë mënyrë të tillë është dëmtim i buxhetit komunal dhe shkelje e Kushtetutës”, ka thënë Gashi.

Kryetari i Kuvendit, ka thënë se nuk do tu jap fjalën deputetëve për amandamente të veçanta.

Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se neni nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Fjalia për të cilën deputeti Gashi thotë se është problematike dhe në kundërshtim me Kushtetutën ne si Ministri e financave nuk e konsiderojmë si të tillë, përkundrazi vetëm një rregullim i cili i përgjigjet kërkesës së Grupit parlamentar të LDK-së. Nëse kthehemi prapa, kërkesa e GP të LDK-së ka qenë pse nuk po shpenzohen mjetet e bilancit bankar”, ka thënë Murati.

Në një kundër-replikë, deputeti Gashi ka thënë se logjika e ministrit Murati është primitive.

“Me këtë logjikën e ministrit po i bie, po u marrim komunave këto 600 tjera po i lëmë në bilanc, ku me i qu, se kanë mbetur bilanc, po i marrim edhe këto edhe po i qojmë diku, me këtë logjikën e tij jo institucionale, jo shtetërore, e cila realisht është logjikë primitive. Po le të kthehemi te fakti. Këtu e kemi përgjegjësinë e Qeverisë. Prej janarit për shkak të krizës komunat, të gjitha kanë kërkuar që të shqyrtohet ligji i prokurimit dhe të merret parasysh që të kemi me shpenzimin e parasë publike. Këta e kanë sjellë në nëntor ligjin”, ka thënë Gashi.

Ai ka insistuar se neni është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se kjo është bindja e tyre, dhe se për këtë do të vendos Gjykata Kushtetuese.

“LDK-ja do ta dërgojë në Kushtetuese”, ka thënë Gashi.

11:21

Opozita me kritika për ligjin për buxhetin, thonë se mund të përfundojë në Kushtetuese

Deputetët e opozitës e kanë kritikuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2023. Sipas tyre në të nuk janë adresuar kërkesat e organizatave buxhetore e as premtimet e dhëna nga Qeveria.

Deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka thënë se fatkeqësisht asnjë nga kërkesat e organizatave buxhetore e as të deputetëve, komunave dhe institucioneve të pavarura nuk janë marrë parasysh.

“Shihet qartë se Qeveria nuk është e interesuar që të mbështesë as komunat as institucionet e pavarura dhe në këtë mënyrë do t’i lejë në mëshirë të fatit. Kemi shumë organizata që janë të varura nga buxheti i shtetit që kanë paraqitur kërkesa në çdo komision dhe me një arrogancë të shumicës, që dihet se i kanë votat në çdo komision dhe komisioni nuk i ka kaluar”, ka theksuar Lushtaku.

Ai ka përmendur kërkesat e Këshillit të Pavarur të Shërbyesve Civil, Radio Televizionit të Kosovës dhe komunat, që nuk janë marrë parasysh në Komision.

“Ne e dimë që deputetë janë përfaqësues të vendit dhe shihet qartë se Qeveria dhe mazhoranca ka instaluar një politik që të mos kalojë asnjë amandament dhe kështu rezultojë. Do të jetë buxheti i parë që do të atakohet në Gjykatë Kushtetuese për shkak të një amandamenti që ka futur ministri i Financave, që buxhetin vetanak do t’ua merr komunave”, ka thënë Lushtaku.

Ai ka thënë se do t’i prezantojnë të gjitha amandamentet, në mënyrë siç ka thënë të dëgjohen argumentet nga mazhoranca se pse Projektligji nuk do votohet.

Ka përmendur edhe mospërmendjen e koeficientit në Ligjin për paga, duke thënë se është lënë në kompetencë të Qeverisë dhe gjë që sipas tij, nuk do të duhej të ndodhte.

Deputeti i Lidhjes Demokratiket të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se në buxhet nuk janë të reflektuar as premtimet e dhëna nga Qeveria.

“Kemi pritur që gjatë dy diskutimeve t’i reflektojmë disa anomali substanciale që i ka ligji, duke filluar nga e para. Ligji në pjesën tekstuale është antikushtetues. I kemi dhënë argumentet tona, është bërë një analizë nga Kuvendi dhe ministri as nuk ka dashur të dëgjojë. Sot Kuvendi mund ta votojë një Ligj që mund të përfundojë direkt në Gjykatën Kushtetuese sepse nuk mundeni që mjetet vetanake të Prishtinës, që mblidhen nga tatimi në pronë në ‘Dardani’ apo ‘Ulpianë’ të përdoret për një rrugë në Mitrovicë apo Gjilan”, ka thënë Hoti.

11:01

Murati: Me amendamentet e miratuara në Komision, buxheti do të rritet për 13 milionë euro

Ministri i Financave, Hekuran Murati, të enjten në seancën e Kuvendit ku në lexim të dytë është duke u shqyrtuar Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2023, ka thënë se me amendamentet që kanë kaluar në Komisionin për buxhet, punë dhe transfere, buxheti për vitin e ardhshëm do të rritet nga 3 miliardë e 212 milionë euro në 3 miliardë e 225 milionë.

“Një pjesë e madhe e amendamenteve nuk janë miratuar, për arsye se ministritë e linjës kanë plane, ose janë paraparë për një kohë të më vonshme”, ka thënë Murati.

Ai ka thënë se buxheti do të mirëmbajë konsolidimin fiskal dhe nivelin e borxhit publik dhe që e kthen në rregullën fiskale para pandemisë.

Ai ka thënë se kanë qenë disa ndryshime për projektet që janë të financuara nga Banka Botërore apo institucionet financiare ndërkombëtare për shkak se kur është dorëzuar buxheti në fund të tetorit, organizatat kanë qenë optimiste që do të përfundohet, por në disa raste disa shpenzime duhet të bartën për vitin e ardhshëm.

Në këtë seancë kryetari i Komisionit për buxhet, Armend Muaj, ka thënë se Komisioni rekomandon që Projektligji për buxhet të miratohet me amendamentet e propozuara nga ky Komision.