Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka deklaruar se të paktën edhe në 8 vjetët e ardhshme, asnjë shtet nuk do të inkuadrohet në Bashkimin Evropian. Ai ka thënë të enjten në DESKU-n e KTV-së se Kosova ka shënuar shumë suksese, krahas shumë vendeve të të tjera që janë pjesë e Bashkimit Evropian. Sipas Palokajt, lobimi i Kosovës duhet të drejtohet kah shtetet anëtare për përkrahje.
“Kosova shumë ligje i ka bërë nga fillimi, është e para krahas disa vendeve. Sa i përket legjislacionit dhe përmbushjes së kritereve, do të mund t’i arrinte disa hapa më shpejt. Nuk besoj se dialogu do të përfundojë shpejt. Në 8 vjetët e ardhshme asnjë vend s’do të bëhet vend i BE-së, aq më pak Kosova”, ka thënë ai.
Palokaj ka theksuar se Kosova nëse dëshiron të ketë mbështetje, duhet të lobojë dhe jo vetëm drejt Brukselit.
“Nëse duam mbështetje të madhe, puna s’duhet të drejtohet kah Brukseli. Lobimi duhet të drejtohet kah shtetet anëtare për përkrahje. Procesi ka nisur me dorëzimin e aplikacionit. Në këtë proces fitojnë ata që janë kundër, duhet të ketë kujdes. Për 10 vjet, Greqia kishte bllokuar Maqedoninë e Veriut, Bullgaria po ashtu. Ka pengesa të natyrës politike, i takon BE-së të gjejë zgjidhje, topi është në anën e BE-së. Çekia e mori kërkesën e Kosovës, vazhdon Suedia, e të shohim si do të jetë kërkimi i formulës për të mos thënë jo, për të nisur procesin”, ka deklaruar ai.
I pyetur për reagimet e institucioneve të BE-së, pas aplikimit të Kosovës, Palokaj u shpreh se ata që duhej të reagonin, e kanë bërë tashmë këtë.
“Ka pasur reagime në Bruksel, nuk janë pritur reagime të menjëhershme, nga ata që duhej janë parë reagime. Ka pasur nga kryeministri i Kroacisë, vendi i fundit që u fut në BE, para 10 vjetësh. Nuk duhet të fshihet se institucionet e BE-së, sidomos shërbimi i punëve të jashtme, kanë dashur të mos ketë publicitet të madh, që të mos nxisë debat brenda BE-së, pasi nganjëherë më shumë kërkohet heshtja e vendeve që s’e kanë njohur, sesa reagimi”, ka thënë ai.
Ndërsa Demush Shasha nga Instituti EPIK, u shpreh se një progres i ndjeshëm në dialogun Kosovë-Serbi, do të bënte lëvizje pozitive të Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Me një proces të ndjeshëm në dialog me Serbinë, një lloj progresi, edhe nëse nuk është dakordim për propozimin franko-gjerman, do të bënte realitet statusin e vendit kandidat. Skenari më pesimist është i Bosnjës, 7 vjet. Duhet të kemi parasysh se në një sens, 6 vjetët e fundit, proces i integrimit është futur në moratorium. Në 2016-n, procesi i integrimit së Kosovës ka arritur zenitin e tij. Nga 2016-a, kemi stad të njëjtë të integrimit. S’është e shëndetshme që Kosova të mbetet në këtë stad. Do të shohim polarizim të skenës politike në vend. Do të futemi në debate të pashëndetshme, do të shohim mungesë për reforma”, ka thënë ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.