Kosova, pos Shqipërisë, shpenzon më së paku në rajon për shëndetësi si përqindje e Bruto Produktit Vendor (BPV). Kjo përqindje është 4.4 për qind, shumë larg mesatares së Bashkimit Evropian, që është 9.9 për qind.
Po ashtu Kosova ka numrin më të vogël të mjekëve specialistë në rajon – 170 për 100 mijë banorë, shumë larg mesatares në BE, që është 388.
Këto janë disa prej gjetjeve të raportit “Shëndetësia në Kosovë: Emigrimi i mjekëve dhe punëtorëve shëndetësorë”, i prezantuar të enjten nga “Grupi për Ballkan”, me mbështetjen e Ambasadës së Norvegjisë në Kosovë.
Naser Gjonbalaj, nga Oda e Mjekëve të Kosovës, tha se nga janari kanë ikur mbi 200 mjekë dhe se rreth 300 të tjerë janë të papunë.
“Ajo çka është shqetësuese, 37% më shumë mjekë ikin sesa prodhojmë. Nëse nuk merren masa për ta rregulluar, qoftë me Ligjin e pagave, qoftë me rregullimin e kushteve dhe zbatueshmërinë e ligjeve, ne jemi në një reformë ligjore të paktën qe 10 vjet”, ka thënë Gjonbalaj.
Irfan Krasniqi, zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, tha se me rritjen e buxhetit do të mundësohet punësim shtesë deri në 350 pozita.
“Po ashtu grupet punuese në kuadër të institucioneve shëndetësore janë duke e bërë hulumtimin e gjithë infrastrukturës nëpër objektet e QKUK-së dhe për ato objekte ne planifikojmë që të gjitha nevojat që ata i kanë identifikuar gjatë kësaj periudhe kohore do të plotësohen me infrastrukturë shtesë”, deklaroi Krasniqi.
Arieta Dragusha, nga “Grupi për Ballkan”, tha se ikja e mjekeve jashtë vendit nuk është fenomen vetëm te mantelbardhët. Sipas saj, edhe profesionistë të fushave të tjera po ikin në Perëndim.
“Kjo lëvizje e mjekëve tregon me shumë mungesë perspektive. Sipas statistikave, 60% e qytetarëve shprehin dëshirën që të jetojnë jashtë vendit. Për vitet 2019–2020 janë lëshuar 352 leje të punës për punëtorët shëndetësorë nga Kosova në Gjermani. Nga viti 2018 deri në shtator të vitit 2022, Oda e Mjekëve të Kosovës ka lëshuar 666 certifikata të etikës dhe profesionit, dokument ky që kërkohet nga institucionet shëndetësore me rastin e punësimit të mjekëve dhe infermierëve jashtë Kosovës”, ka thënë Dragusha.
Si rekomandime nga raporti se si të ndalet ikja e mjekëve u propozuan rritja e buxhetit për sektorin e shëndetësisë, rritja e pagave për punëtorët shëndetësorë, si dhe aplikimi i punësimit të menjëhershëm i mjekëve të përgjithshëm.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.