Arbëri

BE-ja i druhet dështimit në dialog

 

Largimi i barrikadave në komunat veriore ka rikthyer normalitetin edhe në pikat kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak. Ato ishin mbyllur prej 10 dhjetorit, kur serbët vendosën mjete të rënda nëpër rrugë për të pamundësuar lëvizjen e lirë. Pas heqjes së barrikadave, në BE bënë thirrje që të investohet në një atmosferë të favorshme për diskutime produktive për normalizim raportesh.

Pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, janë hapur për qarkullim të premten, pas 20 ditësh bllokadë si pasojë e barrikadave të vendosura nga serbët. Krahas rikthimit të normalitetit në kufi, Policia e Kosovës ka njoftuar të premten se të gjitha barrikadat tashmë janë larguar nga rrugët.

“Bllokimi i kundërligjshëm i rrugëve, sulmet e kryera ndaj institucioneve të sigurisë, mediave dhe qytetarëve, kishin ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe në vështirësimin e jetës së qytetarëve të asaj zone, të cilët nuk kanë mundur të kenë lëvizje të lirë, si dhe nuk e kanë pasur qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.