Akuza për prishje të aleancave, mospërfillje të kërkesave të SHBA-së e rikthim të tensioneve në veri - u ballafaqua Qeveria Kurti. Për njohësit e zhvillimeve dialogu tradicionalisht vazhdon të mbetet kartë në duart e partive për ta rrëzuar Qeverinë. E, hendeku në marrëdhëniet mes Qeverisë Kurti e aleatit kryesor, SHBA-së, u konfirmua në disa raste. Kjo u shpërfaq haptas në çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që vazhdon të jetë nyja kryesore rreth dialogut
Polarizimet e përplasjet mes pushtetit dhe opozitës e shoqëruan edhe vitin 2022. Problemet me veriun e dialogu me Serbinë vazhdojnë të jenë pika ndarëse dhe karta të cilat u përdoren për qëllime të brendshme politike. Mes akuzave për prishje të aleancave e mospërfillje të kërkesave të SHBA-së u ballafaqua Qeveria Kurti.
E, hendeku në marrëdhëniet mes Qeverisë Kurti e aleatit kryesor u konfirmuan në disa raste. Kjo u shpërfaq haptas në çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që vazhdon të jetë nyja kryesore rreth dialogut.
Përgjatë një dekade janë arritur shumë marrëveshje, por që zbatimi i tyre vazhdimisht ka qenë problem, duke shkaktuar kundërshtime të mëdha brenda Kosovës.
Kuvendi ishte arena ku ndodhën përplasjet më të mëdha pushtet-opozitë për dialogun.
Kryeministri Kurti deri tash nuk e përmbushi as zotimin programor që Kuvendit t’ia paraqesë një platformë për dialog e cila do të miratohej me dy të tretat e deputetëve. Sa ishte në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje insistonte që Kuvendi të jetë epiqendra e dialogut.
Të kota ishin edhe përpjekjet për imponimin e një rezolute rreth kësaj teme, siç u tentua në seancën e 30 nëntorit. Por akuzat e kundërakuzat e shoqëruan gjithë debatin, teksa kryeministri riktheu në vëmendje traditën e deritashme të rrëzimit të qeverive për shkak të dialogut.
“Sikur të ishim në qeveritë e kaluara kur vareshin nga Lista Serbe me veprimet që po i bëjmë, ne sigurisht do të kishte mocion mosbesimi për ta rrëzuar Qeverinë, por ja që tani nuk është e mundshme. Sepse tash ka ndodhur një ndryshim i madh sepse kemi një Qeveri që nuk varet nga Lista Serbe”, pati thënë kryeministri Albin Kurti.
Deputetë të PDK-së, parti kjo që ka udhëhequr më së shumti me procesin e dialogut, e kritikuan Kurtin për zhvillimet që rezultuan me braktisjen e institucioneve nga serbët e veriut.
“Data e 4-5 nëntorit është data më e keqe e historisë moderne të shtetit të Kosovës. Krejt çka është ndërtuar nga pavarësia është shembur”, akuzoi deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj.
“Dialogu, dialogu, dialogu, Serbia, tap në pozitë të kryeministrit, dialog. S’ka dialog, s’ka dialog, direkt e në dialog”, shtoi Arben Gashi i LDK-së.
E, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, punën e Qeverisë Kurti e ndërlidhi me zotin.
“Nëse vazhdon me demagogji as opozita s’ka me mujtë me të ndihmu, as Zoti”, u shpreh Haradinaj.
Diskutimet e gjata e polemikat pushtet-opozitë, mundohej t’i relaksonte kryeparlamentari Glauk Konjufca përmes humorit.
“Pal mos u var nga letra, mundohu me e thanë me fjalë tua”, deklaroi Konjufca.
Siç ndodh zakonisht, diskutimet maratonike u përmbyllën pa miratim të projekt-rezolutës që kërkonte dialog intensiv me serbët e Kosovës për t’i kthyer në institucione, komunikim me opozitën për rrugëdalje nga situata e krijuar dhe një samit disaditor në SHBA për përmbylljen e marrëveshjes finale me njohje Kosovë-Serbi.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime dhe Juridike thotë se mungesa e konsensusit mes partive është bërë një lloj tradite.
“Madje shpeshherë dialogu sikurse në të kaluarën edhe tash është përdorur për luftë të brendshme politike, për poentim politik apo ndoshta edhe për krijimin e një agjende politike për të ardhur në pushtet. Edhe ky mandat nuk ka qenë imun ndaj këtyre goditjeve”, shprehet Fetahu.
Megjithëkëtë ai sheh një lloj pajtueshmërie opozitë-qeveri në tema të caktuara karshi dialogut.
“Në njëfarë forme në pika të mëdha kanë qenë të pajtimit që Qeveria ta marrë një drejtim karshi dialogut. Sidoqoftë ka pasur dallime në metoda dhe mënyra se si Qeveria po dialogon dhe cili është pozicioni i partive opozitare karshi temave të caktuara. Sidoqoftë në aspektin e përgjithshëm të një marrëveshje finale, konsideroj që edhe partitë opozitare të paktën në diskursin e tyre publik kanë deklaruar se janë të gatshme ta kenë një lloj uniteti, të përfshihen ose ta japin imputin e tyre”, shton ai.
Ndërkaq Demush Shasha nga Instituti Epik, i cili prej vitesh përcjell zhvillimet rreth dialogut, thotë se ky proces ka qenë pikë ndarjeje në mes të pozitës dhe opozitës. Ai ka identifikuar dy dinamika për të cilat vlerëson se kanë krijuar polarizime duke pamundësuar krijimin e një konsensusi.
“E para, është se gjatë këtij viti nuk ka pasur një objektiv, një cak, një synim të qartë dhe specifik në kuadër të dialogut. Pra edhe ky vit shkoi nga kriza në krizë në kuadër të dialogut. Mungesa e këtij caku të qartë, rrjedhimisht, nuk ka lejuar krijimin e një konsensusi, gjenerimin e një diskutimi politik mes partive politike për hir të avancimit të dialogut apo për hir të arritjes së ndonjë marrëveshjeje...E dyta, dialogu vazhdon të perceptohet si mjet më praktik, më i rëndësishëm për ardhjen në pushtet. Pra ne kemi parë se tri apo katër qeveri në të kaluarën janë rrëzuar pikërisht për shkak të dialogut. Çdo herë për partitë që janë në opozitë, dialogu është një kartë shumë e mirë për të luajtur me qëllim të ardhjes në pushtet”, thotë Shasha.
Këtë vit, Kosovës e Serbisë iu prezantua edhe një plan për marrëveshjen finale, i hartuar nga Franca e Gjermania, me mbështetje të Bashkimit Evropian. Por diskutimet për të ende nuk kanë nisur. Mungesa e transparencës rreth këtij dokumenti, të cilin liderët shtetërorë nisën ta marrin seriozisht vetëm pasi për të folën haptas emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i BE-së për dialogun Kosovën-Serbi, Miroslav Lajçak.
E, opozita që në disa raste iu përgjigj ftesave të kryeministrit për të diskutuar rreth dialogut, u ankua se më shumë informacione morën nga emisarët Escobar-Lajçak sesa nga kryeministri Kurti.
“Partitë opozitare janë informuar dhe në detaje nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, në masën shumë më të thellë sesa që na informoi sot kryeministri”, pati thënë Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, më 30 gusht.
Përderisa situata vazhdon të jetë e tensionuar në terren, me barrikadat që u rikthyen nga serbët, diplomacia perëndimore ka ndezur motorët për t’i çuar palët drejt një marrëveshjeje finale.
Por, diskutime të menjëhershme ShBA-ja është duke kërkuar edhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë. Madje emisari Escobar, në vizitën e fundit, “kërcënoi” Qeverinë se nëse nuk i shpalos modalitetet, Asociacionin do ta bëjnë me parterët alternativë.
Entuziazmi i Qeverisë që marrëveshjes finale t’i vihet pika më së largu deri në marsin e 2023-tës u shua shpejt, pas rikthimit të tensioneve në veriun e populluar me shumicë serbe.
Për shkak të tensioneve në veri, ende nuk ka një datë se kur mund t’u rikthehen palët diskutimeve për marrëveshjen finale.