Arbëri

Viti 2023, vit i konsolidimit dhe rimëkëmbjes për BE-në, Ballkanin dhe Kosovën

Kosova - Bashkimi Evropian
 

Përderisa liberalizimi i vizave tashmë duket vetëm çështje formale, fati i temës tjetër të lidhur me raportet mes Kosovës dhe BE-së, ai i aplikimit për anëtarësim në BE, është më pak i parashikueshëm. Kosova e ka dorëzuar këtë aplikimin te Qeveria çeke, siç është edhe zakon në BE. Për këtë janë njoftuar të gjitha vendet anëtare, ndërsa tash i takon Presidencës suedeze që të nisë procedurën e shqyrtimit në Këshill

Viti 2022 ishte një vit tjetër i vështirë për Bashkimin Evropian e për tërë Evropën, dhe sfidat e njëjta do të barten edhe në vitin 2023. Sapo kishte nisur t’i ndiente efektet e para të daljes nga kriza që kishte shkaktuar pandemia e koronavirusit, me një rritje të madhe ekonomike, ulje të papunësisë dhe kthim të stabilitetit fiskal, vendosjen e epidemisë nën kontroll pas vaksinimit masiv, agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ndryshoi gjithçka. Evropa, e me këtë edhe Bashkimi Evropian u përballën me pasoja të menjëhershme dhe me presionin që të përgjigjen me urgjencë ndaj situatës së re të krijuar. Mbi 6 milionë ukrainas gjetën strehim në vendet e Bashkimit Evropian. BE-ja dhe vendet anëtare të NATO-s u desh t’i jepnin Ukrainës edhe ndihmë ushtarake, financiare dhe humanitare. Në anën tjetër, u miratuan disa sanksione ndaj Rusisë. Të gjitha këto kishin ndikim në sigurinë e furnizimit me naftë dhe gaz nga Rusia, nga e cila BE-ja ishte shumë e varur. Për pasojë, pati rritje dramatike të çmimeve të energjisë, e cila shkaktoi inflacion enorm në shumë vende të BE-së.

në fund të vitit 2022, BE-ja zvogëloi dukshëm varësinë nga Rusia, rriti bashkëpunimin me vendet evropiane që nuk janë në BE, përfshirë edhe ato nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, gjeti alternativa të furnizimit me gaz. Por e gjithë kjo mbeti si një punë e papërfunduar që duhet vazhduar edhe në vitin e ri.