Zyrtarisht është emisar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi. Por këtë vit shumicën e kohës Miroslav Lajçak ka qëndruar në pozitë ofsajd.
Derisa në Bruksel ai ka qenë kryesisht në hije të përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, vizitat në Kosovë e Serbi jo pak herë i ka bërë nën shoqërinë e të tjerëve.
Në një nga to, rolin kryesor e patën Jens Plotner, këshilltar i kancelarit gjerman Olaf Scholz, dhe Emmanuel Bonne, këshilltar i presidentit francez, Emmanuel Macron. Ndryshe nga Lajçak që u mor me problemet e vogla, këta të dy shtynë përpara planin franko-gjerman, që u bë bazë për negociatat në vijim. Madje në një rast e lanë Lajçakun t’u përgjigjej gazetarëve.
Lajçak vizitoi Prishtinën dhe Beogradin edhe nën përcjelljen e emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ngjashëm veproi edhe në vizitën e fundit, me synimin për t’iu dhënë zgjidhje tensioneve në veri të shkaktuara pas braktisjes së institucioneve nga serbët dhe pas vendosjes së barrikadave, për të cilat tha se duhet hequr me dialog e jo me buldozerë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.