Importi i rriti të hyrat e Doganës, por krijoi pabarazi karshi prodhuesve vendorë
Dogana e Kosovës vitin e kaluar grumbulloi rreth 1 miliard e 531 milionë euro apo 154 milionë euro më shumë sesa në vitin 2021. Në rritjen e të hyrave, sipas drejtorit të Doganës, ka ndikuar inflacioni. Rritje më 2022 pati edhe në Administratën Tatimore. Por, sipas ekonomistëve, rritja në import ka ndikuar në shtimin e konkurrencës së pabarabartë dhe e ka favorizuar atë karshi prodhimeve vendore
Rritja e çmimeve për produkte të importit ka ndikuar që Dogana e Kosovës gjatë vitit 2022 të grumbullojë rreth 154 milionë euro më shumë sesa në vitin 2021.
Drejtori i përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu, ka bërë të ditur se të hyrat gjatë vitit kanë qenë 1 miliard e 531 milionë euro. E përderisa vlera e mallrave të importuara ka qenë rreth 5.6 miliardë euro, ajo e të eksportuarave ishte vetëm 869 milionë euro.
“Performanca e rritjes së të hyrave varet nga shumë faktorë, njëri prej tyre është edhe rritja e inflacionit, pa dyshim. Ajo që rritet inflacioni, ne i kemi tri kategori të mallrave që përbëjnë mbi 50 për qind të buxhetit që mbledh Dogana e Kosovës, këto janë derivatet e naftës, automjetet dhe cigaret. Tek dy kategoritë e para kemi pasur rënie të theksuar në sasi dhe ajo ndikon në rënie edhe të të hyrave, pasi që kemi akcizën për copë. Tek cigaret kemi pasur një rritje të lehtë, diku prej 13-14 për qind”, ka deklaruar Llugaliu të premten në një konferencë për media.
Llugaliu ka treguar se Kosova gjatë 2022-tës ka importuar më së shumti nga Turqia, përderisa ka shënuar rënie të importit nga Serbia, në krahasim me vitet 2017-2018.
“Turqia është dukshëm vendi që importojmë më së shumti. Kjo ka ndikuar për shkak të rënies së numrit të rënies së automjeteve që vijnë kryesisht nga Gjermania. E dimë se kanë ndikuar çmimet në nivel global të automjeteve dhe ofertat e kufizuara”, ka thënë ai.
Ai ka bërë të ditur se gjatë vitit është luftuar edhe ekonomia joformale dhe se gjatë kohës sa ishin të vendosura barrikadat në veri, në dy pikat kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak - kanë qëndruar edhe doganierët e Kosovës.
Edison Jakurti, doktorant i ekonomisë, ka theksuar se kur ka rritje të importit gjenerohet edhe rritja e konkurrencës së pabarabartë dhe se favorizohet importi karshi prodhimeve vendore.
“Krejt kjo do të ishte arsyetuar nëse mallrat e importuara do të ishin me çmime më të lira, por një prej arsyeve kryesore të rritjes së çmimeve këtë vit vjen pikërisht prej mallrave të importuara. Pra, nuk kemi përfituar as nga çmimet më të ulëta të importit, që është ndër argumentet kryesore për ta favorizuar importin karshi prodhimit vendor. Dhe kështu na rritet buxheti, por nuk na përmirësohet ekonomia”, ka thënë Jakurti.
Rritje të të hyrave ka pasur edhe në Administratën Tatimore të Kosovës. Vitin e kaluar ky institucion ka grumbulluar 721.6 milionë euro, apo 124 milionë më shumë sesa një vit më parë.