Kurti: Shkëmbimi i territoreve ka dështuar si projekt, por jo edhe si ide

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shkëmbimi i territoreve si projekt ka dështuar, por si ide ende ekziston.
Në një intervistë për Al Jazeeran, ai ka thënë se ky projekt nuk do të ndodhë sepse është formulë për luftë dhe vazhdimi pro kësaj ide, ka shtuar ai, nuk çon në përparim të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë.
“Jam i sigurt se presidenti serb është nostalgjik për ato kohë, që nënkupton se projekti politik i shkëmbimeve të territoreve ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur. Por, nostalgjia nuk është një ndjenjë me të cilin mund të bëjmë progres. Shkëmbimi i territoreve nuk do të ndodh. Shkëmbimi i territoreve është formulë për luftë. Nuk mund të kesh kufij perfekt etnik, gjithmonë do ketë njerëz që ndjejnë se janë në anën e gabuar të tij. Ajo që kemi nevojë janë republikat që kanë marrëdhënie normale dhe demokraci. Demokracitë nuk e luftojnë njëra-tjetrën”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, Kurti ka folur për krizën e fundit në veri dhe nëse mund të ketë përsëritje. Ai ka theksuar se ajo nuk ka qenë e fundit dhe se mund të shfaqen kriza të tjera për shkak të bandave kriminale.
“Kriza nuk ka përfunduar sepse Kosova dhe Serbia kanë marrëdhënie jonormale. Kemi nevojë për marrëveshje për normalizim me fokus njohjen. Nga ana tjetër, kriza nuk ka përfunduar sepse strukturat ilegale të Serbisë që janë atje që nga 1999, së fundmi janë kthyer në banda kriminale që kanë ngritur barrikada. Agresiviteti i tyre që është rritur është shprehje direkte e panikut të tyre. Ata e dinë që sundimi i ligjit në Republikën tonë është më i fuqishëm se kurrë dhe nga frika ata kanë ngritur këto barrikada dhe nga frika i kanë hequr”, ka deklaruar ai.
Ai ka mohuar se për heqjen e barrikadave ekziston një marrëveshje e fshehtë ashtu siç është thënë, ndërsa ka thënë se Qeveria e tij po garanton siguri dhe se është më “proevropiane, proamerikane dhe demokratike në tërë Ballkanin”.
“Nuk i japë premtime dhe garanci kriminelëve që kanë fletarrestime dhe që në të njëjtën kohë janë futur në listën e zezë nga Thesari i SHBA-së dhe Britania”.
Kurti ka thënë se bandat kriminale po i frikësojnë serbët e Kosovës duke i bërë që të mos i kundërshtojnë.
“Tani mediat nuk janë aq influencuese si dikur, por struktura ilegale që janë shndërruar në banda kriminale po kërcënojnë serbët dhe kjo është faktori kryesor që të disiplinohen serbët sipas vizionit të Beogradit. Ai vizion është Kosovë pjesë e Serbisë. Ata duan ta zbulojnë një makinë të kohës dhe të kthehen në shekullin e kaluar, nuk do të ndodh kështu që ata mund ta bëjnë budalla vetëm vetën. Serbët e Kosovës e dinë këtë mirë, por gjithsesi janë të frikësuar.”
Kurti ka deklaruar tutje se në Kosovë nuk mund të ekzistojë një asociacion me bazë etnike apo çfarëdo organizimi institucional.
Kryeministri ka shtuar në fund se ndihet i kërcënuar nga Serbia si regjim i Rusisë dhe se për këtë arsye tha se ka kërkuar trupa shtesë të NATO-s.
“Lidhjet e fuqishme mes Serbisë dhe Rusinë na shqetësojnë, prandaj na duhen më shumë trupa të NATO-s. ndihem i kërcënuar nga Serbia, që është regjim klient i Rusisë. Bashkëpunimi i tyre është rritur pas pushtimit të Ukrainës, prandaj na duhen më shumë trupa”, ka përfunduar Kurti.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Sinani akuzon Arifin për nënshtrim ndaj Serbisë, ky e quan gënjeshtare - shkak flamuri serb

Poshtë Ibrit, vetëm në Graçanicë respektohet thirrja e Listës Serbe për ditë zie

Dialogu konsiderohet i pakuptimtë, përderisa nuk zbardhet rasti i sulmit në veri
