3 perditesime
14:47

Kurti: Çështja e Asociacionit mund të adresohet në propozimin e BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë çështja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të adresohet në planin e Bashkimit Evropian, që më herët u quajt si plani franko-gjerman, por siç thotë ai, pa nënvlerësuar Kushtetutën.

Në një konferencë për media të enjten pas takimit me kancelarin austriak Karl Nehammer në Vjenë, Kurti është shprehur se propozimi i BE-së është bazë e mirë për të vazhduar me negociata me Serbinë.

“BE-ja dhe Borrelli insistojnë që ai plan të quhet propozimi i BE-së, i përkrahur nga Gjermania e Franca. Këtë e pranoj plotësisht. E kemi pranuar këtë propozim më 9 shtator. Është bazë e mirë ky propozim për të vazhduar më tutje në negociata. Jemi në një moment kur flasim e diskutojmë për një marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve. Aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet”, ka thënë Kurti.

Megjithatë, kreu i Qeverisë ka përsëritur se Kushtetuta e Kosovës në frymën e saj nuk e lejon krijimin e një Asociacioni njëetnik.

“Sipas Kushtetutës, që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga Ahtisaari që e ka fituar çmimin Nobel, në frymën e saj nuk lejon Asociacion njëetnik. Fjalia e parë e atij plani thotë që Kosova duhet të jetë shoqëri multietnike. Asociacionet apo institucionet njëetnike nuk janë në frymën e atij plani të Kushtetutës. Megjithatë, ne ofrojmë garancitë më të mëdha për të gjitha pakicat në Kosovë. Jam shumë i angazhuar në këtë drejtim, pa nënvlerësuar kushtetutshmërinë e vendit tonë”, ka shtuar Kurti.

Ndërkombëtarët vazhdojnë të këmbëngulin për krijimin e Asociacionit. Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, qëndroi të mërkurën për një vizitë në Kosovë, teksa ka thënë se Asociacioni duhet të krijohet në përputhje me Kushtetutën. Bashkë me të ishte edhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që pati qëndrim të njëjtë.

14:18

Kurti: Dialogu duhet të çojë në marrëveshje të përqendruar në njohje reciproke

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët me Kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, ka thënë se gjatë takimit ndër të tjera kanë folur edhe për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kurti ka thënë se qasja e Kosovës në këtë proces është konstruktive dhe se dialogu do të duhej të qonte në një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve, të përqendruar në njohje të ndërsjellë.

“Kam informuar Kancelarin Nehhammer për qasjen tonë konstruktive e kreative, pra si qëndrim, dhe normalisht edhe proaktiv, në dialogun me Serbinë, dialogu që do të duhej të çonte drejt marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve tona, të përqendruar në njohje të ndërsjellë”, ka theksuar Kurti.

Kurti ka thënë se synimi i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

“Ne do të vazhdojmë agjendën tonë të reformave duke shtruar rrugën për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për të cilin kemi aplikuar para një muaji. Ne e vlerësojmë mbështetjen austriake për aplikimin tonë në bazë të vlerësimeve tona të pavarura Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe synimi ynë është që të jemi pjesë plotësisht e integruar e BE-së”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë i janë mirënjohës Austrisë për mbështetjen. “Austria është mike e afërt dhe partnere e rëndësishme për Kosovës, dhe na ka ndihmuar në betejën tonë për çlirim dhe rrugën tonë drejt paqes, bashkë me ushtarët austriakë që kanë shërbyer për vite të tëra në forcat e KFOR-it në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.

Sipas Kurtit janë rreth 70 mijë qytetarë kosovarë që qëndrojnë në Austri e që sipas tij shërbejnë si ambasadorë të Kosovës.

12:47

Kurti pritet me nderime të larta në Austri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur me nderime shtetërore në vizitën e tij në Austri.

Kurti u mirëprit nga kancelari kancelari austriak Karl Nehammer për një takim bilateral.

Pas takimit, do të ketë një konferencë të përbashkët për media.

Gjatë qëndrimit njëditor në Vjenë, Kurti, po ashtu do të marrë pjesë në diskutimin me temë "Ballkani Perëndimor: pjesë qendrore e paqes së qëndrueshme në Evropë" të organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, Instituti Austriak për Politika Evropiane dhe të Sigurisë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri.

Diskutimi do të fillojë në orën 18:30.

08:33

Kurti takohet sot me kancelarin austriak në Vjenë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten do të jetë në Vjenë për një vizitë zyrtare, ku do të pritet nga kancelari austriak Karl Nehammer.

Kreu i Qeverisë do të pritet me nderime ushtarake, ndërsa më pas do të takohet me Nehammerin për të biseduar rreth zhvillimeve të fundit.

Pas takimit, pritet të ketë konferencë për shtyp nga të dy liderët.

Kurti në mbrëmje do të marrë pjesë në një diskutim të Institutit Austriak për Politikat Evropiane dhe të Sigurisë (AIES) për Ballkanin Perëndimor në Akademinë Diplomatike në Vjenë.