4 perditesime
21:41

Surroi: Sanksioni më i madh, të rrimë në gjendjen ku jemi

Publicisti Veton Surroi ka konsideruar se sanksioni më i madh me të cilin do të mund të përballej Kosova është që të rrijë në një gjendje në të cilën është aktualisht. Sipas tij, Kosova po qëndron në një gjendje të konfliktit të papërfunduar me Serbinë.

“Ky është sanksion i mjaftueshëm për Kosovën sepse nuk garanton një perspektivë stabiliteti, garanton cikle të përhershme tensioni, nuk garanton një rrugë evropiane. Mund të ketë sanksione të tipit financiar, të fondeve IPA, një sanksion që është vendosur në formë imediate është se dje nuk është futur në rend dite çështja e procesit tonë të anëtarësimit në Këshill të Evropës”, ka thënë ai të enjten në emisionin “Konfront” në KTV duke komentuar planin evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe rreziqet me të cilat mund të përballet vendi po që se nuk arrihet marrëveshja.

Duke komentuar çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Surroi ka thënë se duhet pasur kujdes në mënyrë që të mos shkohet deri te majat e jofunksionalitetit të shtetit.

“Niveli i vetadministrimit është se po problematizohet paketa e Ahtisaarit. Sepse po konsiderohet e pamjaftueshme. Nëse konsiderohet e pamjaftueshme, pyetja ime imediate është ku, në cilat pika është e pamjaftueshme? Çka është ajo që i nevojitet komunitetit serb në mënyrë që të ndihet më i sigurt dhe më i integruar në Kosovë? Dhe pastaj duhet të dalim sepse sistemi kushtetues i Kosovës i atillë që e kemi prodhuar në procesin negociator të Vjenës, ka arritur deri te majat e jofunksionalitetit. Të shkohet përtej, do të defunksionalizohet Kosova, prandaj duhet pasur kujdes dhe prandaj duhet hapur këtë çështje në formë të esëllt, çka është ajo e pamjaftueshme në sistemin tonë kushtetues juridik për komunitetin serb”, ka thënë ai.

Për takimin e thirrur nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë më 31 janar, ku temë diskutimi do të jetë Asociacioni, Surroi ka thënë se është më mirë të përfshihen sa më shumë njerëz në diskutim.

“Nga aspekti pozitiv është një zgjerim i debatit për një çështje e cila është thelbësore për Kosovën. Jemi duke folur për një koncept të ri të shtetit, për mundësinë e rikonceptimit të shtetit dhe kjo është serioze, sa më shumë njerëz që janë të përfshirë, me sa më shumë mendime, aq më mirë”, ka thënë ai.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani ka vlerësuar se me aleatët ndërkombëtarë duhet të bëhen pazare “në kuptimin e diskutimit të hapur e të sinqertë, por që në biseda duhet të adresohen edhe shqetësimet e vendit”.

20:52

Surroi: Plani evropian, proces i ri që s’e ka njohjen reciproke

Publicisti Veton Surroi ka deklaruar në KONFRONT-in e KTV-së se plani evropian për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, është proces që mundëson normalizim marrëdhëniesh dhe shmangie të tensioneve, por që, sipas tij, plani, s’e përmban njohjen e ndërsjellë.

“Kemi një kornizë të re negociatore. Këtu thuhet se rregullimi i marrëdhënieve bëhet në kuadër të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Pra, jemi subjekt i të drejtës ndërkombëtare, ndonëse s’jemi anëtarë të OKB-së. Kemi të bëjmë me një koncept të ri...Do të kemi një situatë ku marrëdhëniet tona do ta kenë normalitetin të cilit i mungon njohja e ndërsjellë. Kjo do t’i hapë perspektivë të re Kosovës për dalje nga cikli i përhershëm i tensioneve”, ka deklaruar Surroi.

Sipas tij, dialogu i zhvilluar nga viti 2013 deri më 2018, pos hapjes së çështjes të statusit për Kosovën, ka qenë pro hapjes edhe të çështjes së territorit. Sipas Surroit, dialogu i tanishëm është koncepti ri që e konsideron Kosovën subjekt të panjohur nga Serbia, por që as Serbia s’do ta ketë njohjen e Kosovës.

“Njohja s’është e njëanshme, edhe Serbisë do t’i duhet një ditë njohja nga Kosova. Marrëveshja duhet ta vendosë në çështje të sigurisë evropiane. Është me rëndësi që në këtë moment të vendoset një qartësi lidhur me parimet dhe një lidhur me atë të implementimit”, ka thënë ai.

Ndërsa, profesori i të drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, u shpreh se aktualisht Kosova në disa vendime ndërkombëtare po konsiderohet si vend, e jo si shtet me sovranitet.

“Ne jemi subjekt i të drejtës ndërkombëtare...Kjo nënkupton se kur ka marrëveshje, pala e sheh kah këndi i vet. Kosova s’mund t’i regjistrojë marrëveshjet ndërkombëtare në OKB”, ka deklaruar ai.

Publicisti Surroi u shpreh se duhet të ketë përgatitje për unitet të brendshëm politik.

“Kosova e Serbia të përgatitën për unitet politik. Duhet parë dokumentin dhe së dyti, duhet gjeneruar ide dhe mundësi për të aplikuar këto parime në formën më të mirë të mundshme. Do të ketë nevojë për debate, përfshirë edhe bashkësinë e komunave serbe. Ajo që duhet të ndodhë është që pushteti e opozita të ulen bashkë dhe ta shikojnë këtë dokument me seriozitet të madh”, ka thënë Surroi.

Surroi ka thënë se procesi i tanishëm nënkupton rrugën për daljen nga cikli i tensioneve.


Surroi: Pushteti i decentralizuar në Kosovë është centralizuar nën ndikimin e Beogradit

Publicisti Veton Surroi ka deklaruar se sa më shumë që serbët janë decentralizuar nga pushteti në Kosovë, aq më shumë janë centralizuar nën ndikimin e Beogradit.

Surroi ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se për Kosovën do të jetë problem koncepti i ri i administrimit, për shkak të ndikimit të Beogradit te strukturat e pushtetit lokal.

“Bashkësia ndërkombëtare dhe miqtë që kanë dashur ta ndihmojnë Kosovën kanë folur gjithmonë se ka nevojë për decentralizim të pushtetit, që pushteti të mbërrijë sa më afër qytetarëve prandaj janë formuar edhe komuna si Parteshi e Novobërda, komuna të vogla. Por krahas decentralizimit kemi pasur edhe centralizim, sa më shumë që janë decentralizuar nga pushteti në Kosovë janë centralizuar nën ndikimin nga Beogradi dhe këtu kemi një problem disbalanci se si do të krijohet një koncept i ri administrimit i cili nënkupton që Kosova të jetë rehat me nivelin e ndikimit që ka Beogradi te strukturat e pushtetit lokal në Kosovë”, ka thënë Surroi.

20:36

Hasani: Problem i planit, rregullimi i çështjes së Kishës

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se një ndër problemet që mund të paraqiten me planin evropian për Kosovën është rregullimi i çështjes së Kishës Ortodokse Serbe.

I ftuar të enjten në “Konfront” të KTV-së, Hasani ka thënë se mendohet që një zgjidhje e ngjashme sikurse në Mal të Zi, të bëhet edhe në Kosovë.

Hasani ka përmendur edhe disa probleme të tjera, të cilat sipas tij lidhen me integritetin territorial e garantimi i kufijve.

“Pjesa çka s’thuhet aty është që integriteti territorial, njëra palë është sovrane dhe e pavarur siç është Serbia, pala tjetër e ka të garantuar pjesën që kufizohet me Maqedoni, ndërsa pjesa me Serbi është me vijë ndarëse dhe ajo konceptualisht nuk ndryshon. Problemi tjetër është çështja rregullimit formal të Kishës, mendohet një zgjidhje që është bërë në Mal të Zi. Për çështjen e garantimit të kufijve duhet të ketë një lloj deklarate të përbashkët, për Kishën duhet ketë një marrëveshje, për çështjen e autonomisë duhet të ndryshojë Kushtetuta”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, plani për të cilin ka shumë publikime në media, por se origjinali nuk është bërë zyrtar, nuk ka ndryshime të mëdha prej atij që është publikuar në vjeshtë të vitit të kaluar.

“Shihet se është reflektuar në tekst dhe ta zëmë pjesa dhe baza historike e tij është marrëveshja mes dy Gjermanive dhe është një handikap i madh sepse dihet origjina historike e asaj marrëveshjeje bazohet në faktin se Gjermania kur ka kapitulluar është konsideruar territor pa të zot dhe është ndarë në zona të pastra ushtarake dhe teknikisht ngjason në aspektin ndërkombëtar ngjason me Kosovën sepse Qeveria nuk ka qenë legjitime dhe e njohur”, ka thënë ai.

20:30

Surroi përmend dy sfida lidhur me planin evropian

Image

Publicisti Veton Surroi ka thënë se ekzistojnë dy sfida që lidhen me planin evropian, i njohur ndryshe edhe si plani franko-gjerman.

Surroi ka thënë se njëra është çështja e vetadministrimit të serbëve të Kosovës, dhe tjetra është pëligjja e statusit të Kishës Ortodokse serbe.

“Është sfidues sepse duhet të zhvillojmë një proces negociator i cili në dallim prej proceseve të kaluara ku thuhej duhet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative, që ishte një fjalë kot për njohjen e ndërsjellë, tash hyjmë në një proces i cili duhet të krijojë normalizim pa njohje të ndërsjellë por duke hapur pastaj një hap tjetër negociator për marrëveshje të obligueshme. Dy janë sfidat imediate të inkorporuara në këtë projekt. Është çështja e vetëadministrimit të serbëve të Kosovës, dhe është përligjja e statusit të Kishës Ortodokse serbe. Ne kemi menduar se këto janë tejkaluar me planin Ahtisaari, me procesin negociator në Vjenë”, ka thënë Surroi të enjten në “Konfront” të KTV-së.

Megjithatë, sipas tij, kjo është kërkesa më serioze negociatore prej Ahtisaarit e tutje.

“Është serioz sepse në Rambuje kemi hyrë me disa parime të panegociueshme që i janë ofruar palëve dhe pastaj kemi krijuar një kornizë e cila ka prodhuar një rezultat për Kosovën dhe çlirimin e saj. Në procesin e Vjenës kemi hyrë në parime të panegociueshme të cilat janë dakorduar edhe me Federatën ruse. Kësaj here kemi të bëjmë me parime që pretendohet se janë të panegociueshme që janë dakorduar fillimisht mes Gjermanisë dhe Francës pastaj me BE-në dhe SHBA-në. Kemi të bëjmë me kërkesën më serioze negociatore prej Ahtisaarit e tutje”, ka shtuar Surroi.

Surroi po ashtu ka thënë se Procesi i Berlinit ka treguar se ai nuk mund të gjenerojë përgjigje të reja me formula të vjetra.

20:19

Hasani: Lufta në Ukrainë dinamizoi dialogun

Image

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, deklaroi në KONFRONT-in e KTV-së se agresioni rus në Ukrainë shkaktoi dinamizim të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai deklaroi të enjten se lufta e iniciuar në Ukrainë, në një territor evropian, i nxiti vendet perëndimore që të shtyjnë Kosovën dhe Serbinë për diskutim mbi marrëveshjen finale.

“Refleksioni i agresionit ka qenë trimërimi i forcave agresive nacionaliste në këtë pjesë të Evropës. Për pasojë, në këtë pjesë ka qenë marrëdhënia me Serbinë, që t’i ngushtohet hapësira Rusisë. Lufta në Ukrainë ka qenë faktori kryesor i asaj që ndodhi në Kosovë”, deklaroi Hasani.

Sipas profesorit universitar, propozimi për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë ka në përbërje paqen, sigurinë dhe stabilitetin.