Skender Perteshi nga Qendra kosovare për studime të sigurisë, ka deklaruar se grupi “Wagner” është aktiv edhe në Ballkanin Perëndimor, me qëllim që Perëndimit t’ia destabilizojë situatën.
Ai ka thënë të enjten në Interaktiv të KTV-së se “Wagneri” rus operon me direktiva të presidentit Vladimir Putin, me qëllimin që Kosovën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor t’i mbajë nën tension dhe konflikt.
“Nga 2014-a, diku 130 serbë të Kosovës i janë bashkuar ‘Wagnerit’ në luftëra të tjera. Nuk është numër shumë i madh. Rajonin e Ballkanit s’e sheh Rusia si vend që të thithë ushtarë për luftëra. Në Afrikë dhe në Afganistan ka rekrutuar shumë ushtarë dhe atje ka potencial për rekrutim. ‘Wagnerit’ i intereson që të krijojë sa më shumë vatra lufte, aty ku Perëndimi ka rol, duke tentuar të krijojë probleme ta tërheqë vëmendjen e Perëndimit dhe ta shpërndajë vëmendjen e Perëndimit, por edhe të BE-së”, u shpreh ai.
Sipas Perteshit, Kosova shihet si vend i përshtatshëm për destabilizim nga rusët pasi statusin s’e ka ende të përfunduar.
“Ka grupe huliganësh dhe të ashtuquajtur ujqërit e natës, apo ish paramilitarë që kanë luftuar në Kosovë, në Bosnje, që kanë kryer krime dhe janë lënë anash. Ata e kanë ëndrrën që Perëndimi ia ka marrë Kosovën Serbisë. Ekziston ideja e rekrutimit të njerëzve për të ndërmarrë ndonjë sulm”, ka thënë Perteshi.
Ai ka theksuar se Serbia ka nënshkruar marrëveshje me Rusinë për të krijuar një qendër kulturore në Beograd, me qëllimin që t’i ndjekin, persekutojnë dhe t’i kërcënojnë rusët liberalë, “që kanë ikur nga regjimi i Putinit”.
“Një pjesë e tyre (rusëve liberalë v.j.) janë në Beograd. Qëllimi i ‘Wagnerit’ është t’i parandalojë ata. Vuçiqi i ka bërë kërkesë Moskës që të ndalojë kërkesën për rekrutimin e qytetarëve serbë për në luftën në Ukrainë. Ka dhjetëra serbë të arrestuar për pjesëmarrje në luftëra të ndryshme. Ka edhe organizime ushtarake serbe për patrullime me Rusinë. Po ashtu, Qeveria e Serbisë nënshkroi marrëveshje me Rusinë për unifikimin e politikes së jashtme. Jo rastësisht ‘Wagner’ ka hapur qendër në Beograd”, ka thënë ai.
Perteshi ka deklaruar se Rusia e ka aktive zyrën ndërlidhëse në Prishtinë, me qëllim që të marrë sa më tepër informacione për Kosovën dhe stabilitetin e sigurisë.
“Zyra ndërlidhëse ruse ka qenë aktive në Prishtinë. Kanë marrë pjesë në takime. Derisa s’ka pasur vendim për të kërkuar largimin e tyre, besoj se janë prezent, por me mbikëqyrje të autoriteteve të sigurisë lokale dhe ndërkombëtare. Gjithmonë ka pasur probleme me prezencën ruse në Kosovë dhe në Ballkan. Para dy vitesh, 2-3 zyrtarë rusë janë larguar nga Shqipëria me dyshimin se janë infiltruar”, ka thënë Perteshi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.