Me vagonë të vjetruar dhe xhama të thyer ka mbetur linja e vetme funksionale e trenave në Kosovë, ajo nga Prishtina për në Pejë dhe anasjelltas. Udhëtimi me një linjë të vetëm dhe dy orare në vajtje dhe dy në ardhje ka bërë që numri i pasagjerëve të bjerë në krahasim me vitin 2019. Me bileta të udhëtarëve, treni nuk arrin ta mbulojë as koston e qarkullimit. Sipas ndërmarrjes “Trainkos”, kostoja mesatare e një linje vajtje-ardhje është 2 mijë e 617 euro. Kostoja vjetore është 19 herë më e madhe sesa fitimi që ka ndërmarrja nga biletat
Me katër vagonë, xhama të thyer dhe maksimumi 70 kilometra në orë udhëtohet çdo ditë me tren në linjën e vetme funksionale hekurudhore në Kosovë, atë Prishtinë-Pejë dhe anasjelltas.
Fishkëllima e dyfishtë e borisë është i vetmi sinjal që tregon se treni është afër stacionit në kryeqytet, ndërtesë kjo që ngjan me ndonjë objekt të boshatisur.
Zhurma e lokomotivës që tërheq vagonët paralajmëroi udhëtarët e pakët që po prisnin pranë hekurudhës që të bëhen gati për udhëtim.
Por, i pakët nuk ishte numri i qytetarëve që në ora 7 e 35 zbritën në stacionin e fundit në kryeqytet.
Pas 15 minutash, sa lokomotiva u bë gati për nisje, edhe udhëtarët u rehatuan nëpër vagonët e trenit. Shumë ulëse mbetën bosh. E me të hyrë në të, vihet re vjetërsia e katër vagonëve që ngrehen nga një lokomotivë më e vjetër se 40 vjet.
Vagonët janë në funksion vetëm prej pesë vjetësh, por duken sikur t’i kenë mbijetuar luftës së fundit. Pothuajse asnjë nga xhamat e tyre nuk ka mbetur pa u dëmtuar nga persona të papërgjegjshëm, të cilët kanë hedhur gurë në drejtim të tyre gjatë kohë sa ishin në lëvizje.
Por, përkundër vjetërsisë, udhëtarët thonë se brenda tyre ndihen komod dhe sigurt.
Këtë e thotë edhe Skender Isufi nga Drenasi, i cili udhëton me tren çdo të dytën ditë.
“Për mua është udhëtimi më i rehatshëm, më i sigurt se sa të gjitha automjetet e tjera dhe për këtë e përdori më tepër... Normal sikur autobusët, edhe këtu nuk kushtet janë aq të mira dhe moderne, por edhe të këqija nuk janë. Kushtet janë të mesme”, thotë Isufi.
Rruga i duket më e shkurtër teksa ndërron ndonjë llaf me bashkudhëtarin që e ka në ulësen përballë.
Të rehatshëm e më të lirë e përshkruan udhëtimin me tren edhe profesori Xhafer Ademi, i cili viteve të fundit është zhvendosur në kryeqytet, por vazhdon të japë mësim në një shkollë në një fshatë të Skenderajt.
“Unë zakonisht punoj në një shkollë të Skenderajt dhe udhëtimi me tren mua më duket shumë i rehatshëm, shumë më i mirë se sa me autobus dhe vetëm për këtë arsye. Çmimet janë pak më të lira”, thotë Ademi.
Pak fitime e shumë shpenzime
Por, me bileta të udhëtarëve, treni nuk arrin që ta mbulojë as koston e qarkullimit.
Sipas ndërmarrjes “Trainkos”, kostoja mesatare e një linje vajtje-ardhje Prishtinë-Pejë dhe anasjelltas është 2 mijë e 617 euro.
Kjo i bie që për një vit treni shpenzon 955 mijë euro vetëm për qarkullim, ndërsa për një vit nga biletat e udhëtarëve janë nxjerrë rreth 50 mijë euro.
Punëtorët e kësaj kompanie, veteranët, invalidët, familjarët e dëshmorëve dhe fëmijët janë të liruar nga pagesa e biletës. Ndërsa pensionistët, personat me aftësi të kufizuara, studentët dhe disa kategori të tjera paguajnë biletë me çmim të përgjysmuar. Lirime ka edhe për kategori të tjera.
Në vitin 2019 kjo ndërmarrje nga biletat e udhëtarëve ka përfituar rreth 100 mijë euro. Pandemia dhe fillimi i rehabilitimit të linjës hekurudhore 10 në relacion nga Fushë-Kosova në Han të Elezit, uli fitimin dhe izoloi transportin hekurudhor, duke ndërprerë linjën e vetme që Kosova e kishte me vendet e rajonit, atë Prishtinë-Shkup.
Kjo ka ndikuar edhe në rënien e numrit të udhëtarëve.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, derisa në vitin 2017 numri i udhëtarëve ishte 156 mijë, në vitin që e kemi lënë pas numri i tyre ka rënë në 60 mijë.
Por, për të mbajtur të gjallë këtë lloj të transportit, Qeveria ndan çdo vjet rreth 2 milionë euro.
Vagonët nën sulm
E, vagonët që bartin udhëtarët në linjën e vetme të transportit hekurudhor në Kosovë shpesh janë cak i goditjeve me gurë, derisa ndodhen në lëvizje.
Në ndërmarrjen “Trainkos” që menaxhon me trena nuk kanë dhënë shifra se sa incidente kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar dhe në këtë fillimvit, por e pranojnë se kohë pas kohe xhamat e vagonëve dëmtohet.
“Me procedura të rregullta informohen organet e rendit për ketë dukuri, në stacionin më të afërt ku ndodh gjuajtja. Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë ndërmarrë veprime për të ndikuar në individët apo komunitetin për të cilin/cilët dyshohet”, ka bërë të ditur zëdhënësi i “Trainkos”, Behxhet Haziri.
Në Policinë e Kosovës kanë bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar në stacionin policor në Fushë Kosovë janë paraqitur dy raste të sulmit me gurë në drejtim të trenit.
“Ne konsultim me prokurorin kujdestar nuk janë iniciuar raste, mirëpo kanë mbetur me raporte të policit në nivel stacioni, pasi që personat që kanë kryer ketë vepër kanë qenë të mitur (12-13-vjeçar) raportet në fjalë janë përcjellë te QPS. Këto sulme kanë ndodhur në Lagjen 28 dhe Lagjen 07, të dy këto lagje te komunitetit ashkali”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Ani se në “Trainkos” thonë se xhamat ndërrohen pas dëmtimit, një gjë tjetër e thotë gjendja e vagonëve, të cilët janë në muajt e fundit të vlefshmërisë teknike.
E udhëtarët janë shprehur të indinjuar më dëmtimin që u bëhet vagonëve.
Astrit Tafilaj, i cili udhëton nga Prishtina për në Klinë, thotë se kjo gjendje është për keqardhje.
“Gjendja në të cilën janë dëmtuar xhamat është e tmerrshme sepse njerëzit që e kanë sulmuar trenin, kanë qenë të përgatitur. Nëse dritarja do të kishte vetëm një shtresë e xhamit, guri do të kishte depërtuar brenda dhe do ta lëndonte dikë. Kjo është për t’u brengosur. Është për keqardhje. Njerëzit duhet të vetëdijesohen”, thotë ai.
Aktualisht me tren udhëtohet vetëm deri në Pejë, ndërsa treni ndalet nëpër fshatra të komunave, teksa kalon në Drenas dhe Klinë.
Bileta deri në Pejë kushton 3 euro.
Trenat e Kosovës nuk kanë lidhje me asnjë linjë ndërkombëtare, pasi edhe ajo për në Shkup është ndaluar, shkaku i punimeve në hekurudhë.
Para luftës, qytetarët e Kosovës kanë pasur mundësi që të udhëtojnë në shumë vende perëndimore, pasi trenat kanë qenë të lidhur me linjat ndërkombëtare.
Para luftës me tren udhëtohej nga Prishtina në Mitrovicë dhe Leshak, mandej në relacionin Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Podujevë-Livadhi dhe Klinë-Prizren. E, jashtë linjave hekurudhore mbetën Gjilani dhe Gjakova.
Tashmë janë duke u bërë punimet në rehabilitimin e linjës që njihet si “Koridori i 10-të”, duke kaluar nga Maqedonia e Veriut nëpër Kosovë e më pastaj për në Serbi. Ky korridor lidh Kosovën edhe me vendet perëndimore.