Mandl: Marrëveshja Kosovë – Serbi do të jetë përfundimtare vetëm kur të ketë njohje reciproke

Eurodeputeti austriak Lukas Mandl ka thënë se një marrëveshje përfundimtare Kosovë – Serbi mund të arrihet vetëm në momentin kur ka njohje të ndërsjellë.
Mandl në një intervistë për “The Geopost” ka thënë se shpreson që së shpejti të arrihet marrëveshja përfundimtare.
“Unë nuk parashikoj kohë dhe data, sepse kam qenë në politikë për një kohë të gjatë për të ditur ose për të mos ditur që gjërat mund të shtyhen dhe gjërat ndodhin herë pas here për arsye racionale, por edhe ndonjëherë për arsye irracionale, por pa marrë parasysh se kur do të jetë marrëveshja përfundimtare. Shpresoj se do të jetë së shpejti dhe marrëveshja përfundimtare mund të jetë përfundimtare vetëm nëse ka të bëjë me njohjen reciproke në çdo aspekt dhe një kontakt të mirë të bashkëpunimit midis vendeve që janë edhe vende fqinje, kështu që kjo është objektivi dhe çdo gjë tjetër do të ishte shumë pak për t’i shërbyer të ardhmes së mirë në paqe dhe prosperitet dhe liri për të gjithë”, tha Mandl.
Ai ka folur edhe për çështjen e komisionerit për zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi dhe pretendimet për lidhjet e tij të ngushta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Parlamenti Evropian ka marrë iniciativë për të krijuar një komision për ta hetuar Varhelyin.
“Më duhet të ndaj me ju një pikëpamje të qartë se unë, në radhë të parë respektoj çdo zyrtar të BE-së. Në BE të gjithë janë të legjitimuar në mënyrë demokratike dhe të gjithë kanë përgjegjësi shumë të qartë, kjo është veçanërisht e vërtetë për Komisionin Evropian dhe ne si parlamentarë të Parlamentit Evropian, ne jemi ndër të tjera atje për të shqyrtuar sjelljen e Komisionit Evropian, ne jemi gjithashtu atje që të kontrollojmë njërin apo tjetrin zhvillim dhe sigurisht të vendosë kuadrin ligjor për gjithçka që ka të bëjë me BE-në. Roli ynë është ai i ligjvënësve, natyrisht së bashku me qeveritë e vendeve anëtare dhe në bazë të rekomandimeve të dy komisioneve. Thënë këtë, unë pata disa biseda kritike me komisionin për zgjerim që sapo përmendët në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian disa muaj më parë me rastin e një raporti mbi proceset integruese. Komisionari për shembull deklaroi qëndrimin e tij se Kosova duhet të kontribuojë më shumë në dialog, unë u përgjigja qartë me pyetjen, pse Kosova duhet të kontribuojë më shumë në dialog kur nuk është Kosova që bllokon Serbinë, është gjithmonë Serbia që bllokon Kosovën, madje edhe më e keqja, është qartazi një atmosferë urrejtjeje, një ideologji shumë negative ndaj Kosovës nga ky fqinj verior. Të paktën mund të them pas këtij takimi publik në Komisionin e Punëve të Jashtme, pas disa bisedave personale edhe me të, e kam dëgjuar të thotë në seancën plenare të Parlamentit Evropian se dëshiron që të dyja palët të kontribuojnë në dialog”, tha Mandl.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.