Arbëri

Raporti vjetor i PE-së bën thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve nga dialogu

 

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e prezantoi të martën draftraportin për Kosovën, në të cilin është përsëritur thirrja adresuar Kosovës dhe Serbisë për qasje konstruktive në dialog, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese, bazuar në njohjen e ndërsjellë. Në tekstin e draftit të raportit është bërë gjithashtu thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog, përfshirë edhe krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Krahas kësaj, është mirëpritur aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe u është bërë thirrje pesë vendeve mosnjohëse për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Në Parlamentin Evropian është paraqitur drafti i raportit vjetor për Kosovën, i përpiluar nga raportuesja Viola von Cramon. Në këtë tekst, në përgjithësi përsëriten disa elemente të përfshirë edhe në raportin e fundit, por edhe elementet dhe zhvillimet që kanë ndodhur ndër kohë.

Në këtë tekst mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që sipas tekstit, reflekton orientimin proevropian të qytetarëve të Kosovës dhe përcaktimin e qartë gjeopolitik të vendit.