Kërkohet rikonfigurim i përpjekjeve drejt themelimit të Asociacionit, qeveritarët ankohen për presion

Vizion dhe rikonfigurim të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë kërkoi ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, në porosinë e dhënë pas takimit në Ambasadën amerikane me përfaqësues shtetërorë, liderë politikë dhe të shoqërisë civile.
Ai, nëpërmjet një postim në Twitter pas takimit dyorësh me dyer të mbyllura, theksoi se të gjitha marrëveshjet e deritanishme nga dialogu në Bruksel duhet të gjejnë zbatim.
E në një deklaratë për media theksoi se i gjithë diskutimi ishte i përqendruar rreth tri temave që ndërlidhen me Asociacionin.
“E para, si mund të funksionojë Asociacioni në praktikë dhe pjesëmarrësit në këtë takim ngritën një varg temash, përfshirë pikëpamjet në përgjegjësitë e mundshme dhe kufizimet e mundshme të Asociacionit. E dyta, si mund të funksionojë Asociacioni brenda kornizës ligjore të Kosovës. Sërish ne dëgjuam mendime të ndryshme, përfshirë ato rreth marrëveshjeve të Brukselit dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. E treta, si mundet Asociacioni të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, shpërndarjen efektive të shërbimeve të qeverisë për serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera minoritare. Dëgjuam mendime se si Asociacioni mund të ndihmojë në adresimin e çështjeve dhe nevojave që janë thelbësore për cilindo komunitet, sikurse edhe për funksionimin e tyre për të cilat janë përgjegjëse të gjitha komunat në Kosovë, sikurse janë arsimi, kujdesi shëndetësor, zhvillimi lokal ekonomik”, tha Hovenier.
Ai përsëriti se SHBA-ja nuk e mbështet asnjë aranzhim që e shkel Kushtetutën e Kosovës apo e kërcënon sovranitetin e vendit.
Por kryeministri Albin Kurti, që nuk ishte i ftuar në takim, javën e shkuar e quajti të padrejtë insistimin e ndërkombëtarëve rreth Asociacionit, duke kërkuar që 33 marrëveshjet me Serbinë të vendosen në rrafsh horizontal.
“33 marrëveshje në dekadën para se unë të vija në pushtet janë në rrafsh horizontal, nuk kanë hierarki, nuk mund ta përzgjedhësh një marrëveshje para të tjerave dhe në anën tjetër propozimi franko-gjerman i ka pesë fjali në preambulë dhe i ka 10 nene në vijim”, tha Kurti.
Në takim Qeveria u përfaqësua nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagvaci, e zëvendëskryeministrja, Emilja Rexhepi. Pjesë e diskutimit ishte dhe shefi i kabinetit të kryeministrit, Luan Dalipi, Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani dhe Ilir Kërçeli, shefi i kabinetit të kryeparlamentarit Glauk Konjufca.
Gërvalla shkroi pas takimit se çdo model i Asociacionit që e lejon Serbinë ta minojë sovranitetin e Kosovës duhet të refuzohet.
“Çdo model që lejon Serbinë të minojë sovranitetin e Kosovës duhet të refuzohet nga të gjithë ata që synojnë paqen e qëndrueshme dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon”, shkroi Gërvalla.
Njëri nga pjesëmarrësit e takimit i tha KOHËS në kushtin e anonimitetit se përfaqësues qeveritarë ngritën shqetësimin për presionin që po i bëhet Kosovës mbi themelimin e Asociacionit. Mësohet se ata i përsëritën shqetësimet që ky mekanizëm nuk i kontribuon shtetit multietnik dhe se i cenon ligjet e vendit.
Por ministri Rashiq e kualifikoi diskutimin si të frytshëm dhe bazë të mirë për veprime të mëtejme drejt zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit.
Në Partinë Demokratike, që në takim u përfaqësua nga Bernard Nikaj, nuk e përmendën qëndrimin rreth Asociacionit porse e inkurajuan Qeverinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër.
“PDK-ja e vlerëson lart angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha fazat më të rëndësishme të vendit, nga çlirimi, pavarësia dhe shtetndërtimi. Qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me dialogun janë të qarta, publike dhe konsistente. Rrjedhimisht, PDK-ja në vazhdimësi ia ka dhënë mbështetjen e nevojshme dhe e ka inkurajuar Qeverinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër. Partia Demokratike e Kosovës do të japë gjithmonë kontributin e saj aktiv, kur në pyetje është interesi i shtetit dhe i qytetarëve të Kosovës”, thuhet nga PDK-ja.
E në Lidhjen Demokratike, që në takim u përfaqësua nga Lutfi Haziri, thanë se Asociacioni është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese e Qeverisë.
“Me ftesë të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, shkëlqesisë së tij, Jeffrey Hovenier, sot kam marrë pjesë në emër të LDK-së në takim në të cilin konfirmova mbështetjen për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së. Orientimet e LDK-së për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, dhe me njohjen reciproke në thelb të saj, mbesin të pandryshueshme. Në lidhje me Asociacionin, LDK-ja vlerëson se kjo çështje është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë”, shkroi Haziri.
Pjesë e takimit ishin edhe përfaqësues të shoqërisë civile nga komuniteti shqiptar dhe ai serb. Milica Andriq-Rakiq nga NSI-ja tha se mungoi ndonjë përfundim i përbashkët dhe se qëndrimet mes qeveritarëve të Kosovës dhe përfaqësuesve serbë ishin të ndryshme.
“Përfaqësuesit e qeverisë më së shumti folën për problemet që kanë me idenë se nuk janë të bindur që ka nevojë për një organ të tillë dhe se Pakoja e Ahtisaarit tashmë iu garanton të drejta të mjaftueshme komuniteteve, ndërsa përfaqësuesit e serbëve të Kosovës folën për mangësitë e Planit të Ahtiaarit, problemet që kanë me importimin e librave, importimin e barnave dhe qasjen pak a shumë në shërbimet elementare në Kosovë, për shkak të barrierave gjuhësore, por edhe problemeve të tjera”, tha Andriq-Rakiq.
Një ditë para takimit në Ambasadën amerikane, fondacioni “Friedrich Ebert Stifting” e prezantoi një draft-statut për “Asociacionin e komunave në të cilat komuniteti serb i Kosovës është shumicë”, që është konsideruar mekanizëm i domosdoshëm për serbët.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.