Lista Serbe ka thënë se duhet të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë, pas diskutimit të martën që u organizua nga Ambasada amerikane në Prishtinë.
“Bashkësia e komunave serbe është një institucion i nevojshëm për mbijetesën e popullit serb, jo teka e askujt”, ka thënë Lista Serbe.
Lista Serbe ka përsëritur se formimi i Asociacionit është obligim për Kosovën, ashtu siç ka thënë se është e nevojshme që të ketë kompetenca ekzekutive.
“U theksua qartë se formimi i bashkësisë së komunave serbe duhet të zbatohet siç është rënë dakord në Bruksel në vitin 2013 dhe 2015”, kanë thënë ata.
Lista Serbe, ashtu si kryeministrja Ana Bërnabiq, ka thënë se në takim e kanë theksuar se vetëm ekipi menaxhues i caktuar sipas marrëveshje është përgjegjës për hartimin e statutit të Asociacionit, dhe “jo dikush tjetër”, duke aluduar në organizatën gjermane FES.
Gjatë ditës së sotme, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka pritur në takim përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile në Kosovë për të diskutuar për Asociacionin.
Pas diskutimit, Hovenier ka thënë se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se "nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës" ose që "kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik" të saj.
Ndërkohë, një draft statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të hënën është publikuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), i cili parashihet të formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Sipas këtij draft-statuti, i cili ka 7 kapituj e 18 nene, Asociacioni do t’i ketë simbolet e veta zyrtare, përfshirë këtu flamurin dhe stemën.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.