Mehmetaj përmend ripërcaktimin e kufijve si një mundësi për t'iu shmangur Asociacionit

Mehmetaj përmend ripërcaktimin e kufijve si një mundësi për t'iu shmangur Asociacionit
Lirim Mehmetaj, kryeredaktor në “Albania Post”, ka përmendur ripërcaktimin e kufijve si një mundësi për t’iu shmangur formimit të Asociacionit.
“Sipas mendimit tim, Asociacioni nuk duhet të formohet në asnjë mënyrë dhe të kërkohet një kompromis tjetër. Ripërcaktimi i kufijve është një mundësi”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.
E kryeredaktorja e “Periskopit”, Dafina Demaku, ka thënë se Qeveria duhet të nisë sa më parë me themelimin e Asociacionit.
“E kemi përpara një fakt. Nuk kemi çfarë të interpretojmë. Është një fakt, që duhet të merremi me të. Në 48 orët e fundit na treguan më së miri se tash është koha njëmend që të merremi me Asociacioni. Besoj se prej nesër duhet të merremi me të. Qeveria duhet ta bëjë draftin”, ka thënë Demaku,
Gjinovci: SHBA-ja ishte pranë komprometimit total
Aktivisti i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, e ka konsideruar si skandaloze qasjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi Qeverisë sa i përket formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
I ftuar të martën në “Konfront” të KTV-së, Gjinovci ka thënë se SHBA-ja ishte pranë komprometimit total dhe se takimi i thirrur për të martën, fillimisht është nisur si shantazh ndaj Qeverisë.
“Escobari ka thënë do ta bëjmë Asociacionin edhe pa një person që po i pengon dhe i kanë thirrur njerëzit e tjerë. Takimi i sotëm i Ambasadës, fillimisht ishte nisur si shantazh ndaj Qeverisë. Kryeministri ka thënë se atë nuk e kanë ftuar, pse ka ndodhë kjo në ditët e fundit, sepse SHBA-ja ishte pranë komprometimit total, një vend që thirret në demokraci, që e promovon demokracinë në botë, t’i sulmojë institucionet demokratike siç ka bërë Escobari dhe Ambasada amerikane është skandaloze”, ka thënë ai.
Sipas tij, Ambasada Amerikane dhe presioni amerikan “është dorëzuar për shkak të presionit publik sepse do të ishte skandaloze nëse ambasada do t’i përjashtonte institucionet”.
Osmanaj për draftin e FES-it për Asociacionin: Nuk kemi qëllim të interferojmë përmes tij
Egzon Osmanaj, menaxher i programit “Friedrich-Ebert-Stiftung”, ka treguar se propozimi i kësaj organizate për Asociacionin është bazuar në tri dokumente, në marrëveshjen e prillit të vitit 2013, në atë të vitit 2015 e cila ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas vendimi i gjykatës mbi marrëveshjen.
Ai ka thënë se ideja ka qenë që ta bëjnë një draft “që do të jetë në linjë me Kushtetuesen”.
Osmanaj ka theksuar se FES-i nuk ka qëllim të ndërhyjë, por se shpreson që Qeveria ta konsultojë draftin e saj.
“E kemi bë draftin me qëllimin më të mirë, kishim pasur dëshirë që të paktën Qeveria ta marrë, të konsultohet dhe të shohim si të gjejmë një model që funksionon më së miri. Qëllimi jonë nuk është të interferojmë, nuk është të imponojmë, por që si organizatë besojmë në idenë dhe Qeveria i merr vendimet vet. Kemi menduar se dokumenti është pozitiv, por në fund është vendimi i Qeverisë dhe e drejta e tyre nëse duan ta shqyrtojnë apo ta hedhin plotësisht”, tha Osmanaj.
Osmanaj ka deklaruar se drafti synon që ta rregullojë edhe financimin që bëhet nga Serbia, për të cilin ka thënë se bëhet ilegal dhe jotransparent.
“Drafti jonë synon të rregullojë diçka që është e parregulluar që është financimi që bëhet nga Serbia në një pjesë të madhe të komunave. Është një financim që ndodhë jo komplet transparente dhe ligjore. Përmes draftit tonë po mundohemi ta rregullojmë këtë, çdo fond që vjen prej Serbisë të kalojë përmes një filtri kushtetues dhe ligjor te ne. Pastaj flamuri dhe stema që duhet ta kenë, pa dashtë të banalizoj, por e sheh një bankë komerciale e ka një flamur, një stemë të vetën, këto janë të rregulluara me legjislacionin tonë, nuk e kemi shpikë ne”.
Gjinovci: Krijimi i entitetit si Asociacioni do të na dërgojë në luftë ose në eskalim të konfliktit aktual
Aktivisti i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, ka thënë se krijimi i një entiteti të tillë si Asociacioni i komunave me shumicë serbe, do të dërgonte në luftë ose në një eskalim të konfliktit aktual.
Kështu është shprehur ai të martën në emisionin “Konfront” në KTV.
Duke folur për propozimin e FES-it lidhur me Asociacionin, ai ka thënë se çdo vërejtje e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është adresuar në draftin e FES-it.
“FES-i është kujdesur që çdo vërejtje që jepet në aktgjykim, është implementuar në propozimin e tyre. Gjykata thotë se paragrafi 153, gjykata vëren se parimet lidhur me strukturën organizative të Asociacionit ngre shqetësime në lidhje me respektin për diversitetin e komuniteteve që banojnë në komunat pjesëmarrëse dhe reflektimin e këtij diversiteti në punësimin e stafit dhe vazhdon... dhe një pikë tjetëqr që është 155: Gjykata gjen se kur këto parime për strukturën organizative të Asociacionit të elaborohen në akt juridik dhe në statut ato do të sigurojnë respektimin e diversitetit dhe komuniteteve që banojnë në komunat pjesëmarrëse në pajtueshmëri me nenet 3,7, 57, 61, 62 të Kushtetutës. Ekspertat e FES-it e kanë marrë dhe e kanë adresuar këtë çështje. Vërejtja ime ka qenë p.sh pse nuk e kanë adresuar në një mënyrë që e ka fryma e Kushtetutës sonë. Këta kanë thënë se do të respektohet diversiteti te formimi i Asamblesë së Asociacionit, por diversiteti respektohet edhe në Kuvendin e Kosovës, por në Kuvend ata kanë vendet e garantuara dhe kanë të drejta të veta”, ka thënë ai.
Mehmetaj: Kurti e ka pranuar deklarativisht Asociacionin
Lirim Mehmetaj, kryeredaktor në “Albania Post”, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka pranuar deklarativisht formimin e Asociacionit, por e vetmja pengesë, sipas Mehmetajt, është koha se kur do të ndodhë.
I ftuar në “Konfront” të KTV-së, Mehmetaj ka thënë se Kurti dëshiron që njëherë të nënshkruhet marrëveshja në kuadër të planit franko-gjerman e më pas të niset me formimin e Asociacionit.
“Qeveria do të ishte dashur të angazhohet rreth hartimit të statutit. Por Qeveria më shumë shpenzon në reklamim të qëndrimeve sesa në konkretizimin e tyre. Kurti e ka pranuar Asociacionin. Në momentin kur ka ardhur kryeministri në detyrë është dashur të thotë se të gjitha marrëveshjet e kaluara bien poshtë dhe ne do të fillojmë me integrimin e veriut. Por ai nuk e ka bërë. Është pranim pasiv, pa nevojën për ta deklaruar. Ajo marrëveshje është pranuar edhe nga kjo qeveri, rrjedhimisht edhe Asociacioni. Kurti e pranon deklarativisht në intervistën në REL. Çka nuk pranon është që njëherë duhet të arrihet marrëveshja në planin franko-gjerman. Pra, Asociacionin e ka pranuar, por nuk dihet koha”, ka thënë Mehmetaj.
Ai u kundërshtua nga aktivisti Rron Gjinovci, që këmbëngul se Kurti nuk e ka pranuar Asociacionin.
Mehmetaj tutje ka thënë se në bazë të draft-statutit të Asociacionit nga FES-i aty ekziston pushteti i tretë.
Sipas mendimit të Mehmetajt, Asociacioni nuk duhet të formohet në asnjë mënyrë dhe të kërkohet një kompromis tjetër. Përmendi ripërcaktimin e kufijve si një mundësi.
E kryeredaktorja e “Periskopit”, Dafina Demaku, ka thëmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka një hidhërim pse po përmbyset rendi hierarkik.
“Ai thotë se Asociacioni nuk do të duhej të ishte tash, është një hierarki, nuk është i pari, ka dhjetëra deklarata, që nuk mundemi me mohu se Kurti e ka pranuar Asociacionin”, ka thënë Demaku.
Demaku: SHBA-ja nuk po shantazhon, po i bën favor Kosovës te tema e Asociacionit
Kryeredakatorja e “Periskopit”, Dafina Demaku, ka thënë se SHBA-ja nuk është duke shantazhuar Kosovën, por po i bën një favor asaj sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Demaku në “Konfront” të KTV-së, ka thënë se kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të tejkalojë atë hidhërim se nuk është përmbushur hierarkia e marrëveshjeve të Brukselit.
"Prej vizitës së Cholletit në Kosovë, pastaj kolumna e tij dhe e Gabriel Escobarit e publikuar në KOHË, si dhe diskutimi sot i ftuar nga Ambasada e SHBA-së, gjithë kjo më bën të kuptojë se SHBA-ja nuk po e shantazhon Kosovën. Po i bën një favor Kosovës te tema e Asociacionit. Hidhërimi pse është përmbysur hierarkia e marrëveshjes së Brukselit duhet kaluar, këtë po na tregon aleati kryesor i sigurisë SHBA-ja, po na heq gajle. Po thotë kaloni këtë hidhërim, se nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive, se s’do të ketë bosnjëzim të Kosovës”, ka thënë Demaku.
Demaku ka thënë se papritmas dialogu është kthyer me “Zajednicë” në qendër.
“Opozita e kërkon llogarinë prej asaj që e ka premtuar Kurti. Dialog me njohje në qendër. Tash papritmas na u bë dialog me ‘Zajednicë’ në qendër”, ka thënë Demaku.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Infermierët paralajmërojnë grevë, thonë se pagesa për kujdestari u rrit veç 2 euro

Zyrtarët e lënë për fund deklarimin e pasurisë, edhe 3 ditë afat e APK-ja pret edhe 1400 formularë

Mot me diell sot në Kosovë

Çipa: Rezultatet e takimit në Bruksel dhe Ohër ishin zhgënjyese

Ambasadori britanik: Në Shqipëri krimi është i lidhur me politikën dhe biznesin

Kica-Xhelili: Haxhiu ta respektojë demokracinë ose të zhvendoset në një shtet autokratik si ideologjia e saj

Konjufca takohet me Nancy Pelosi, shkëmbejnë pikëpamje për forcimin e bashkëpunimit

Xhymshiti: Politika e jashtme amerikane ka ndryshuar në mënyrë shqetësuese në raport me Kosovën

Krimi serb që pret ndëshkimin

Ministria e Bujqësisë s’e pagoi kompaninë që rinovoi katin për të cilin s’pati kontratë për shfrytëzim

Ish-zëvendësshefja e AKI-së thotë se ishte shkarkuar vetëm nga pozita dhe se mori rekomandim pozitiv nga institucionet
