Pacolli: Asociacioni, kurth që po tentohet të jetësohet përmes atij që e ka kundërshtuar më së shumti

Pacolli: Asociacioni, kurth që po tentohet të jetësohet përmes atij që e ka kundërshtuar më së shumti
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një kurth të cilin e kanë nënshkruar para 10 vjetësh, ndërsa tani po tentohet që të jetësohet kjo marrëveshje përmes atij që e ka kundërshtuar më së shumti, kryeministrit Albin Kurti.
E ftuar të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Pacolli ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar dhe do të vazhdojë ta kundërshtojë këtë marrëveshje.
“Ne kemi pasur raste kur Kosovës iu ka prezantuar që duhet të pranojë dhe të nënshkruajë Demarkacionin me Malin e Zi nëse dëshiron t’i marrë vizat. Në Kuvend është ratifikuar marrëveshja për Demarkacionin, ka humbur mbi 8200 hektarë tokë, ka humbur burime natyrore, burime ujore, hapësira turistike dhe nuk e ka marrë liberalizimin e vizave. Kjo ka qenë një padrejtësi dhe një presion jokorrekt dhe një arsyetim i qeverisjes në atë kohë që ta bëjmë Demarkacionin dhe të mos bllokohemi. Kosova ka bërë disa hapa të tillë dhe në kthim nuk ka marrë asgjë në krahasim me shtetet tjera, me shtetin serb. Ne insistojmë dhe do të vazhdojmë të insistojmë që t’ia tregojmë edhe bashkësisë ndërkombëtare që të gjejmë një zgjidhje që funksionon për gjithë, jo një zgjidhje që fillimisht mendojmë se do t’i zgjidhim problemet por ajo do të na fusë në një kurth nga e cila nuk do të dimë se si do të dalim. Tashmë jemi në një kurth, ajo e Asociacionit. Të kujtojmë që Asociacioni është nënshkruar para 10 vjetësh nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, pastaj pas dy vitesh nga Isa Mustafa, ndërsa tani po tentojnë që përmes Vetëvendosjes, përmes kryeministrit që e ka kundërshtuar më së shumti, ta jetësojnë një marrëveshje. Ne e kemi kundërshtuar dhe vazhdojmë ta kundërshtojmë këtë marrëveshje. Dhe vazhdojmë të insistojmë në atë se çfarë po themi që kemi të drejtë”, ka thënë ajo.
Lidhur me planin evropian të njohur si franko-gjerman, Pacolli ka thënë se Kosova është e gatshme për të diskutuar këtë plan në tërësi dhe të arrihet një marrëveshje përfundimtare që ka njohje reciproke në qendër.
“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar asnjëherë. Vazhdojmë të qëndrojmë te ato që i kemi deklaruar edhe më herët. Sa i përket planit, kryeministri ka thënë se është bazë e mirë për të filluar diskutimin për marrëveshjen e përgjithshme përfundimtare me njohjen në qendër. Ky propozim ka disa pika, në mesin e tyre ka dhe një pikë që e trajton Asociacionin, mirëpo tani presioni është se ne kishim një plan, do të duhej të uleshim dhe ta diskutojmë atë plan, për marrëveshjen përfundimtare me njohjen në qendër. Tani çka po ndodh është se po merret një pikë e fundit qoftë nga plani evropian, qoftë nga 33 marrëveshjet që janë nënshkruar, po favorizohet njëra për të cilën po thuhet se kjo duhet të kryhet”, ka thënë ajo.
Pacolli: VV-ja e mban qëndrimin e njëjtë, s’do të ketë Asociacion
Lëvizja Vetëvendosje mban qëndrimin e njëjtë mbi çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë deputetja e VV-së, Fitore Pacolli. Ajo ka thënë se janë kundër asociacionit njëetnik.
Pacolli në “Interaktiv” të KTV-së kur është pyetur nëse përjashton çdo lloj mundësie që të ketë asociacion, ajo është përgjigjur se: “Nuk do të duhej të kemi struktura që minojnë atë që kemi ndërtuar deri tash”.
“Kosova nuk mund të negociojë me Serbinë për riorganizmin brenda territorit të saj dhe të vë në pikëpyetje apo të bie në kundërshtim me Kushtetutën e saj. Ne kemi punuar që të ndërtojmë Kosovën një shtet multietnik. Nuk do duhej që tani kur jemi në fund të një procesi të shtetndërtimit të Kosovës, ku ne jemi drejt avancimit të demokracisë së Kosovës, të na kthejë në hapa prapa ku ne të krijojmë një strukturë që do të na bllokojë dhe kthejë në pozitën ku ishim në fillim. Nuk do të ketë (asociacion). Ne si VV e kemi akoma atë qëndrim, jemi kundër asociacionit njëetnik”, ka theksuar ajo.
Pacolli ka deklaruar se qasja dhe presioni që po i bëhet Kosovës për asociacionin nga ndërkombëtarët, është i padrejtë. Ajo ka shtuar tutje se Kosova nuk do të duhej të kushtëzohej në rrugën e saj drejt integrimit evropian me Asociacionin.
“Bashkësia evropiane me SHBA-në mundohen që të çojnë Kosovën dhe Serbinë drejt një zgjidhje përfundimtare me njohje reciproke por kjo mënyrë nuk është ajo që duhet të bëhet sepse presioni që po i bëhet Kosovës nuk është i duhuri në këtë moment sepse Kosova e ka dëshmuar se ka punuar, kurse Serbia çdo ditë e më shumë po bëhet më jokonstruktive. Presioni ndërkombëtar duhet të jetë mbi Serbinë”.
Pacolli është shprehur se Qeveria është e gatshme të diskutojë për të drejtat e komuniteteve joshumicë, por jo edhe për ato ekzekutivet.
“Duhet të kthehemi prapa të shohim sa është punuar të integrohen në mënyrë profitabile jo vetëm ekonomik për Kosovën, por mënyrë që çon drejt një afrimi më të madh drejt bashkëjetesës. Gabimet që janë bërë në të kaluarën, nuk do të thellohen tani më tutje sepse ne kemi provuar me decentralizim. Decentralizimi i ka ndarë serbët dhe shqiptarët në mënyrë që ata më nuk jetojnë bashkë dhe kjo e ka dëmtuar procesin e integrimit. Tani nuk duhet ta thellojmë këtë ndarje përmes një asociacioni. Kemi komuna në jug ku jetojnë shumicë serbë dhe janë të integruar në jetë normale. Njëjtë do duhej të punonim me komunat në veri”, ka thënë Pacolli.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Mehaj e Aliu prezantojnë “dy projekte madhore” për rritjen e kapaciteteve të FSK-së

ZRRE-ja sot vendos për shtrenjtimin e rrymës

Mot me diell sot në Kosovë

Haxhimusa: Rritja e çmimit të energjisë është vetëm për ta mbajtur gjallë sistemin

Pjesëtarët e komuniteteve pakicë tregojnë se ndihen shpesh të diskriminuar

Komunitetet pakicë të pakënaqura me përfaqësuesit në Kuvend

Pas funksionalizimit të Komerciales përkeqësohet situata me lëndët e pazgjidhura

Masakra e Belegut - burrat torturoheshin para se të vriteshin

Qeveria: Termi “personat e zhdukur me forcë” do të jetë pjesë e deklaratës

BE-ja: Pasoja, nëse s’ka zbatim të marrëveshjes

Jakurti: Norma e lartë e inflacionit duhet të jetë problemi kryesor i ekonomisë në Kosovë
