Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se nuk është e rastësishme që në të njëjtën ditë në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti flet për “Zajednicën” e presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, për “vendime të rënda” që e presin atë e Serbinë.
“Sot në Kuvendin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqi e kishte në agjendë t’iu flasë deputetëve serb për ‘vendimet e rënda’ që e presin atë dhe Serbinë. Çuditërisht, në po të njëjtën kohë, pa agjendë dhe pa rend dite, përderisa po mbanim deklarimet jashtë rendit të ditës gjasë seancës së Kuvendit, edhe Kryeministri ynë Albin Kurti e kontrabandoi një lajm të madh për Kosovën, lajmin për themelimin e ‘Zajednicës’”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Kjo sipas tij nuk ishte koincidencë. “Kjo është gjë e menduar mirë. Por ajo çfarë ishte një përpjekje absurde për të shpëtuar nga ballafaqimi për ‘Zajednicën’, ishte zgjedhja e kohës për deklarime jashtë rendit të ditës nga ana e kryeministrit, kur deputetët e kanë kohën e kufizuar për debat e replika. Madje, nga frika e ballafaqimit, kujdeseshin të na e përkujtonin se nuk kemi të drejtë ta kërkojmë fjalën se s’lejohet me rregullore”, ka shkruar Tahiri.
Sipas tij Kurti nuk ka pasur guxim që themelimin e “Zajednicës” ta shtrojë si çështje të plotë debati, ku siç ka thënë do të mund të diskutonin gjerë e gjatë se si erdhëm në këtë pikë. “Ai zgjodhi kohën më të përshtatshme për vete, për ta thënë këtë lajm duke iu shmangur ballafaqimit të deputetëve e duke lënë qytetarët në terr informativ. Por kësaj përpjekje, nuk do të mund t’i shmanget. Ai duhet t’ua shpjegojë deputetëve dhe qytetarëve në detaje se çfarë e bëri atë që ta pranojë ‘Zajednicën’ brenda natës”, ka shkruar Tahiri.
Kryeministri Albin Kurti, në seancën e mbajtur të enjten ka paraqitur gjashtë kushtet në mënyrë që të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas tij, ai nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe mund të zbatohet vetëm pas marrëveshjes finale.
Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një seancë të jashtëzakonshme për Kosovën, në Kuvendin e Serbisë, ka paraqitur dhjetë pikat e planit franko-gjerman. Ai ka thënë se pjesa më e vështirë e këtij propozimi, që po njihet tashmë si propozim evropian, është te pika e 4, ku thuhet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.
Presidenti serb ka thënë se 90 për qind e asaj që është publikuar në media në lidhje me propozimin është i saktë. Ai ka thënë se e kanë publikuar nga “bashkësia ndërkombëtare”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.