Arbëri

Shtesat mujore për deputetët do të jenë gati sa paga e një zjarrfikësi

Foto: Alban Bujari / KOHA
 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të jenë kategoria më e privilegjuar me Ligjin për Paga. Përveç pagës prej 1 mijë e 722 eurosh, ata do të vazhdojnë të marrin shtesa deri në 516 euro në muaj për pjesëmarrje në komisione. Kjo shtesë është përafërsisht sa paga mujore e një zjarrfikësi (525 euro). Ligji për Paga parasheh edhe shtesa të tjera. Krahas pagës bazë, të punësuarit në sektorin publik do të marrin shtesa për përvojë të punës, për punë jashtë orarit dhe gjatë fundjavës e festave.

Një deputet i Kuvendit të Kosovës do të marrë shtesa deri në 516 euro në muaj, që janë të përafërta me pagën mujore të një zjarrfikësi. Kjo shumë do t’i shtohet pagës bazë të deputetit, që me Ligjin e ri parashihet të jetë 1 mijë e 722 euro apo 11 për qind më shumë sesa që ishte.

Këto shtesa në vlerë deri në 30 për qind të pagës bazë, sipas Ligjit parashihen për pjesëmarrjen në komisione parlamentare, për çka deputetët edhe në të kaluarën kanë marrë 160 euro, ndërsa për seanca plenare 240 euro.