Arbëri

Dëmshpërblehet me afro 300 mijë dollarë punonjësi shqiptar në Kanada, ishte keqtrajtuar nga shefi

 

Gjykata e Lartë e Drejtësisë në Ontario të Kanadasë ka dëmshpërblyer me afro 300 mijë dollarë punonjësin shqiptar Rr. O., i cili kishte paditur mbikëqyrësin dhe kompaninë për trafikim me qenie njerëzore dhe keqtrajtim, raporton “Law Times News”.

Punonjësi i përkohshëm Rr. O. kishte paditur kompaninë Universal Structural Restorations Ltd. (USRL) dhe mbikëqyrësin Ludgero De-Almeida, mbi bazë se ishte abuzuar, e nënçmuar në mënyrën më të turpshme. Shqiptari ka thënë se kishte gjuhë diskriminuese, fyerje, kërcënime në lidhje me statusin e tij të emigracionit dhe po ashtu abuzim fizik nga mbikëqyrësi, i cili e kishte goditur me grusht edhe në testikuj, e atë para kolegëve. Madje i shkaktoi dëme të mëdha, që përfundimisht çuan në humbjen e një testikuli.